Kryeministri Sali Berisha e nisi sot në mbledhjen e qeverisë me një minutë heshtje në nderim të personalitetit të shquar shqiptar, Arbën Xhaferi, i cili u nda dje nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.
Berisha vlerësoi kontributin e madh të dhënë nga Xhaferi për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe të shqiptarëve në rajon.
Ndërkohë kryefjala e ditës ka qenë sezoni turistik, i cili sipas kryeministrit, në sajë të investimeve të shumta ka njohur ritme të reja rritjeje. Ai u shpreh më tej se, ky sezon turistik ka njohur një numër rekord turistësh, si në bregdet ashtu edhe në mal. Gjatë fjalës së tij lidhur me këtë çështje, Berisha theksoi faktin se turizmi ka sjellë 190.000 vende pune për qytetarët shqiptarë,
“Shqipëria ka marrë turistë të huaj rreth 277 mijë më shumë gjatë 7 muajve të parë të vitit se sa një vit më parë. Pushuesit shqiptarë dhe të huaj bënë që të fuqizohet më tej si degë kryesore në ekonominë shqiptare dega e turizmit. Ata bënë që vetëm nga kjo degë të krijohen në vend 190 mijë vende pune. Një shifër rekord. Të gjithë ata të cilët udhëtojnë nga Velipoja në Ksamil konstatojnë morinë e jashtëzakonshme të vendeve të punës që funksionojnë në këtë sektor”, – u shpreh Berisha në mbledhjen e qeverisë.
Kryeministri nuk i kurseu sulmet ndaj opozitës dhe liderit të saj, Edi Rama, për shpifje të panumërta lidhur me sezonin turistik, pasi sipas tij, të thuash se ka një rënie të turizmit ndërkohë që këtë vit është rritur ndjeshëm numri i turistëve është një shpifje e ulët.
16 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)