Ish-kryeministri: Rama, unë ta bëj portretin nudo e jo nudo


Për Ramën – “Ty të kanë mjekuar kolegët e mi, ke qenë i shtrirë me barelë dhe i lidhur, i di mirë ti këto”, i tha Berisha, Kryeministrit


Për Ahmetaj – “Dëgjuat këtu alternativën e Hermesit (Arben Ahmetaj), e një hajduti që ka vjedhur 11 milionë dollarë dhe dosja iu mbyll nga prokurori socialist”


Diskutimet – Gjatë seancës maratonë të Kuvendit për buxhetin 2014 morën pjesë në diskutime mbi 100 deputetë të të dyja kampeve politike


Seanca – Diskutimi për më shumë se 25 orë pa ndërprerje i projektbuxhetit 2014 do të shënonte dhe rekord të ri në kohëzgjatjen e punimeve të një seance plenare të Kuvendit.


Votimet – Në mbyllje të diskutimeve maratonë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje 11 projektligje, një projektvendim dhe një kërkesë të grupit parlamentar demokrat.


Herion Mesi


rama meta berishaPër më shumë se 25 orë pa ndërprerje, deputetët e mazhorancës dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë debatuan me tone të ashpra mes tyre për diskutimin në parim të projektbuxhetit të qeverisë për vitin e ardhshëm dhe paketës fiskale, që parashikon ndryshim e taksës së sheshtë në taksë progresive. Ashtu si në ditën e parë të diskutimit, edhe gjatë punimeve të djeshme parlamentare, protagonist i debateve në sallën e Kuvendit ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndërhyri disa herë radhazi duke replikuar jo vetëm me pasardhësin e tij Edi Rama, por edhe me ministrat e kabinetit të tij qeveritar.


Përjashtimi i Veriut


Në fjalën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi këtë buxhet si antikombëtar, pasi, sipas tij, përjashton investimet në mënyrë të turpshme për Veriun e vendit. Dhe për këtë arsye, në fjalën e tij përmbyllëse, Berisha duke kundërshtuar procedurën e ndjekur nga qeveria për prezantimin e draftit të saj, u kërkoi dje deputetëve që të mos e votojnë buxhetin 2014. “Këta mburracakë, përsërisin si papagaj megamashtrimin e një mendjeje që prodhon çdo ditë gënjeshtra të tilla. Thirrja ime është votoni kundër këtij buxheti. Ah dhe kjo, ky buxhet ka përjashtuar Veriun totalisht nga investimet”, u shpreh Berisha. Lidhur me diskutimet pa pafund për më shumë se 25 orë, Berisha do të akuzonte mazhorancën se me mosndërprerjen e seancës plenare edhe gjatë natës, ajo, sipas tij, kërkon të fshehë krimin monstruoz që përmban në vetvete buxheti. “Buxheti u miratua fshehtas në shpellën e qeverisë, maratonë gjithë natën për të fshehur të vërtetën nga ku arriti tani në finish. Ky është finishi i turpit, që kanë frikë nga veprat e tyre, ky është finishi i turpit, i një procedure që vihet në funksion të fshehjes së të vërtetës me taksat. Kjo është procedurë e turpshme, që vihet në funksion të një gjëme që mban në vetvete ky buxhet, procedurë e turpshme që mashtron çdo qytetar shqiptar që shkelmon mbi ta produkt i injorancës totale i një mendjeje të sëmurë”, tha Berisha. Sipas ish-kryeministrit Berisha, ky është buxheti i gropës më të madhe në histori, pasi shndërron financat publike në një piramidë të vërtetë, të rrezikshme që do ta rrokullisë Shqipërinë në një skenar ogurzi. “Këta mburracakë përsërisin si papagaj, megamashtrimin e një mendjeje që prodhon çdo ditë gënjeshtra të tilla. Keni tre muaj, si në asnjë vend të botës me shfrytëzimin total, sulmoni biznese, keni futur vendin në stanjacion, i cili po ecën drejt krizës, vetëm se nuk keni mundur t’i fusni në xhepa ato. Shqiptarët nuk i mashtroni dot ju. Ju morët besimin e tyre, por jo dinjitetin dhe s’do të mund të shkelmoni kurrë dinjitetin e tyre”, tha Berisha.


Replika me Ramën


bersishaGjatë fjalës, Berisha replikoi me Kryeministrin Rama, që ishte ulur mes deputetëve, duke i thënë të mos fliste, por të dëgjonte, pasi mund t’i bënte portretin si të donte dhe në të gjitha mënyrat, nudo e jo nudo. “Mbylle gojën aty se nuk dua të të numëroj gjëra që nuk dua të them. Se po të dua të them të gjitha variantet shqeto apo jo shqeto, ose dil jashtë po të duash, ose rri aty ku je. E di unë, ke hall atë punën e synetit, por unë të flas në politikë, por ai fiziku nuk ta lejon ty. Ky është buxhet i një mendjeje të sëmurë. Mos u ngatërro me delikuentë, se e dimë qe je ti që fshihesh pas vetes tate, ke këtu 3-4 sharës profesionistë që u çon sms dhe fshihesh pas tyre”, tha Berisha, duke e akuzuar Ramën edhe për udhëtime me bileta të shtrenjta, e fjetje në hotele 4 mijë euro, duke thënë se vetë nuk ka qëndruar kurrë në hotele më të shtrenjta se 750 dollarë.


 


[callout]Jozefina Topalli – “Për depolitizimin e shkollës pamë konkurset më fyese e më ofenduese që mund të bëhen. Hapët një gropë 500 milionë dollarë. Në tre muaj na humbët statusin e rekomanduar dy herë”


Majlinda Bregu – “100% të shqiptarëve ky buxhet i varfëron. Kush priste rritje rrogash, do të zhgënjehet, kjo qeveri i ngriu. Kush priste legalizim falas, do të paguajë një më një”


 


Ahmetaj: Buxheti garanton sipërmarrjen


Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Arben Ahmetaj, tha dje se buxheti 2014 është më i madhi nga përgjegjësia mes domosdoshmërisë dhe nevojave për zhvillim ekonomik në favor të qytetarit. “Ky buxhet do të mbahet mend si buxheti i uljes së taksave dhe sipërmarrja nuk do të zhgënjehet, pasi do të injektohen në ekonomi 1,1 miliardë USD, ku 650 milionë USD do të jenë investime”, tha ai.[/callout]


 


 


PD kundër


Vasili: Diskutimi nga opozita, joproduktiv


Në përfundim të diskutimeve të djeshme në Parlament për projektbuxhetin e vitit 2014, pak minuta para votimit të tij në parim, kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, ndërsa deklaroi votën “pro” për buxhetin, në emër të deputetëve të LSI-së theksoi se ky buxhet është një pikë kthese për ekonominë e vendit. Nisur nga diskutimi maratonë, nga foltorja e Kuvendit, Vasili deklaroi se mazhoranca i ka votat për të miratuar projektbuxhetin, por ashtu si ligji që ka të bëjë me të gjithë qytetarët, edhe buxheti kërkon votën e të gjithë deputetëve të Kuvendit. Por, sipas tij, kjo mënyrë diskutimi që po bëhet në sallën e Parlamentit nga opozita nuk krijon produktivitet. “Kjo mënyrë diskutimi nuk krijon produktivitet. Nuk është momenti të shprehim si është qeverisur dhe as të paraqesim tabela shifrash. Qytetarët presin ndryshime të prekshme. Buxheti është një pikë kthese nga rënia e lirë e ekonomisë”, tha Vasili, duke shtuar se rritja e borxhit bëhet për të rimëkëmbur ekonominë. Ndërsa në emër të grupit të Partisë Demokratike, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi votën kundër paketës fiskale dhe buxhetit të vitit 2014. “Taksohet në rritje konsumi familjar dhe prodhues. Karburanti do të taksohet më shumë për 84 milionë dollarë. Pagat përtej përfitimit të vogël do të pësojnë një rritje të taksimit të përgjithshëm të tyre prej 13 milionë dollarësh. Akciza mbi cigaret e pijet alkoolike do të rritet me 4 milionë dollarë. Taksa e banesave dhe e pronës do të pësojë rritje prej 5 milionë dollarësh. Taksimi progresiv dëmton ekonominë. 100 milionë dollarë më pak investime në krahasim me 2013-n. Niveli i investimeve publike do të bjerë në nivelin e 5% të PBB, ky është një problem i madh. 920 mln dollarë do të merren hua, një borxh i ri duke e çuar në 74.8% borxhin. Sigurisht që ka dhe do të ketë borxhe, gjithmonë krijohen prapambetje, por kjo nuk justifikon rritjen e borxhit me 13%. Banka e Shqipërisë nuk garanton likuiditetin e borxhit”, tha Bode. Ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u shpreh se gjatë qeverisjes së mëparshme ekonomia e vendit ka shkuar dy herë në prag gremine. “Borxhi i fshehur është mohuar nga ish-ministri i Financave, bën zhurmuesin sapo përmendet shifra. Do të përgjigjeni për abuzimet. Janë fshehur afro 100 miliardë lekë”, kërcënoi Cani ish-ministrin Bode.


 


[callout]Shoqata e Bashkive kundër buxhetit të qeverisë për vitin 2014


Basha: Buxheti për 2014-n, shkatërrues, redukton autonominë vendore


Kontestimi – “Për tri arsye madhore, paraqitur edhe në progresraportin e BE-së në tetor të këtij viti, Shoqata e Bashkive e kundërshton këtë paketë”


Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh dhe kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me pushtetarët vendorë akuzoi dje qeverinë për reduktimin e autonomisë së pushtetit vendor nëpërmjet një projektbuxheti shkatërrues e të pakonsultuar me shoqatat dhe grupet e interesit, siç e ka cilësuar ai projektbuxhetin që u votua në Kuvend disa minuta para nisjes së këtij takimi. Sipas Bashës, vijmë në kushtet e një anomalie që ka vështirësuar jo pak normalitetin e diskutimit për ligjin më të rëndësishëm të vitit. “Qeveria nuk ka konsumuar asnjë komunikim me shoqatat dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor për këtë projektbuxhet, edhe pse këtë e kërkon standardi europian i bashkëpunimit mes pushteteve. Në këtë paketë janë parashikuar ndërhyrje dramatike në dëm të pushtetit vendor, një gjymtim i këtij pushteti që i reduktohet si asnjë herë autonomia fiskale, që është themeli i autonomisë vendore”, deklaroi Basha. Ai ka vijuar më tej, duke shtuar se gjithë shqiptarët e kanë kuptuar që Kryeministri ka nisur të përdorë shprehjen e tij të preferuar: “Ju jeni të lirë të flisni, unë jam i lirë të mos ju dëgjoj”. “Ne kemi lirinë, ai ka mosdëgjimin. Ky projektbuxhet po e përgatit vendin për procesin e decentralizimit”, shtoi ai më tej. Për tri arsye madhore, paraqitur edhe në progresraportin e BE-së në tetor të këtij viti, Shoqata e Bashkive e kundërshton këtë paketë. “Së pari, nuk ka më decentralizim, por centralizim, nuk ka më konsultim por zero transparencë, nuk ndodh më bashkëpunim mes qeverisjes vendore dhe asaj lokale. Sepse me këto reforma, qytetarët do të kenë më pak projekte për të përmirësuar jetesën e tyre, si rrugë, ujësjellës apo politika sociale për njerëzit në nevojë”, u shpreh Basha.[/callut]