Ministrit danez për Çështjet Europiane ka theksuar se Danimarka mbështet integrimin e Shqipërisë në BE


Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin për Çështjet Europiane të Danimarkës, zotin Nicolai Wammen. Kryeministri Berisha i shprehu zotit Wammen kënaqësinë për vizitën e tij, duke vlerësuar atë si një shenjë miqësie në kohën kur Danimarka kryeson Presidencën e BE-së. Berisha gjithashtu falenderoi ministrin danez për mbështetjen dhe ndihmën që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë në 20 vitet e rrugëtimit drejt demokracisë si dhe mbështetjen e pakursyer për anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave.

Ministri Wammen gjithashtu shprehu kënaqësinë për vizitën, duke theksuar se si qeveria daneze ashtu edhe kombi danez e çmojnë miqësinë e gjatë dhe të fortë midis të dy vendeve. Ai vlerësoi lart rolin e Shqipërisë për stabilitetin dhe paqen në rajon. Zoti Wammen shprehu angazhimin e Presidencës daneze për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Danimarka mbështet integrimin e Shqipërisë.


Në vijim të interesit të ministrit danez, Wammen për reformat e ndërmarra dhe zbatimin e tyre si kusht i rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së, Kryeministri pasi theksoi se procesi i integrimit për Shqipërinë duhet të jetë i bazuar në meritë dhe përmbushjen e 12 prioriteteve, i bëri atij një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në ekonomi, në adoptimin dhe zbatimin e kornizës ligjore të nevojshme për integrimin evropian, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mënyrë të veçantë Kryeministri u ndal tek reforma zgjedhore, ajo e rregullores së Parlamentit dhe ajo në drejtësi. Ai u shpreh se pas bllokimit më shumë se 2-vjeçar, tashmë puna midis mazhorancës dhe opozitës i është kthyer normalitetit. Kryeministri theksoi se ndërkohë që janë miratuar ligjet me shumicë të cilësuar të kërkuara në 12 prioritetet, po bëhen të gjitha përpjekjet për përmbylljen me sukses të reformës zgjedhore bazuar plotësisht ne rekomandimet e OSBE / ODIHR , asaj parlamentare etj.


Në takim, ministri Wammen ngriti çështjen e deklaratës së fundit të bërë nga Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia për ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në vendin tonë, Henk Van den Dool. Berisha theksoi se kjo deklaratë është një qëndrim krejtësisht personal i zotit Spahia dhe tërësisht i papranueshëm e që nuk shpreh qëndrimin zyrtar dhe vlerësimin më të lartë të qeverisë shqiptare për rolin dhe kontributin e ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, si përfaqësues i një vendi mik siç është Mbretëria e Vendeve të Ulëta, ndaj të cilës ka një mirënjohje të thellë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë.


Në një prononcim të pak ditëve më parë. gjatë një emisioni televiziv ambasadori danez ka shprehur mbështetjen e tij për komunitetin gay dhe ka pohuar se do të marrë pjesë në paradën e komunitetit LGBT, që do të mbahet më 17 maj në Tiranë.


Ndërkohë, i pyetur për deklaratën e Spahisë, i cili një muaj më parë u shpreh se nuk kishte deklaratë tjetër për komunitetin gay, veçse “t’i kap në hu”, është shprehur se është fare e papranueshme që ajo të bëhet nga një zyrtar i kabinetit qeveritar.

“Me siguri që ju e keni parë reagimin publik të BE-së, pjesë e të cilës kam qenë edhe unë, nuk dua që të harxhoj shumë kohë me këtë, por më lejo të them që injorantë ka gjithandej. Unë ndiej që njerëzit duhet të edukohen në lidhje me këtë. Është e rëndësishme që njerëzit të informohen, të edukohen. Dhe ajo që unë e gjej fare të papranueshme dhe prandaj besoj se ka qenë arsyeja që ne e iniciuan atë reagim, është kur një gjë e tillë del nga goja e një zyrtari të kabinetit qeveritar. Sigurisht të gjithë kanë të drejtën të kenë opinionin e tyre, por duke qenë në pozicionin e një anëtari të kabinetit qeveritar, që aspiron për t’u bërë vend anëtar i BE-së, nuk mund të thuhen gjëra të tilla”, – është shprehur diplomati danez.


Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e kryetarit të PLL-së, i cili mban edhe postin e zv/ministrit të Mbrojtjes, i cili ka kërkuar që ambasadori danez në Tiranë, Henk G.C. van den Dool, të shpallet person i padëshiruar. Sipas tij, ambasadori danez ka fyer deputetët dhe zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, e sipas tij kjo gjë s`mund të tolerohet.

“Ambasadori danez nuk ka folur për çështje të rëndësishme, por vetëm për LGBT. Ai nuk duhet të dalë jashtë rolit dhe statusit të diplomatit dhe nuk duhet të fyejë deputetët e vendit ku shërben”, – ka theksuar Spahia.

16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)