Ish-kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi u dënua sot me katër vjet burg për evazion fiskal. Vendimi erdhi në një ccështje penale për blerjen e të drejtave të transmetimit të filmave amerikanë në televizionet e tij. Berlusconi pritet të apelojë vendimin.
Ai është nën shumë akuza njëherësh të lidhura me binzesin e tij si dhe nën akuzë për marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe ndikim mbi drejtësinë. Në të shkuarën, akuzat ndaj tij nuk kanë përfunduar në ndëshkim për shkak se avokatët e tij ia kanë dalë të shtyjnë proceset ligjore deri në skadim të afateve.
Në rastin për të cilin u dënua sot, prokurorët procuan se një pjesë e parave të deklaruara për pagesën e të drejtave të transmetimit të filmave, qenë në fakt një devijim shpenzimesh për të reduktuar detyrimet fiskale të grupit Mediaset, një nga shumë kompanitë e Berlusconit.
Gjykata i dha ish-kryeministrit një dënim më të ashpër se sa tre vjet e tetë muaj që patën kërkuar prokurorët. Ky gjyq filloi gjashtë vjet më parë.
Berlusconi deklaroi pas gjyqit se vendimi qe i “papranueshëm” dhe një shantazh ndaj tij. Megjithëse ai do të qëndrojë jashtë burgut në pritje të apelimit, aksionet e Mediaset TV në bursën e Milanos ranë me 3 për qind. Ndërkohë, karriera politike aktive e tij mund të konsiderohet e mbyllur nga ky dënim.
Ai pati njoftuar më herët këtë javë se do të japë dorëheqjen si udhëheqës i partisë së tij dhe nuk do të kandidojë për rizgjedhje si kryeministër vitin e ardhshëm. Manjati i medias e ka kaluar pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit duke ndërtuar ligje për të garantuar mosndëshkimin e tij për akuza të ndryshme për aktivitet kriminal dhe korrupsion. Është ironike që ndëshkimi i tij do të zbritet nga katës në dy vjet si pasojë e një ligji të miratuar nga koalicioni kundërshtar me të i qendrës së majtë në vitin 2006. Ligji i atëhershëm synonte të reduktonte popullatën e burgjeve në Itali.