Skenarët për rikompozim mund të rikthejnë anëtarët e larguar
BLEDAR HOTI
Dy anëtarët e KQZ-së, të dorëhequrit Denar Biba dhe Albana Shtylla mund të rikthehen në detyrë, vetëm në rast se institucioni rikompozohet. Në një prononcim për “News 24”, Shtylla u shpreh se “mund ta pranoj një ofertë nga PS për të qenë pjesë e KQZ-së por më parë duhet të garantohet ligjshmëria në KQZ”. I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, ish-nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, thekson se më parë atij institucioni duhet t’i rikthehet legjitimiteti, duke bërë që Kuvendi të riformatojë institucionin kryesor zgjedhor. “Vetëm në këtë mënyrë jam i gatshëm të kthehem”, shprehet Biba. Vetëm rikthimi i legjitimitetit të kësaj strukture kryesore duket se është arsye që mund të bindë ish-anëtarët e larguar. Deklarimet e lëshuara nga Biba dhe Shtylla japin sinjale se kriza e KQZ-së, që po operon me katër anëtarë, mund të zgjidhet vetëm me rikompozimin e këtij institucioni, duke hapur spirale të ripropozimit të anëtarëve aktualë. Pranimi i rikompozimit të KQZ-së nga PD-ja do të thotë që KQZ-ja të rizgjidhet sipas formulës aktuale të Kodit Zgjedhor, duke nënkuptuar që anëtarë të KQZ-së do të përfitojë LSI-ja, tashmë si forca e dytë e opozitës. Gjithçka lidhet me qëndrimin refraktar të kreut të PD-së, Sali Berisha, për rikompozim të KQZ-së. Berisha ka shprehur hapur qëndrimin e tij se është kundër largimit të katër anëtarëve aktualë, duke i kërkuar opozitës që të plotësojë vendet vakante në institucionin zgjedhor. Ndërsa PS-ja kërkon si garanci ribërjen e KQZ-së, si kthim i legjitimitetit në zgjedhje. Përndryshe opozita ka bërë të ditur se nuk do të plotësojë vendet vakante.
Shkelja e KQZ-së me aktet
Ish-anëtarja e KQZ-së, Albana Shtylla, ka ngritur shqetësimin për shkeljen e Kodit Zgjedhor, ku aktet me pesë vota, po votohen nga katër anëtarët aktualë të këtij institucioni. “Në vetvete, ashtu siç e parashikon kodi janë akte normative që duhet të miratohen me një shumicë prej pesë anëtarësh. Për mua jemi përpara një shkelje të kodit. Nuk mund të ketë një shqyrtim me një mungesë kuorumi, sepse dhe dispozitat e kodit, kur flasim pikërisht për rregullat në bazë të të cilave mblidhet KQZ-ja, parashikojnë në mënyrë të detyrueshme që për aktet të cilat kërkojnë pesë anëtarë duhet të ketë një kuorum me minimalisht pesë anëtarë”, deklaron Shtylla. Në lidhje me aplikimin e teknologjive dhe veçanërisht numërimin elektronik në Qarkun e Fierit, zonja Shtylla deklaron se duke parë edhe afatet e tejkaluara, tashmë është i pamundur aplikimi i kësaj teknologjie. “Për mua është e pamundur në Qarkun e Fierit që të mund të realizohet, për shkak të këtyre boshllëqeve, si teknike ashtu dhe procedurale, tejkalim të afateve. Por nga ana tjetër, edhe rregullshkruese. Akti normativ i cili do të parashikojë rregullat për zbatimin e teknologjisë për Qarkun e Fierit, pra numërimit elektronik, nuk është miratuar nga KQZ-ja. Mendoni që do të duhet që të trajnohen nivelet e administrimit, pra duke filluar me grupet e numërimit, komisioni zonal i administrimit zgjedhor, çfarë dokumentesh do të përpunojnë ata për nxjerrjen e rezultatit. Pra të gjithë këto elemente që do t’i përshkruajë akti nuk janë tashmë të vendosur, pra them që është e pamundur për Qarkun e Fierit në vlerësimin tim”, thekson Shtylla.