Patozi: Presidenti nuk zgjidhet me ultimatum
Ruçi: Kërkojmë reformën zgjedhore, heqjen e imuniteteve, tryezë krerësh dhe president konsensual

Partia Socialiste vendosi disa kushte paraprake për zgjedhjen e presidentit konsensual, ku përfshihet reforma zgjedhore dhe heqja e imuniteteve përmes një tryeze bisedimesh mes krerëve të partive, para se të arrihet në një marrëveshje për president konsensual.
Pas një takimi që zgjati më pak se një orë mes Gramoz Ruçit dhe Astrit Patozit në kryesinë e kuvendit, kreu i grupit parlamentar të socialistëve Ruçi deklaroi se ka vënë disa kushte për zgjedhjen e presidentit, të cilat, sipas tij, bëjnë pjesë edhe në detyrimet e integrimit në Bashkimin Europian.
Ruçi deklaroi se ka vendosur katër kushte: Tryezë me krerët e parive, reforma zgjedhore, heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe në fund, zgjedhjen e një presidenti konsensual.
“Jemi në sezon provimesh, ne nuk duhet të mbetemi sërish në provimin për statusin kandidat,” deklaroi Ruçi.
Ngritja e nivelit të negociatave politike dhe krijimi i tryezës së krerëve të partive duket se synon të vendosë në pozita të barabarta Edi Ramën dhe Sali Berishën. Berisha tentoi ta shmangë një negociatë të drejtpërdrejtë me kreun e socialistëve javën e kaluar, kur kërkoi që bisedimet të kryhen në parlament mes krerëve të grupeve parlamentare.
Ndërkohë, sa i përket pikës së dytë, reformës zgjedhore, palët kanë rënë dakord dhjetorin e kaluar për të biseduar për reformë zgjedhore, por komisioni parlamentar i ngarkuar për këtë qëllim nuk arriti të dalë me asnjë propozim konkret pasi maxhoranca shmangu bisedimet dhe dogji afatet ligjore për arritjen e një marrëveshjeje.
Heqja e imuniteteve të zyrtarëve të lartë nga përndjekja ligjore është një kusht tjetër i ndërkombëtarëve, të cilët duket se janë bezdisur nga numri i madh i rasteve të korrupsionit që janë mbyllur nga prokuroria për shkak të pamundësisë për të përndjekur penalisht ministra e deputetë që gëzojnë imunitet parlamentar. Partia Socialiste ka edhe leverdi politike nga heqja e imuniteteve pasi disa deputetë të maxhorancës mund të vihen në përndjekje ligjore në rast se imuniteti i tyre hiqet.
Imuniteti i zyrtarëve të lartë është i sanksionuar në kushtetutë dhe heqja e imunitetit kërkon maxhorancë të gjerë që mund të arrihet vetëm në rast se PD dhe PS bashkojnë votat.
Kushti i fundit i vendosur nga socialistët është zgjedhja e një presidenti konsensual.
Negociatori i Partisë Demokratike Astrit Patozi doli i pakënaqur nga takimi. “Rezervohem të them fjalën e fundit,” tha ai duke komentuar kushtet e vendosura nga Socialistët.
“Pati një të papritur, por kemi vullnetin të mbajmë portën e dialogut të hapur me shpresë se do t’i japim shqiptarëve një president konsesual, por kjo nuk mund të bëhet përmes ultimatumeve,” shtoi ai duke komentuar se kushtet e socialistëve nuk lidhen me çështjen në diskutim.
Ne kishim shkuar në tryezë me mandatin e kryesisë të Partisë Demokratike për të negociuar lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës ndërkohë që pala tjetër kishte ardhur në takim me platformën e Editorialit të kryetarit të partisë së tyre z. Edi Rama e cila është një platformë bllokuese për ta futur në rrugë pa krye procesin dhe për të lidhur të palidhshmen,” tha Patozi.
“U përpoqëm t’i shpjegojmë përfaqësuesve të Partisë Socialiste që Partia Demokratike si forca kryesore e maxhorancës është futur në këtë proces jo për të ndjekur rrugën e shkurtër pasi rrugën e shkurtër ne e kemi, këtë na e lejon marrëveshja e arritur me aleatët tanë që në vitin 2009 po ashtu dhe ndryshimet kushtetuese që bashkërisht i kemi vendosur në vitin 2008 me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Por ne kemi hyrë në këtë proces për ti dhënë vendit një President sa më gjithëpërfshirës dhe sa më konsensual duke pasur parasysh edhe vlerën e shtuar që ai mund të ketë në një rast të tillë. Por ndërkohë u kemi bërë të qartë përfaqësuesve të Partisë Socialiste që në rast se edhe ata do të kenë të njëjtin synim si ne është plotësisht e mundur që ne të arrijmë në një produkt dinjiotoz. Pra, një President sa më konsensual. Por në rast se ata kanë intensione të tjera për të rrëzuar qeverinë dhe gjëra të kësaj natyre sic i ka paralajmëruar edhe z. Rama në editorialin e tij sigurisht ky është një mision tërësisht i dështuar,” shtoi Patozi.
27 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)