Kërkojnë njëzëri rikthimin në punë, e barasvlefshme me atë që kanë pasur
Silvana Muça
Katërmbëdhjetë persona janë futur në grevë urie, me motivacionin se janë shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga puna. Ata janë biznesmenë, drejtorë, punëtorë të thjeshtë apo edhe emigrantë. Janë të moshave të ndryshme, ku një pjesë e mirë janë edhe femra. Në ditën e tretë të kësaj greve, organizatorët kanë vendosur që të rrethojnë me shirita vendin ku janë strehuar grevistët, në mënyrë që qytetarët të mbajnë distancë. Gazeta “Shqip”, ka mundur që të futet në njërën prej çadrave të grevës së urisë, ku qëndrojnë 10 prej tyre, të cilët janë edhe organizatorët e saj. Nën një zë, ata thonë se janë shkarkuar për motive të paarsyetueshme dhe kërkojnë zbatimin e ligjit, duke u rikthyer në punë, qoftë dhe jo në pozicionet e tyre të mëparshme. Gjithashtu, ata shprehen se kjo nuk është më vetëm greva e tyre, por e tetë mijë nëpunësve të shkarkuar në mënyrë të padrejtë. Gazeta ka bërë një profil të shkurtër për 10 grevistët e urisë, të cilët zotohen se do të qëndrojnë aty deri në zgjidhjen e kërkesave të paraqitura kohë më parë.
1.
Nertila Qafëzezi, 28 vjeç, është drejtuesja e grevës së urisë. Prej 5 vitesh ka punuar si specialiste shërbimesh pranë zyrave të punësimit në Tiranë. Ajo thotë se vendin e punës e ka fituar me konkurs dhe është shkarkuar me motivacionin e ristrukturimit të vendit të punës. 28-vjeçarja ka vendosur që të futet në grevë urie, duke lënë dy fëmijë të mitur në shtëpi, njëri prej të cilëve është 18 muajsh. Familja e saj përbëhet nga katër anëtarë dhe bashkëshorti është i papunë.
2.
Olgerta Shkurti, 30 vjeçe, punoi shtatë vite në Drejtorinë Rajonale të Punësimit si specialiste. Thotë se është larguar me motivacionin e ristrukturimit të vendit të punës. Ajo akuzon qeverinë “Rama” se është larguar për motive politike, pasi vendin e saj e ka zënë bashkëshortja e Erion Kokës, kreut të njësisë nr.7, në Tiranë. Në familjen Shkurti, askush nuk punon dhe kushtet ekonomike janë shumë të vështira, pasi ka një familje për të ushqyer. E reja thotë se është njoftuar për shkarkim 10 minuta pasi ka përfunduar orari zyrtar i punës.
3.
Gladiola Bardhoshi, 30 vjeçe, punonte në Drejtorinë e Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve si punonjëse sociale. Kishte vetëm dy muaj që ishte rinovuar kontrata e punës dhe në atë institucion kishte rreth tre vjet që shërbente. Është larguar me motivacionin “çregjistrim si punonjëse e paligjshme”. Ajo nuk është e martuar, por me të ardhurat që fitonte, mbante familjen e saj prej katër anëtarësh.
4.
Vera Picaku, 44 vjeçe. Punonte si inspektore pranë AKU-së në Tiranë. Më parë ka punuar si inspektore në një tjetër institucion. Shkarkimi i saj kishte motivacion “shkelja e parimit të mirëbesimit”, ndonëse ajo pretendon se kurrë nuk ka shkelur ligjin dhe rregulloren. Thotë se i ka dërguar drejtorit dokumentin që është e përndjekur politike dhe pas dy ditësh është shkarkuar.
5.
Artan Murrizi, 44 vjeç. Ka punuar për disa vite në Ministrinë e Drejtësisë, në Drejtorinë e Inspektimit të Prokurorisë. Ka një karrierë 20-vjeçare si punonjës administrate. Në vitin 2009, ka pasur një studio ligjore, duke shërbyer si avokat, por më pas e ka mbyllur dhe ka nisur punë në Ministrinë e Drejtësisë. Pasi ai ka shpallur publikisht se do të futej në grevën e urisë, i kanë hequr nga puna edhe bashkëshorten.
6.
Hastrit Lika, 48 vjeç, ka punuar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, prej pesë vitesh dhe në total ka 18 vite punë. Nuk punon kush në familjen e tij dhe motivacioni i shkarkimit nga puna ishte “shkurtimi i vendit të punës”. Kërkon me çdo kusht që të kthehet në punë, qoftë edhe në një pozicion tjetër, pasi nuk ka të ardhura për të mbajtur familjen.
7.
Petrit Fejzullahu, 47 vjeç. Ka punuar si ekonomist në Drejtorinë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor prej 13 vitesh dhe në total ka 24 vite punë. Thotë se është shkarkuar pa motivacion. Fatmirësisht, bashkëshortja e tij është në marrëdhënie pune, në privat. Familja e tij përbëhet nga katër anëtarë. Ai i bën thirrje Kryeministrit Rama që të bëjë një ballafaqim mes tyre, pasi shkarkimet janë skandaloze. Fejzullahu akuzon drejtorin e tij se ka rikthyer në punë 10 persona të tjerë, ndonëse janë larguar njësoj si puna e tij.
8.
Prikë Vukaj, 48 vjeç. Prej vitesh ai punonte si punëtor gjelbërimi në Ndërmarrjen Nr.2 të Qytetit Studenti. Ai pretendon se është larguar me motivacion krahinor dhe selektiv. Akuzon drejtorin se e hoqi, pasi nuk mbështeti LSI-në në fushatën zgjedhore. Familja e tij përbëhet nga 11 persona dhe askush prej tyre nuk punon. Vëllai që ndodhet në Itali po kujdeset për familjen e Prek Vukajt, duke u sjellë pak para.
9.
Ludovik Berisha, 36 vjeç, me origjinë nga Kosova. Ai ka statusin e emigrantit dhe që prej 2009-s ka punuar si inspektor dhe punonjës i thjeshtë në shërbimin zjarrfikës. Berisha është mjaft i indinjuar me qeverinë. Ai thotë se ka dy kredi për të larë dhe askush nuk punon në familjen e tij. Nëna është e sëmurë dhe ka nevojë për përkujdesje mjekësore, ndërsa babanë e ka invalid. Motivacioni i shkarkimit ishte “pjesëmarrje në aktivitete politike”.
10.
Agron Berisha, prej 7 vitesh punonte si inspektor në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër. Gjithsej ka 20 vite punë dhe ka për të mbajtur një familje prej katër anëtarësh. Motivacioni i shkarkimit ka qenë ristrukturim i vendit të punës dhe mospërshtatje. Ai thotë se nuk do të dalë nga greva e urisë, deri sa qeveria të përgjigjet për kërkesat e tyre.
Takimi me të përndjekurit, Rama
i premton punë Kujtim Kaziut
Kryeministri Edi Rama i premtoi dje punësim një prej të përndjekurve politikë, i cili ishte pjesë e grevës përpara sallës së Kuvendit në kohën kur po mbahej seanca plenare. Teksa Rama doli nga salla, ai u përball me të përndjekurit, të cilët po protestonin në lidhje me këstin e radhës së premtuar nga qeveria. Kreu i qeverisë, mes të gjithë të përndjekurve, zhvilloi një bisedë me Kujtim Kaziun, një ish i dënuar politik, i cili shpesh ka tentuar të vetëdigjet si pasojë e kohës së gjatë që po u duhet qeverive shqiptare të dëmshpërblejë këtë shtresë. I pyetur nga gazetarët rreth bisedës që zhvilloi me Kryeministrin Rama, Kaziu theksoi se ai i kishte kërkuar një punë, për të pasur mundësinë e mbajtjes së familjes së tij dhe Rama ia kishte premtuar gjetjen e saj së shpejti.