Ish-deputeti i PD-së: E djathta alternative do të ketë sukses të madh
Fatjona Mejdini
Ish-deputeti i PD-së dhe ish-drejtuesi i selisë blu, Blerim Çela, deklaroi se dy partitë e reja në vend, Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi, do të kenë sukses të madh në zgjedhje, por ato nuk duhet në asnjë mënyrë të hyjnë në koalicion me dy partitë e mëdha. Në një intervistë për “Shqip”, Çela flet për të djathtën shqiptare dhe kryesisht rolin e madh, që sipas tij, do të luajnë, FRD-ja dhe AK-ja në ndryshimin e pushtetit gjatë zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Sipas tij, PD është tashmë një forcë, që të djathtë ka vetëm emrin dhe sipas tij, do të paguajë në vitin 2013 keqqeverisjen dhe po kështu faktin që është treguar antishqiptare në drejtimin e vendit.
Z. Çela, skena politike brenda së djathtës shqiptare ka nisur të qartësohet, në një kohë kur nga zgjedhjet e ardhshme na ndajnë vetëm 10 muaj. Aktualisht në vend kemi një parti të re si FRD-ja e cila do të drejtohet nga ish-presidenti dhe numri dy në PD, Bamir Topi. Si e parashikoni ndikimin e kësaj force politike në elektoratin e djathtë dhe raportin e votave që mund të krijojë me PD-në?
Futja në skenë e një partie të re të qendrës së djathtë si FRD është domosdoshmëri e kohës, sepse aktualisht PD ka vetëm emrin të djathtë, në fakt, kjo parti, me një histori 22-vjeçare ka dhënë shumë për Shqipërinë dhe demokracinë shqiptare që nga largimi i regjimit komunist e deri në ndërtimin e shtetit juridik të së drejtës me institucione demokratike, të cilat u shkrinë me ardhjen e PS-së në qeverisje, në korrik të 1997-s. Nuk dua të futem në historinë e PD-së, pasi atë e kam trajtuar në librin tim “Deformimi i Partisë Demokratike”, por kjo parti, nga një parti e qendrës së djathtë me demokraci të brendshme në parti, funksionim të statutit e të forumeve të zgjedhura me votim të ndershëm dhe marrje vendimesh në rrugë kolegjiale, u kthye në një parti që nuk përligji programin e saj të djathtë, që nga moskalimi i pronës dhe i tokës te trashëgimtarët, spostimi i pjesës së djathtë të kontribuuesve e intelektualëve demokratë prej saj, mostrajtimi i vazhdueshëm i të përndjekurve politikë me shkollime, strehime e dëmshpërblime, pa përmendur që pjesëmarrja e të përndjekurve politikë në organet partiake e pushtetore të PD-së ka qenë e vogël e vazhdon të zvogëlohet. PD-ja u kthye në një parti ku ligjin nuk e bën statuti e forumet e saj, por kryetari i përjetshëm me një klan të vogël njerëzish rreth tij, të cilët bënë çmos të largonin, apo spostonin pjesën e djathtë të kësaj partie që kritikonin hapur veprimet e shuarjes së demokracisë së brendshme në PD, votimeve të manipuluara, anashkalimin e bazës së partisë në propozime që shpërfilleshin, por edhe mosmbledhja e forumeve vendimmarrëse të partisë sipas statutit, duke e kthyer atë në një parti tashmë jo demokratike dhe as të qendrës së djathtë. Ky është një boshllëk i madh në kahet politike në Shqipëri. Tani bëhet luftë për pushtet midis dy partive të majta PD e PS jo për ide, programe e alternativa të ndryshme. Këtë boshllëk mendoj se do ta plotësojë partia e sapothemeluar FRD e cila aktualisht drejtohet nga zoti Gazmend Oketa dhe një grup intelektualësh të spikatur në politikë, në profesionet e tyre, por edhe nga shumë njerëz që kanë humbur besimin tek PD-ja qoftë në Tiranë, ashtu dhe nëpër rrethe, madje një pjesë e madhe e tyre janë demokratë, jo vetëm të larguar nga PD, por edhe drejtues e anëtarë të thjeshtë në të katër anët e Shqipërisë. Unë nuk jam anëtar i saj, por e simpatizoj dhe e mbështes për të ndryshuar këtë klasë politike, që ka mbjellë vetëm konflikte, korrupsion, krim, uzurpim pushtetesh dhe vonim në marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE. Kjo parti i përket spektrit të qendrës së djathtë dhe do të formalizohet si e tillë jo vetëm nga Ministria e Drejtësisë që e ka njohur, por në radhë të parë nga kongresi i saj i parë, ku kryetari do të zgjidhet me kandidatura alternative dhe mund të jetë edhe zoti Topi. Zgjedhjen e kryetarit të saj do ta vendosin delegatët e kongresit me votim të ndershëm e të fshehtë. Nuk jam dakord që kjo parti të quhet parti e Topit apo Oketës. Kjo është një parti ndryshe nga ajo e Berishës dhe nuk mund të quhet partia e një personi. Siç e thashë dhe më lart, mbështetja e kësaj partie është shumë e madhe, njerëzit kërkojnë ndryshim në politikën shqiptare, dhe këtë nuk mund ta sjellë as PD dhe as PS. Nëse kjo parti, sipas mendimit tim, bën koalicion me njërën prej këtyre partive, do të humbasë besimin e elektoratit si një parti, duke u vënë në rresht pas qerres së asaj partie të madhe me të cilën do të bëjë koalicion. Ky bashkim nuk do të sillte asgjë të re, përveç kolltukut të deputetit, ndoshta edhe të ministrit të drejtuesve të saj. Ky do të ishte një zhgënjim i madh. Më mirë në opozitë se pas qerres së të mëdhenjve dhe akoma më mirë, nëse krijohen kushtet, të kërkohen zgjedhje të reja, derisa kjo parti me aleatët e saj të dalë forcë e parë.
Në skenën politike, rol protagonist po luan dhe Aleanca Kuq e Zi. Mendoni se elektorati i kësaj force politike do të jetë i mjaftueshëm për të arritur përfaqësimin me deputetë në Kuvend?
Aleanca Kuq e Zi është forca e rinisë patriote që e do dhe lufton për Shqipërinë, forcimin e përparimin e saj kudo që jetojnë shqiptarët, për t’i bashkuar ata në një shtet të vetëm, sipas standardeve ndërkombëtare. Sikur vetëm këtë detyrë të kryente kjo parti, do ta justifikonte veten dhe do të mbetej përjetë si një yll i shndritshëm i Shqipërisë etnike. Shumë politikanë thonë që nuk është koha për një gjë të tillë. I pyes kur do të vijë ajo kohë? Me këta politikanë që nuk kërkojnë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, se kanë frikë nga humbja e posteve dhe pushteteve të tyre? Shembujt i kemi dhe janë trajtuar gjerësisht në media që nga falja e detit Greqisë e deri te varret e Kosinës, moshapja e gojës për çështjen çame dhe frika që kanë të kërkojnë hapje konsullatash në Çamëri, siç kanë bërë grekët në Gjirokastër e Korçë. Kjo është kërkuar nga AK me të drejtë, dhe jo për karshillëk, por për reciprocitet. Përse nuk duhet përkrahur kjo parti që kërkon të drejtat tona në rrugë paqësore sipas kartës së Atlantikut për vetëvendosjen e popujve. Aventurierë janë ata që anatemojnë AK-në si parti nacionaliste dhe mbrojnë shtetet fqinje shoviniste. Ne që kërkojmë atë që na kanë rrëmbyer me forcë e padrejtësi që para 100 vjetësh na quakan nacionalistë aventurierë, ata që mbyllin gojën dhe ngrohin xhepat e kolltukët qenkan të arsyeshmit. Fqinjët që na i kanë rrëmbyer, marrin poza të viktimës, por edhe të agresorit duke na kërcëllitur dhëmbët. Ne nuk i kërcëllasim dhëmbët askujt, por duam trojet tona, sipas të gjitha të drejtave ndërkombëtare. Me Kosovën u shemb një mur i padrejtë nga NATO dhe SHBA e BE. Kjo duhet të vazhdojë, por sipas së drejtës ndërkombëtare për vetëvendosje. Partia AK, që nuk dua ta quaj partia e Spahiut, meqë tiparet e saj janë vetëm demokratike, i përket qendrës dhe pranon anëtarësime nga e djathta dhe nga e majta. Ajo ka një program zhvillimor të vendit, të kundërt me atë të dy partive historike, që akoma nuk kanë zhdukur varfërinë, por i shtuan asaj edhe korrupsionin dhe kanë mprehur konfliktet sociale dhe ato politike, në vend që të sillnin paqe e bashkëpunim. Ato janë shkaku i vonimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Mendimi im është se faji kryesor i takon mazhorancës, por mosvotimi i PS më 6 gusht për heqjen e imuniteteve do të ishte një gabim fatal jo vetëm për Shqipërinë, por në radhë të parë për PS-në. Unë nuk kam besim se heqja e imunitetit do të ndihmojë antikorrupsionin. Faktet kanë treguar se dhe atyre që u është hequr imuniteti, kanë dalë të pastër nga gjykatat. Heqja e imunitet duhet bërë se e kërkon BE dhe SHBA, e kërkon pranimi i statusit të vendit tonë kandidat në BE, që do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë dhe të tjera benefite për popullin e thjeshtë. Këto sherre e lagu s’e lagu na kanë prishur shumë punë, prandaj nuk duhen votuar partitë e mëdha.
Në një kohë kur partitë e vogla kanë shqetësime të mëdha për sa i përket futjes në garën zgjedhore pa ndryshimet e kërkuara të Kodit Zgjedhor, FRD dhe AK deklarojnë se nuk do të lidhin aleanca me asnjërën nga dy partitë e mëdha. Mendoni se kjo do t’i penalizojë këto parti në zgjedhje, apo mendoni se ka ardhur momenti për krijimin e një poli (koalicioni) të tretë në zgjedhje?
Lidhja e aleancës së këtyre dy partive me PS ose PD do të ishte fatale për to. Mendoj se këto parti, përveç të tjerave, u krijuan për të larguar nga politika politikanët që u ka kaluar koha, jo për moshë, por për mendësitë totalitare, komuniste dhe uzurpatore të të gjitha pushteteve, duke e kthyer demokracinë në një fasadë të saj me frazeologji, por jo me vepra. Kush e emëron Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Presidentin e Republikës, po anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë? Kandidaturat e paraqitura nga ish-presidenti Topi nuk janë pranuar nga Parlamenti, për arsye të pajustifikuara. Problemi ka qenë se kandidaturat ishin me integritet moral dhe nuk do të pranonin të bëheshin vegla të Berishës, ashtu siç nuk pranoi zoti Topi të kthehej në marionetë të tij. Po të kish ndodhur kjo, sot zoti Topi do të ishte përsëri president, por ai zgjodhi moralin, Kushtetutën, ligjin dhe asnjanësinë në vend të kolltukut. Pra pushteti politik emëron pushtetin gjyqësor. A nuk është kjo një vartësi e tij nga politika, pavarësisht se z. Berisha thotë që pushtetet janë të ndara? Kjo praktikë duhet shkatërruar me një reformim të thellë të drejtësisë e jo të atakohen zoti Topi e zoti Spahiu se na paskan drejtuar keq gjyqësorin. Po kështu për zonjën e nderuar Ina Rama, e cila si prokurori dërgon pretencën për dënime të krimeve kundër shtetit, ndërsa gjykata i fal. Rasti i fundit ishte ai i 21 janarit, për nëpunësin e Kryeministrisë. Kush është përgjegjës përveçse politikanëve që urdhërojnë gjykatat? Koalicioni me ta, për mendimin tim është i pamundur. Vetë nuk jam anëtar i asnjë partie, dua të fitojë e djathta e vërtetë, e cila përfaqësohet në radhë të parë nga FRD dhe ajo e qendrës që është AK e disa parti të tjera që do të lidhen me një koalicion të madh kundër së keqes që ka zaptuar Shqipërinë, kundër absolutizmit.
Nga ana tjetër, duket se PD dhe LSI do të jenë bashkë në zgjedhjet e ardhshme. Si e shikoni këtë aleancë nga pikëpamja elektorale?
Aleanca e PD me LSI ka qenë e panatyrshme që në fillim, por të dy partive u erdhi për shtat në bazë të leverdisë reciproke. Berisha, megjithëse i humbi zgjedhjet e 2009-s me 70 deputetë, u mbështet nga LSI që mbajti në qeveri. Për mendimin tim, PD me punët që bëri në mandatin e saj të parë, e meritonte të kalonte 71 deputetë, por largimi i saj nga baza, anashkalimi i forumeve statusore, grumbullimi i pushtetit në dorën e Berishës dhe të një klani të vogël pranë tij, që pa pyetur për Këshillin Kombëtar vunë në lista jo njerëzit që punuan për PD-në, por miqtë e tyre, lënia pa punë e demokratëve, mostrajtimi i ish të përndjekurve politikë, moskthimi i pronave dhe tokave, shtoi pakënaqësitë në radhët e PD. Kjo bëri që PD të mos kalonte pragun. Lidhja e saj me LSI e thelloi edhe më shumë hendekun midis kryesisë së partisë dhe bazës. Ata që ishin punësuar në 2005–2009 u hoqën nga puna për hatër të LSI-së, shumë detyra drejtuese prekën me mijëra demokratë se u zëvendësuan nga LSI, pa përmendur detyrat e thjeshta. Me ngjarjet korruptive që u panë në TV, njerëzit humbën dhe atë pak besim që kishin në ndershmërinë e udhëheqësve të tyre. Për 2013-n, PD dhe LSI do të marrë votat e nëpunësve të saj dhe të atyre që akoma nuk e kanë kuptuar se ç’po bëhet në Shqipëri. Pra nuk kam besim se PD plus LSI do të fitojnë zgjedhjet e 2013-s. Shpresoj te partitë e reja dhe te mençuria e popullit shqiptar që me rotacion të sjellë forca të freskëta e të panjollosura siç janë FRD e AK me aleatët e tyre. Këto nuk duhet ta marrin lehtë, se duhet punë e madhe organizative në çdo qytet, lagje e fshat.
Si e parashikoni konfigurimin e Parlamentit shqiptar pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?
Unë kam besim të plotë që AK, jo vetëm do të përfaqësohet në Parlament, por në aleancë me FRD dhe parti të tjera që do të bashkohen me to, do të mundin të dalin forcë e parë politike. Mbështetja e tyre është e fuqishme, por të mëdhenjtë duan ta minimizojnë, madje nuk i pasqyrojnë aktivitetet e tyre në TVSH sepse pjesa më e madhe e votave që do t’u bashkëngjiten, do të jenë të krahut të djathtë. Pasqyrimi i këtyre aktiviteteve nuk i pëlqen qeverisë së PD-së, se ajo preket më shumë se sa PS-ja. Parlamenti do të ketë një mazhorancë të FRD e AK me aleatët e tyre që do të krijojnë qeverinë dhe PD, PS dhe LSI do të jenë në opozitë.
“Lidhja e aleancës së këtyre dy partive me PS ose PD do të ishte fatale për to. Mendoj se këto parti, përveç të tjerave, u krijuan për të larguar nga politika politikanët që u ka kaluar koha, jo për moshë, por për mendësitë totalitare”
“Unë kam besim të plotë që AK jo vetëm do të përfaqësohet në Parlament, por në aleancë me FRD dhe parti të tjera që do të bashkohen me to, do të mundin të dalin forcë e parë politike”
Kreu i PSD-së: Duhet rikonfiguruar e djathta shqiptare
Gjinushi: Duhet një front i gjerë pro demokracisë
Kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, e shikon si një zhvillim pozitiv deklarimin e Edi Ramës, për lënien hapur të mundësisë në ndërtimin e një koalicioni me Frymën e Re Demokratike dhe Aleancën Kuqezi. Në këndvështrimin e Gjinushit kjo duhet të kuptohet si krijimi i një fronti të gjerë për të rikthyer demokracinë e konsoliduar në Shqipëri. “Unë e kuptoj më shumë si një thirrje që të gjitha forcat që janë për largimin e kësaj të keqeje për Shqipërinë. Duhet dalluar fronti që synon rivendosjen e rendit kushtetues dhe demokracisë së konsoliduar e gjithçkaje që është shkatërruar nga qeverisja e PD-së këto 7 vjet dhe është një diçka tjetër që pas rivendosjes së rendit dhe largimit të këtij klani, se nuk bëhet fjalë për largimin e këtij klani ekonomik dhe mafioz dhe politik. Pastaj bashkëqeverisja vendoset mbi rregulla të tjera”, tha Gjinushi dje për “Top Channel”. Nëse në 2013-n do të krijohen dy koalicione, një i majtë dhe një tjetër i djathtë, Skënder Gjinushi pohon se një detyrë madhore e koalicionit të djathtë do të jetë rikompozimi i së djathtës shqiptare. “Grupimi i djathtë sigurisht ka rolin e rilindjes të djathtës. Pra fraksionet e krijuara nga e djathta janë krijuar si nevojë e rikonfigurimit të së djathtës sepse e djathta rezulton që nuk është më një e djathtë e mbështetur mbi ekonominë e tregut, është një e djathtë e mbështetur totalisht mbi krimin dhe korrupsionin”, tha Gjinushi.