
Në të majtë Mikel Kasaj gjatë arratisjes dhe në të djathtë efektivët që e ndjekin
Amatoreske dhe pamje që të bëjnë për të qeshur janë ato të arratisjes së paradites së sotme nga ambientet e Gjykatës së Vlorës, por në të vërtetë zhdukja e beftë e të dënuarit për rrëmbim Mikel Kasaj ka vendosur në alarm strukturat e policisë në qytetin bregdetar.
Kaso, të cilit iu ul dënimi nga 5 në 3.4 vite nga gjyqtari Skënder Haluci, njëkohësisht kreu i Gjykatës së Vlorës, iu largua këtij të fundit para syve vetëm pak çaste pasi i kishte komunikuar vendimin.
Në videon e kamerave të sigurisë, që po qarkullon në rrjet, Kaso shihet sesi vrapon jashtë oborrit të gjyaktës, ndërsa prapa tij vihen me vrap punonjës të forcave të rendit.
Arratisja e 29-vjeçarit detyroi gjyqtarin Haluci të shprehte shqetësimin për mungesën e parametrave të sigurisë në Gjykatën e Vlorës, ndërsa uniformat blu janë mobilizuar maksimalisht për gjetjen dhe ndalimin e tij.
Në fotot që vijnë nga Vlora shihet sesi policia po kontrollon çdo automjet në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit.
Ndërkohë policia ka marrë masat duke shoqëruar edhe tre efektivë të policisë së burgjeve, të cilët ndodheshin në sallën e gjyqit për ruajtjen e të dënuarit.
Ata kishin për detyrë shoqërimin e Kasos, por nuk e shmangën incidentin. Prokuroria ka nisur hetimet për për ngjarjen.
23 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)