Zbulohet vendimi i Komisionit të Sigurisë dhe letrat e Demit ndaj Imamit


Gazeta “Shqip” disponon disa korrespondenca të realizuara midis kryekomisionierit Leonard Demi dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami


BLEDAR HOTI


Partia Socialiste do të bëjë një kallëzim penal ndaj Kryeparlamentares Jozefina Topalli për moszbatim të vendimit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë për mbikëqyrjen parlamentare ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, deputetë të opozitës, bëjnë të ditur se pas “padijenisë” së Topallit për vendimet dhe shkresat e kryekomisionerit Leonard Demi drejtuar ministrit Imami, është “mbushur kupa” që t’i drejtohen organit të akuzës për pengimin e ushtrimit të këtij kontrolli parlamentar. Komisioni Parlamentar i Sigurisë nga ky bllokim i mazhorancës ka dalë jashtë kontrollit dhe funksionimit të tij. PS, të vetmen mënyrë, e sheh që të përdorë dhe kartën e denoncimit të zyrtarëve që e bllokojnë zbatimin e ligjit dhe të vendimit të komisionit kuvendor. Mes deputetëve të opozitës të Komisionit të Sigurisë është diskutuar një nismë e tillë dhe pritet që së shpejti të konkretizohet duke iu drejtuar organit të akuzës. “Komisioni ka të drejtë të marrë në pyetje, të bëjë pyetje, të marrë përgjigje, të bëjë interpelanca dhe, po të dëshirojë, të bëjë edhe mocion. Komisioni ka të drejtë, në qoftë se mbledh të gjitha firmat për të mbështetur kërkesën, të më sjellë mua kërkesë për të ngritur komision hetimor. Kjo nuk ekziston. Nuk ka ardhur. Nuk ka ndodhur”, tha Topalli në një intervistë të fundit televizive. Kryeparlamentarja bëri të ditur se opozita duhet të ngrejë komision hetimor ose t’i drejtohet prokurorisë për faktet që ka ndaj Imamit. Çështja e bllokimit antiligjor nga mazhoranca u ngrit dhe dje në seancë nga deputeti i PS-së, anëtari i Komisionit të Sigurisë, Piro Lutaj. “Votova kundër këtij projektligji, sepse ju zonja Topalli keni bllokuar mbikëqyrjen parlamentare. Kam dy zarfe, një për ju dhe një për zotin Kryeministër dhe do t’jua lë me vendimet e Komisionit të Sigurisë për mbikëqyrjen parlamentare”, u shpreh socialisti Lutaj. Ndërsa Topalli iu përgjigj se “zarfet dërgoi në protokoll”.


Letrat e Demit


Gazeta “Shqip” disponon disa korrespondenca të realizuara mes kryekomisionierit Leonard Demi dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. “Zoti ministër, më datën 18 maj 2012, Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi planin e seancave dëgjimore dhe të mbikëqyrjes për Ministrinë e Mbrojtjes, si zbatimi i ligjit ‘Për gradat’, 2012-2011; ‘Për Forcat e Armatosura’; ‘Për Buxhetin e vitit 2011’; ‘Për veprimtarinë e SHIU-t, 2011’, si dhe ‘Për Planin e përhapjes së FA-së’, ‘Kapacitetet Operacionale’; ‘Veprimtarinë e MEICO-s 2011’, si dhe plotësimin e detyrave të vëna nga ATC 2011. Deputetët Babasi, Bizhga, Çuko, Dogjani, Gjoni, Hasa, Hoxha, Lutaj, Maliqi, Ngresi, Paluca, Prenga, Qefalia, Skuqi, Sterkaj, Turku dhe Uldeda ndjekin këtë veprimtari”, thuhet në shkresën e datës 6 qershor, e firmosur nga Demi në adresë të ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Gazeta “Shqip” disponon edhe vendimin e firmosur nga kryekomisioneri Leonard Demi, i marrë më 18 maj ku përcaktohet mbikëqyrja parlamentare. Në çdo kontroll të deputetëve të opozitës në Ministrinë e Mbrojtjes, mësohet se ministri Imami është vënë në dijeni paraprakisht nga vetë kryekomisioneri Demi. Ajo i përket datës 22 qershor të këtij viti. Ndërkohë që mazhoranca trumbeton me të madhe se Komisioni i Sigurisë nuk ka marrë ndonjë vendim për mbikëqyrjen parlamentare.


 


Leonard Demi


Kryekomisioneri Leonard Demi, prej kohësh njoftoi ministrin Arben Imami për vendimin e marrë për mbikëqyrjen parlamentare. Për këtë ekzistojnë shkresat e firmosura nga Demi, të nisura për ministrin