Debate të ashpra PD-PS për Haki Mustafën dhe Endrit Rekën


BLEDAR HOTI


Zgjedhja e kandidatëve për kreun e KQZ-së rikthen përplasjet mes demokratëve dhe socialistëve. Debate të ashpra janë zhvilluar për faktin se dy të përzgjedhurit e PD-së, Haki Mustafa dhe Endrit Reka për socialistët nuk i plotësojnë kriteret ligjore. Debatet kanë qenë të ashpra aq sa PD-ja ka bojkotuar mbledhjen, duke  lënë të nënkuptohet se nuk tërhiqet nga përzgjedhja e 4 kandidaturave që kanë marrë më shumë vota Marsida Xhaferllari, Haki Mustafa, Endrit Reka dhe Lefterije Lleshi me 14 vota, ndërsa dy të tjerët Saimir Vishaj dhe Kristaq Kume morën 9 vota secili.


Katër parët u votuan në bllok nga deputetët e PD-së, ndërsa Kume dhe Vishaj u votuan nga deputetët socialistë. “Automatikisht do të thotë që ata nuk mund të jenë në këtë listë, pra përjashtohen. Duhet t’i ofrohen komisionit katër emra, por që plotësojnë kriteret nga të cilët zgjedh ky komision dhe është e papranueshme nëse do të jetë kështu, sepse ky komision do të shkelte rëndë ligjin”, deklaroi socialisti Xhafaj. Sipas tij, Reka nuk plotëson kriterin ligjor të nenit 15, c, “të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjetësh punë”. Ndërsa Mustafa, sipas PS-së, u deklarua vetë se ka qenë në strukturat e PD-së, duke shkelur kriterin që “të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit”. Mustafaj ndërkohë është kreu i minibashkisë numër 11, i zgjedhur si kandidat i PD-së në zgjedhjet e fundit lokale. Vetë ai deklaroi në seancën dëgjimore se “kam qenë dhe jam në një pozicion politik. Sot unë konsideroj që duhet të jesh në strukturat drejtuese dhe se çfarë ka njeriu është tjetër gjë. Unë në strukturat drejtuese të partisë nuk jam. Për sa kohë unë kam qenë i zgjedhur, ju garantoj se kam bërë vetëm detyrën. Deri në çfarë viti kam qenë anëtar partie? Po deri në 2003, po më ndihmon zotëria”. “Gracka” e PS-së ka acaruar mazhorancën, e cila ka nisur fajësimet se opozita kërkon bllokimin për shkak të mosmarrjes së statusit të vendit kandidat në BE. “Në vlerësimin e anëtarëve të gjithë këta persona që kanë marrë vota kanë plotësuar kushtet ligjore që parashikon kodi. Nëse ndonjëri për ndonjë motiv që ju e dini, nuk ju pëlqen, ky është problemi juaj. Kjo është një lojë evidente për të bllokuar procedurën, për t’u imponuar në kundërshtim me rregulloren. Ndoshta ne do të presim të kalojë 10 tetori se atë keni merak. Shkoni e ndajeni atje te  partia vetëm na thoni: Do ta zhbllokoni apo do ta mbani të bllokuar. Si e doni ju më vlla procedurën”, tha Rusmali. Xhafaj nga ana e tij, replikoi me Rusmalin duke shtuar se “ne e duam si ta ketë ligji, zbatoni procedurën”. Kjo nënkuptonte se PS-ja kërkonte eliminimin e dy kandidaturave Reka dhe Mustafa, duke përfshirë në listën e përzgjedhjes katër emrat Xhaferllari, Lleshi, Vishaj dhe Kume. Por PD-ja u mbrojt duke shtuar se Reka ka eksperiencë pune në OKB në Kosovë. Debati ishte aq i ndezur sa që deputeti i PD-së, Luan Skuqi u shpreh se “kështu unë dua të votoj kandidatët në kundërshtim me ligjin”. Kryekomisionieri Rusmali ndërpreu mbledhjen, duke theksuar se PS-ja duhet të zgjedhë katërt emrat për votim.


 


Tabela e votat të kandidatëve



  • Marsida Xhaferllari 14 vota

  • Haki Mustafa 14 vota

  • Endrit Reka 14 vota

  • Lefterije Lleshi Luzi 14 vota

  • Saimir Vishaj 9 vota

  • Kristaq Kume 9 vota


 


Ka punuar në Kosovë me Bashën


Reka, kandidati i favorizuar përballë Lleshit


Endrit Reka shihet si një nga kandidatët potencialë të marrjes së postit të kreut të KQZ-së. Burime pranë mazhorancës bëjnë të ditur se ai shihet si preferuari i Kryeministrit Sali Berisha. Por një kandidate potenciale shihet dhe Lefteri Lleshi. Ajo gëzon mbështetjen e fuqishme të nënkryetares së PD-së, kryeparlamentares Jozefina Topalli. Reka punuar prej vitesh në Kosovë, si përkthyes i ndërkombëtarëve te Gjykatat e Prishtinës dhe Mitrovicës. Ai ka mbaruar shkollën për gjuhë të huaj, anglisht dhe aktualisht është drejtor ekzekutiv i fondacionit “Civitas”. Ai prej 10 vitesh nuk ka punuar asnjëherë në administratën shtetërore. Sipas burimeve Reka është një i njohur i kryebashkiakut aktual, Lulzim Basha, por edhe një prej fëmijëve të Kryeministrit Argita Berisha. Ndërsa Lefteri Lleshi, drejtore juridike e Kuvendit, njëherësh dhe anëtare e KLD-së, është e preferuara e Topallit. Kryeparlamentarja po lobon fuqishëm për zgjedhjen e anëtares së KLD-së. Seanca dëgjimore me 18 kandidatët për kreun e KQZ-së dhe 6 anëtarët partiakë nisi që në ora 09.00. Vetëm dy pretendentë për kreun e KQZ bojkotuan seancën dëgjimore.


Seanca përfundoi në ora 14.30 dhe ajo u shoqërua me batuta humori me kandidatët, me debate dhe ironi mes deputetëve.