Policia ka arrestuar edhe 3 persona të tjerë për bllokimin e rrugës në zonën e Unazës së Re, duke e çuar në 6 numrin e të arrestuarve në dy ditët e fundit, pasi tre persona të tjerë u vunë në pranga 2 ditë më parë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, arrestuan në flagrancë për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Prishja e qetësisë publike" dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", shtetasit:

E.F., 27 vjeç; R. D., 54 vjeç dhe  T. Gj., 56 vjeç (të tre banues në rrugën "Teodor Keko" në Zonën e Unazës së Re).

Këta shtetas në rrugën "Teodor Keko" në zonën e Unazës së Re, kanë organizuar e zhvilluar një tubim të paligjshëm dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor në të dyja drejtimet e rrugës "Tedor Keko".

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, pjesëmarrës në bllokimin e rrugës në zonën e Unazës së Re.