Tensioni
Fushata përshkallëzohet. Në Elbasan dhe Tiranë, qeveria përdor punonjësit e shtetit për të bërë presion
“Në tri javët e fundit, një grup terrorist, taksambledhësish, tatimorësh, kryesisht të ardhur nga Tirana, kanë gjobitur në përmasa të paimagjinueshëm”
Kërkesat – Bizneseve u është kërkuar që të kontribuojnë qoftë në vlerë monetare, por edhe në aksesorë, ku përfshihen: prodhimi i kapeleve, flamujve, posterave, pankartave etj. Por, nga ana tjetër, bëhet me dije se bizneset të cilat nuk do bashkëpunojnë në këtë drejtim, janë kërcënuar nga tatimorët me mbyllje”
Me nisjen e fushatës elektorale përshkallëzohet tensioni dhe përplasja mes dy palëve. Ndërsa denoncohen incidente deri edhe të rënda, nga ana e opozitës ka pasur akuza për një fushatë gjobash duke përdorur tatimorët kundër bizneseve dhe subjekteve që nuk kanë shprehur besnikëri ndaj mazhorancës.
Elbasan
Ben Blushi, nr. 1 i listës së PS-së në Elbasan, ka akuzuar tatimorët se kanë gjobitur në shuma marramendëse biznesin elbasanas me prapavijë të theksuar politike. “Dua të ngre një shqetësim mbi biznesin. Në tri javët e fundit një grup terrorist, taksambledhësish, tatimorësh, kryesisht të ardhur nga Tirana kanë gjobitur në përmasa të paimagjinueshme. E thashë që ky qytet është i papunë dhe e vetmja mundësi është përkrahja pa kushte e biznesit. Kam takuar biznesmenë që ankohen për gjobat që kanë marrë në 2-3 javët e para. Nga përllogaritjet që ne kemi bërë janë vënë të paktën 20 milionë euro gjoba vetëm në Elbasan. Nuk janë gjoba të merituara, janë gjoba të pamerituara, pjesa dërrmuese e tyre. Ne kemi premtuar se të gjitha gjobat që janë vënë pas marsit të këtij viti do të falen. Unë dhe kolegët e mi ndihemi të dëshpëruar, pasi për fat të keq Elbasani mbetet sot një ndër qytetet më të varfra për shkak të investimeve të munguara, për shkak të problemeve që kanë zonat periferike, për shkak se fshati është më i varfër se kurrë. Kjo na jep ne më shumë përgjegjësi për t’i bërë premtimet e duhura duke mbajtur përgjegjësi për gjithçka ne premtojmë”. Në fjalën e tij Blushi është përqendruar në programin e PS-së, i cili, sipas tij, është përqendruar për të luftuar papunësinë. Sipas tij papunësia është armiku aktual më i madh i shqiptarëve e sidomos në Elbasan, një qytet që numëron mbi 30% të popullsisë së aftë për punë si të papunë. Mjaft e shprehur kjo dukuri, sipas Blushit, është tek të rinjtë. “Takoj çdo ditë vajza dhe djem deri në 35 vjeç, akoma nuk kanë pasur fatin e madh të punojnë. Kjo është një plagë që duhet të marrë fund në Elbasan”. Më pas, ai është përqendruar tek korrupsioni në administratë, e cila është mbushur sipas tij me militantë të paaftë partie dhe që janë kthyer në ryshfetçinj. Edhe Universitetin e Elbasanit ai e ka konsideruar si një fole të mbushur me militantë.
Sponsorizimet
Biznesi në të gjithë vendin po ndien përherë e më shumë trysninë e paligjshme dhe abuzive të organeve policore, qofshin këto të rendit publik, ndërtimit dhe ato tatimore në këto ditë të para të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Ditët e fundit, organet tatimore kanë filluar një sërë kontrollesh dhe rikontrollesh të paligjshme mbi bizneset e vendit, duke i përzgjedhur ato në bazë të interesave politike dhe monopoliste të qeverisë “Berisha”, me qëllimin e vetëm sigurimin e fondeve të nevojshme për fushatën elektorale. Të ngarkuar për mbikëqyrjen e këtij “aksioni” tatimor, mësohet se janë të gjithë krerët e njësive vendore të Partisë Demokratike, të cilët do të bëjnë të mundur mbledhjen e kontributeve për fushatën nga të gjitha bizneset. Nisur nga kjo, burime pranë mazhorancës theksuan dje për “Shqip”-in se shefat e shtabeve elektorale janë ngarkuar për të evidentuar kontributin e secilit nga bizneset që ndodhet në zonat e tyre elektorale. Nga të njëjtat burime mësohet se këta shefa do të hartojnë një listë me të gjithë emrat e biznesmenëve, të vegjël, të mesëm, apo edhe të mëdhenj, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre qoftë financiar, qoftë dhe material, që do t’i shërbejnë partisë në pushtet gjatë këtij muaji të fushatës. Dhe në përfundim të çdo jave, listat e hartuara nga shefat elektoralë do t’u dërgohen degëve të PD-së të njësive përkatëse vendore. Konkretisht, mësohet se bizneseve u është kërkuar që të kontribuojnë qoftë në vlerë monetare, por edhe në aksesorë, ku përfshihen: prodhimi i kapeleve, flamujve, posterave, pankartave etj. Bëhet me dije se bizneset të cilat nuk do bashkëpunojnë në këtë drejtim, janë kërcënuar nga tatimorët me mbyllje të aktiviteteve pas mbarimit të zgjedhjeve, në rast fitoreje të së djathtës. Edhe pse nuk ka një shifër të caktuar nga PD-ja për kuotën e caktuar për bizneset në fjalë, me këto të ardhura PD-ja synon që të mbulojë shpenzimet e mëdha për fushatën e 23 qershorit, duke përdorur këto instrumente të administratës fiskale, në shkelje haptazi të ligjit mbi procedurat tatimore.
Bardha Nergjoni
Herion Messi
Legalizimet
Vlorë dhe Kamzë, prona në këmbim të votës
Partia Demokratike, gjatë kësaj fushate, ka nisur dhe përdorimin e ALUIZNI-t duke ofruar legalizime për pronat e zgjedhësve, në këmbim të votës së tyre. Precedenti më i fundit është ai në Qarkun e Vlorës, ku banorët e Ksamilit akuzuan dy ditë më parë ish-kreun e komunës, aktualisht drejtori rajonal i legalizimeve në rrethin e Sarandës, Vesel Koçiu, i caktuar në listën e kandidatëve për deputetë nga PD-ja në Qarkun e Vlorës. Koçiu mësohet se ka nisur fushatën duke përdorur postin e tij administrativ, ku i mbështetur nga drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Astrit Kollozi, po ribën procesin e legalizimit të ndërtimeve informale në Komunën e Ksamilit dhe po shpërndan certifikata pronësie në mënyrë të paligjshme. E njëjta situatë paraqitet edhe në Qarkun e Tiranës. Dy ditë më parë, kryebashkiaku i djathtë i Kamzës, Xhelal Mziu, deklaron se bashkia që ai drejton ka përfunduar matjet në terren për 2900 pasuri të paluajtshme në Kamzë, dhe tashmë Bashkia e Kamzës, duke u bërë thirrje qytetarëve të dorëzojnë brenda muajit dokumentacionet e pronësisë, thekson se ka nisur regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme. E gjitha kjo po zhvillohet me qëllim maksimalizimin e votave, pasi kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu është drejtuesi i fushatës të PD-së në zonat përreth.