Qëndrimi
Deputeti i PS-së: Me Metën na bashkon çështja e presidentit në një proces sipas ndërkombëtarëve”
Deputeti i PS-së, Ben Blushi, ka deklaruar se qëndrimi i kryeministrit Sali Berisha për kandidaturën e liderit historik të PS-së, Fatos Nano i mbylli derën për të hyrë në Presidencë. I ftuar në emisionin “Fakt”, anëtari i Kryesisë së PS-së, Blushi i njohur si kritizer i kryesocialistit Edi Rama, për veprimet e tij, ka mbështetur lëvizjen për të takuar kreun e LSI-së, Ilir Meta. “Takimi nuk është një marrëveshje, por aktualisht me LSI-në na afron çështje e presidentit, pasi Ilir Meta e mendon njësoj si ne dhe ndërkmbëtarët procesin”, tha Blushi. Më tej ai theksoi se “takimi mes Ramës dhe Metës një “deal” marrëveshje, akoma nuk është një marrëveshje, padyshim ka një joshje për të arritur një marrëveshje. Për çfarë? Për presidentin padyshim. Më parë kjo mund të ndodhte sepse nuk kishte kontekst. Ilir Meta kërkoi një përqasje tjetër për shkak të kodit zgjedhor, e nëse unë them se bëmë mirë ose keq atëherë nuk ka më vlerë, pasi humbëm zgjedhjet, ndoshta dhe për këtë arsye. Pra sepse ne nuk arritëm dot të bënim një marrëveshje me partitë e tjera, po ashtu me LSI-në. Ne i kërkuam Metës të ishte me ne në 2009, por padyshim refuzoi dhe shkoi në qeveri”. Socialisti ka kontestuar në mënyrë absolute një president që vjen nga kupola e PD-së. “Ne kundërshtojmë në parim atë që zoti Berisha pohon, kundërshtojmë një president ekskluzivisht të PD-së. Pra nuk negociojmë për një president të PD-së, apo të kupolës së PD-së, siç ishte rasti i vitit 2007. Përjashtojmë çdo kandidat për një president të njëanshëm”, tha ai. Blushi nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të prerë pyetjes nëse propozohet nga PD emri i kreut të LSI-së, Meta si kandidat për president. “Jemi për një proces në tavolinë, për tu ulur dhe folur në tavolinë dhe për të gjykuar për emrat. Për sa kohë i kemi kërkuar të ulemi në tavolinë me Ilir Metën dhe Sali Berishën, për të cilën sa kohë që e kundërshton edhe vetë Meta një propozim të tillë ne e kundërshtojmë. Një proces që nuk sjell edhe palë të tjera, ne e kundërshtojmë”, theksoi anëtari i Kryesisë së PS-së. Blushi se nëse presidenti zgjidhet me 71 vota, me precedentin e 2007-ës, pa LSI-në, atëherë i bie që mazhoranca ka rënë numerikisht. Ai thekson se PS është i gatshëm për të bashkëpunuar për të arritur 71 vota dhe për të rrëzuar Berishën nga pushteti. “Nëse Meta ikën nga qeveria Berisha ne jemi të gatshëm ofrojmë në koalicion dhe në qeveri, por nuk mund të them se do të ishte një kryeministër. Nëse ky koalicion nuk e zgjedh presidentin me 71 vota, ai ka rënë. Padyshim që ne e pranojmë Ilir Metën, nëse Ilir Meta del nga qeveria, për arsyen e tij, nëse del nga qeveria për arsyen e tij e ka vullnetin e mirëkuptimin, qetësinë e prespektivën për të ndërtuar një aleancë me ne, jo për emra por me program”, tha Blushi. Ndërsa e cilësoi si të papranueshme idenë se Meta mund të bashkojë votat me opozitën për një president me 71 vota dhe njëherësh mund të mbajë në këmbë qeverinë “Berisha”. Për një kandidim për ish-kreun e PS-së në presidenti, Blushi theksoi se “kjo gjë po rezulton çdo ditë me e pamundur jo për arsyet tona, sepse Berisha tha sot se unë do të tentoj të gjej një president nga PD dhe të djathtë, kjo gjë e përjashton zotin Nano”. Ndërsa nuk ka ngurruar që të cilësojë se bojkoti dhe greva e opozitës ndikuan në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat.