ben-blushiDeputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi në fjalën e tij nga foltorja e kuvendit lëshoi një lumë kritikash në drejtim të qeverisë dhe qeverisjes së rilindjes që sot bën 1 mijë ditë në pushtet. Ai tha se Rama ka bindur përkohësisht Metën se nuk do ta fusë në burg vetëm për të vijuar aleancën e përbashkët në pushtet.


Sipas Blushit, nuk mund të shënohej më i shëmtuar 3-vjetori i kësaj qeverie se sa me aktin normativ për shkurtimet në buxhet që shkurton shpenzimet publike dhe vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve.


Blushi i mori me radhë të gjithë sektorët, duke nisur nga ekonomia, që sipas tij në tre vjet nuk është rritur as sa gjysma e premtimit me të cilin kjo qeveri kishte ardhur në pushtet tre vjet më parë, e deri tek niveli i lartë i papunësisë dhe varfërisë në vend, që sipas tij janë pasojë e keqqeverisjes.


“A mund të thuhet për ju se në 3 vjet keni hapur ndonjë vend pune? Keni hapur më shumë vende jashtë se në Shqipëri, se shqiptarët kanë ikur nga vendi me mijëra drejt Gjermanisë e Francës. Ka apo s’ka varfëri në Shqipëri? Rilindja është alergjike ndaj kësaj teme; sipas tyre varfërua është një gjë që s’ekziston. Sa të varfër keni nxjerr nga varfëria? Nuk e pranoni. 400 mijë shqiptarë jetojnë me 400 lekë të vjetra në ditë dhe 500 mijë pensionistë me 100 euro në muaj”, tha Blushi.


E vetmja gjë për të cilën ka meritë kjo qeveri sipas Blushit; është vokacioni për të krijuar evokacion.


“Evokacion të thotë të krijosh apo për të thirrur një shpirt në një rit kult. Këtë ka bërë rilindja çdo ditë; ka thirrur fantazmën e Saliut kudo dhe kurdo. Sa herë një gjë nuk shkonte mirë, rilindja thërriste fantazmën e Saliut”, tha Blushi.


Blushi më tej tha se kryeministri Rama futi në burg qytetarët e thjeshtë dhe nxori prej andej shokët e tij: “Nxori shumë shokë nga burgu Edi Rama, shumë deputetë, kryetarë bashkish, njerëz që kishin vrarë, përdhunuar, këta i nxori nga burgu. U mor, pra, seriozisht me këtë çështje, dhe këta deputetë janë sot aq të lirë, mbasi vranë e përdhunuan sa erdhën këtu e votuan reformën në drejtësi për ti dhënë një dimension të mirë dhe shumë të shijshëm reformës  në drejtësi ashtu si ndërkombëtarët e prisnin”.


Deputeti i përjashuar nga grupi parlamentar i PS-së, deklaroi se Rama ka bindur përkohësisht aleatin e tij Meta se nuk do ta fusë në burg: “Por Edi Rama nuk bëri vetëm kaq kur u mor me këtë punën e burxheve për 400 ditë. Bëri më shumë. Me bindjen se burgu i shërben për të nxitur reformat gjatë këtyre 400 ditëve punë të pamohueshme, në shërbim, të shërbimit të burgjeve në Shqipëri, ai ka arritur të bindë edhe një njeri që s’e ka në plan përkohësisht ta fusë në burg. Ky njeri është Ilir Meta. Dhe këtë premtim besoj se Edi Rama do ta mbajë të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme. Deri në ditën kur rilindja të hyjë në zgjedhje, megjithatë ky nuk është më problemi im. Isha këtu për t’u kujtuar se kush është bilanci i Rilindjes në këto 3 vjet”.


8 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)