Reagon sekretari organizativ, Klosi: Do të votohet në 385 qendra Votimi
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, dy ditë para mbajtjes së referendumit në parti për mandatin e kryetarit të saj, ka hedhur sërish akuza për trukim të rezultatit, kjo pasi sipas tij, PS nuk ka asnjë listë zyrtare të votuesve që do të marrin pjesë në votim. Duke marrë shkas nga skandali i “Panama Papers” bëri një paralelizëm duke akuzuar përsëri Edi Ramën për një referendum të trukuar. “Palës që është kundër referendumit i takojnë vëzhgues. Vëzhgues nuk na janë dhënë ndaj u them të gjithë socialistëve që të kalojnë në vëzhgues amatorë apo profesionistë, të rrinë para çdo qendre votimi për të monitoruar pjesëmarrjen, pasi pjesëmarrja do të trukohet dhe sigurisht për të numëruar rezultatin final, pasi edhe ai do të trukohet. Ky referendum është “PaRama Papers”, pra jo “Panama Papers”, por “PaRama Papers”. Këto janë letrat e falsifikuara të Edi Ramës brenda PS-së për të grabitur një mandat”, tha Blushi. Kështu, dy ditë para nisjes së referendumit të Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi i ka kërkuar të gjithë specialistëve që të monitorojnë procesin e votimit, pasi sipas tij është dhe do të jetë i trukuar. “Thirrje specialistëve që me çdo formë e me çdo mjet, të bëjnë ç’është e mundur të monitorojnë referendumin të shmangin manipulimin. Të kthehen në sy brenda kutive të votimit, se po përgatitet një manipulim i madh”, tha Blushi. Sipas deputetit ka mungesë transparence në listat e atyre që do të votojnë dhe se PS është kthyer në 400-500-600 që do të thotë 500 morën pjesë 400 votuan dhe 600 fleta rezultuan në fund, e sipas Blushit, një gjë e tillë ndodhi në Pogradec. “Pyetja është sa anëtarë ka Partia Socialiste 81 mijë, 94 mijë sa erdhën në Kongres, apo 150 mijë sa do donte Edi Rama të kishte. Pse? Sepse: Listat e zgjedhësve s’janë publike, s’e di ku janë. Pse lista e zgjedhjeve aty duhet të jetë në FB personal. Palëve kundër referendumit i duhen vëzhgues të mirëfilltë. Rama do mbahet mend se thotë që 6% e popullsisë qenkan anëtarë të PS. Sa veta marrin pjesë në votime. Kanë ulur listën në gati 13 mijë veta ç’ka rrit dyshimet për një trukim të plotë të rezultatit. Doni fakte? Po ju them 400-500-600 në Pogradec. Kanë qenë 500, morën pjesë 400 dhe në kuti dolën 600 fletë votimi”, deklaroi Blushi nga oborri i Parlamentit. Ndërkohë që sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, ka hedhur poshtë pretendimet e Blushit se referendumi i së shtunës do të zhvillohet pa lista, e si pasojë do të prodhojë parregullsi. “Në 385 qendrat e votimit ku do të zhvillohet ky referendum janë ngritur komisionet zgjedhore, ka vëzhgues dhe përfaqësues nga gjithë strukturat e partisë. Votimi dhe numërimi do të jetë transparent, po ashtu votimi do të jetë nën syrin e të gjitha mediave dhe vëzhguese që janë caktuar tashmë. Sa i përket transparencës, në çdo qendër votimi janë afishuar listat me mbi 81 mijë anëtarët e PS. Janë lista për të gjitha ata që kanë qenë të regjistruar deri në 31 dhjetor të vitit paraardhës”, tha Klosi.