Deputetë të Partisë Demokratike kanë vijuar sot bashkëbisedimin me tregtarët të tregut Çamë, në njësinë bashkiake numër 10, për të diskutuar çështje në interes të tyre siç janë reformat fiskale, apo premtimet e shumta që vijnë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani u shpreh se ky takim bëhet në kuadrin e fushatës për sensibilizimin: “për një nga deklaratat më të papërgjegjshme që keni dëgjuar deri tani të zotit Rama për taksën zero, për biznesin e vogël”. Bogdani theksoi se kryesocialisti Rama sheh me realitetin dhe optikën e tij të shtrembër dhe të errët.
Sipas tij pavarësisht vështirësive ekonomike dhe pavarësisht vështirësive që kanë vendet e tjera të Evropës, Shqipëria vazhdon që të qëndrojë stabël dhe vazhdon që të avancojë përpara. “Nuk mund të ketë ndonjë vend të ekonomisë së tregut të lirë, biznese që nuk paguajnë taksa, të gjitha bizneseve të vogla, sepse ndryshe do t’i hapej rrugë konkurrencës së pandershme dhe evazionit fiskal. Pra edhe njëherë këto mbeten në kuadrin e shashkave elektorale. Realiteti është ky, që sot taksat dhe tarifat në Tiranë janë reduktuar dhe taksat janë përgjysmuar”-,tha Bogdani.
6 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)