Partia Demokratike përsëriti sot thirrjen për kreun e PS-së, Edi Rama, që të votojë tre ligjet që po mbajnë peng marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë për në BE.
Deputeti demokrat Gerti Bogdani, nëpërmjet një deklarate për shtyp tha se shqiptarët për 224 ditë kanë dëgjuar mashtrime dhe justifikime absurde të njëpasnjëshme nga lideri socialist për të mos votuar tre ligjet, ndërkohë që Kryeministri Berisha është shprehur gjithmonë, pas çdo justifikimi dhe kundërshtimi, i gatishmëri qe t’i votojë ato në çdo ditë që Rama vendos të heqë dorë nga bllokimi i tyre për qëllime personale.
Sipas Partisë Demokratike, “është fare e qartë që për Ramën dëmtimi i interesit të vendit dhe të shqiptarëve nuk ka asnjë rëndësi para delirit të tij të bllokimit për interesa personale.”
“Ndryshe nga Rama, për Berishën dhe Partinë Demokratike, shqiptarët dhe Shqipëria janë të parët, ndaj, edhe njëherë, ashtu si 224 ditë me radhë, duke i bërë apel të përsëritur Edi Ramës, e ftojmë të sjellë në parlament deputetët e tij ditën që do të caktohet për votimin e tre ligjeve si dhe të votojë amnistinë që bllokoi njësoj si tre ligjet”, – tha Bogdani.
23 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)