I dyshuari i vrasjes, Ardian Ndreka, bie në pranga pas dy orësh në banesën e tij


Dy dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë thënë se të tre po debatonin brenda makinës për një borxh


Policia mendon se mes vëllezërve dhe autorit të dyshuar të ngjarjes ka pasur mosmarrëveshje biznesi


Sqarimi për një borxh 30 mijë euro në biznes i ka marrë jetën mbrëmë një biznesmeni, ndërkohë që ka mbetur i plagosur rëndë vëllai i tij, i cili në orët e vona të natës, ka kaluar në vdekje klinike dhe nuk kishte shpresa për jetën e tij. Dy vëllezërit beratas, të cilët banonin në kryeqytet prej vitesh, janë qëlluar nga i njohuri i tyre, me të cilin po udhëtonin bashkë në makinën e të plagosurit, për të diskutuar mbi borxhin që viktima mendohet se ia kishte autorit. Të paktën këto janë dyshimet e para të policisë se kryeqytetit për vrasjen e Iglend Haxhialiut, 44 vjeç dhe plagosjen e rëndë të vëllait të tij 41-vjeçar, Sokolit, i cili njihet edhe si Nikola. Autori i dyshuar i ngjarjes, Ardian Ndreka, 35 vjeç, nga Mamurrasi është kapur dy orë pas krimit, në banesën e tij, teksa po tentonte që të arratisej, me qëllim për t’i shpëtuar policisë.



Ngjarja e rëndë ndodhi te kryqëzimi i ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re, ndërkohë që policia sqaron se ka mundur të identifikojë autorin, falë edhe dy dëshmitarëve që panë skenën e krimit. Sipas tyre, autori i dyshuar është Ardian Ndreka, me origjinë nga Fieri, për kapjen e të cilit janë ngritur postblloqe të shumta në të gjithë Tiranën. Pas dy orësh, ai u kap në banesën e tij në Fushë-Mamurras dhe u shoqërua bashkë me një person tjetër. Nga hetimet e policisë rezulton se viktima, i plagosuri rëndë, i cili kaloi në vdekje klinike në orët e vona të natës, dhe autori ndodheshin të tre në mjetin, tip “Mazda”, me targë TR 9205 S, që rezulton në pronësi të Sokol Haxhialiut. Ata kishin njohje me njëri-tjetrin dhe në makinë kanë diskutuar për një çështje biznesi. Madje, ata kanë ndaluar në anë të rrugës për të diskutuar, por siç duket tonet janë nxehur dhe në këto kushte, duke kërcënuar njëri-tjetrin, Ardian Ndreka ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj tyre. Gjithçka ka ndodhur brenda makinës, ku viktima ka qenë i ulur në sediljen e pasme të mjetit, autori në sediljen e parë, ndërkohë që i vëllai i vogël ka qenë në timon. Sipas dëshmitarëve, pasi ka qëlluar dy personat e njohur, autori është larguar me një makinë, në një rrugë dytësore tek zona e Parkut të Autobusëve. Dëshmitarët kanë mundur t’i fiksojnë targën, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij.


Menjëherë pas krimit të rëndë, i cili ndodhi rreth orës 19:45, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, ndërkohë që i plagosuri është dërguar me urgjencë për në spital. Në orët e vona të mbrëmjes, policia tha se i plagosuri ka kaluar në vdekje klinike dhe nuk kishte shpresë për jetën e tij, megjithëse nuk u konfirmua zyrtarisht që të ketë ndërruar jetë.


Nga të dhënat e para, të mbledhura në vendin e ngjarjes, policia tha se ata kanë qenë duke debatuar për një çështje borxhi në biznes, ndërkohë që mësohet se dy vëllezërit merreshin me tregtinë e bojës, por që kishin edhe biznese të tjera në qytetin e Vlorës. Policia tha se një grup pune është dërguar për të kontaktuar edhe me vëllain e plagosur, por nuk ka mundur të flasë me të për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Policia ka ngritur edhe pista të tjera hetimore mbi këtë ngjarje të rëndë. Kohë më parë mësohet se vëllezërit Haxhialiu kanë pasur edhe një konflikt në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, me përfaqësues të një partie politike, por që nuk janë dhënë detaje të mëtejshme.


Mjeti


Nga hetimet e policisë rezulton se viktima, i plagosuri dhe autori ndodheshin të tre në mjetin tip “Mazda”, me targë TR 9205 S, që rezulton në pronësi të Sokol Haxhialiut