Arkivi do të botojë në një libër të rrallë të gjitha dokumentet e shqipëruara me kujdes nga njohësit më të mirë të turqishtes së vjetër


 


Ilirian Agolli, VOA


Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë është duke botuar koleksionin e plotë me rreth një mijë dokumente të qeverisë së Ismail Qemalit, në 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Arkivi do të botojë në një libër të rrallë të gjitha dokumentet e ruajtura dhe të shqipëruara me kujdes nga njohësit më të mirë të turqishtes së vjetër. “Shumica e këtyre dokumenteve janë në gjuhën osmanishte dhe një pjesë e vogël në gjuhën shqipe”, thotë drejtorja e arkivave shqiptare, Nevila Nika. “Botimi i Arkivit të Shtetit do t’i sjellë ato të gjitha në gjuhën shqipe, shoqëruar me faksimile të origjinaleve, ku spikat nënshkrimi i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të pavarur”.


Trazirat e shumta politike dhe ushtarake mendohet se kanë zhdukur një pjesë jo të vogël të dokumenteve të qeverisë së parë të shtetit të pavarur shqiptar. Nga ato që shpëtuan, një pjesë e madhe e këtyre dokumenteve të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës janë mbledhur nga Instituti Shqiptar i Kulturës para Luftës së Dytë Botërore dhe një pjesë tjetër u dorëzuan në arkiv pas Luftës së Dytë Botërore. Drejtorja e arkivave shqiptare, Nevila Nika, shprehu keqardhjen që ende nuk gjendet akti origjinal i pavarësisë, por ai do të përfshihet në këtë botim nga një fotografi mbi origjinalin që është gjendur në fototekën “Marubi”.


Botimi i ri i dokumenteve të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës bazohet në punën e jashtëzakonshme profesionale të disa arkivistëve të hershëm, që ishin edhe bashkëkohës të Ismail Qemalit, si: Jonuz Tafilaj, Haki Sharofi, Nezir Leskoviku, Andrea Sahatçi, që i kanë sjellë dokumentet në shqip, me shpjegime të detajuara.


Drejtuesit e arkivave të Shqipërisë pohojnë se sektori i shërbimit me qytetarët po përballon një punë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti, sepse është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve dhe studiuesve që kërkojnë të shohin dokumente arkivale. Të nxitur dhe frymëzuar nga 100-vjetori i Pavarësisë së shtetit shqiptar, mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Ballkanit dhe botës po i kërkojnë arkivit kopje të dokumenteve nga më të larmishmet, të cilat tani mundësohen lehtësisht si me printime ashtu edhe me metoda dixhitale. Ndaj botimi i koleksionit të plotë të dokumenteve të Qeverisë së Ismail Qemalit shihet si një detyrim për të kënaqur kërkesat e publikut, dhe për të plotësuar bibliotekat e kujtdo qytetari të interesuar për historinë e Shqipërisë.