Komisioni Parlamentar i Ligjeve nuk ka arritur të shqyrtojë dje draftin “Për Gjykatën e Lartë”. Kjo për faktin se mungonin deputetët e opozitës. Mosmarrja pjesë e deputetëve socialistë ka shërbyer për të rikthyer akuzat mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen e integrimit të vendit. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali, u shpreh se “çështja ka shkuar në dialogun midis kryetarit të grupit parlamentar të PD-së dhe atij të grupit parlamentar socialist, të cilët janë përpjekur në diskutim dhe negociata mes njëri-tjetrit të bëjnë të mundur shqyrtimin e këtij projektligji. Siç e shikoni, axhenda personale e kolegëve ishte më e fortë se axhenda e integrimit dhe sot (dje) të gjithë në unison kanë zgjedhur të bëjnë ekskursion në një ditë me shi. Nuk kam zgjidhje tjetër veçse ta shtyjmë projektligjin, derisa kolegët të kthehen nga ekskursioni”, tha Rusmali. Në lidhje me këto qëndrime të mazhorancës, ka reaguar nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe. Nëpërmjet rrjetit “Facebook”, Braçe ka zbuluar edhe pjesën e dialogut ndërmjet Ruçit dhe Patozit. “Kryetari i grupit të deputetëve socialistë i ka thënë qartë zotit Patozi: Pa u zbatuar deri në fund marrëveshja e nëntorit (miratimi i reformës parlamentare që e mban peng PD), pa u zbatuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë, të Dytë dhe Gjykatës së Lartë për Këshillin e Qarkut Fier të fituar nga PS-ja e marrë peng nga PD-ja, pa u çliruar pushteti vendor i PS-së nga bllokimi financiar që vijon prej një muaji me bllokim të llogarive financiare të bashkive dhe komunave, në respekt të autonomisë vendore, nuk ulemi fare në tavolinë të flasim për ligjin mbi Gjykatën e Lartë!!! Kjo është e vërteta!!!”, shkruan socialisti Braçe.