Replikat


Ministri: Deputetin e PS e padis për herë të dytë


Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se ka vënë në punë Kombinatin Ushtarak të Poliçanit, jashtë objektit të tij të punës, që sipas Braçes është ai i demontimit të municioneve. Kombinati ka importuar lëndë të para dhe ka prodhuar municione duke i eksportuar më pas. “Sipas dokumenteve të nënshkruara nga vetë drejtori i Kombinatit të Poliçanit, prej shumë vitesh, prej të paktën 10-12 vjet, Kombinati ka marrë një tjetër profil, atë të demontimit të predhave dhe të municionit, pra të demontimit, kryesisht të predhave të topave, mortajave, që kanë një kalibër shumë të madh dhe përbëjnë rrezik për popullsinë. Ky proces natyrisht që


është financuar nga partnerët tanë më të rëndësishëm nga DASH, nga NATO dhe agjenci të tjera, por ministri Imami, Ministria e Mbrojtjes, ndërmarrja MEICO dhe të tjerë zyrtarë të korruptuar po tentojnë dhe i kanë dhënë Kombinatit të Poliçanit në mënyrë të kundërligjshme edhe profilin e prodhimit të municioneve. Kemi një set dokumentesh që provojnë një marrëdhënie të re të kompanive UNIMESCO, kompani me lidhje të forta me zyrtarë brenda Ministrisë së Mbrojtjes, e cila importon barut në Çeki, importon kapsolla në Bosnjë, për llogari të Kombinatit të Poliçanit dhe të prodhimit në Kombinatin e Poliçanit të fishekëve për pistoleta. Dhe pastaj akoma më tutje, Kombinati i Poliçanit ka hyrë në një marrëdhënie eksporti të këtyre municioneve të reja, të krijuara përmes marrëdhënies në kompaninë UNIMESCO të shitjes së tyre në vende të ndryshme, duke përfshirë edhe Kosovën”, u deklaroi Braçe. Ministri Arben Imami për median deklaroi se nuk e ka takuar asnjëherë Sllobodan Tesiç, pavarësisht ai ka firmosur disa kontrata të kompanisë MEICO, e cila është në varësi të dikasterit që ai drejton. “Është një emër që nuk e njoh personalisht dhe s’kam ndonjë njohje me të. Kështu, përveç padisë së Ministrisë së Mbrojtjes, zotit Braçe i është bërë edhe një padi personale. Ministria e Mbrojtjes nuk e njeh dhe s’ka asnjë lloj kontakti me shtetasin serb që mund të jetë Tesiç. Tri akuza të njëpasnjëshme një kanë rënë dhe kanë dështuar për shkak se informacioni i Braçes është marrë në rrugë të kundërligjshme, është i mangët dhe i cungët. Flitet për armatimin e SHIU-t. Sigurisht që SHIU merr armë sipas tabelave të miratuara. Ato armë që kanë qenë të planifikuara për t’u blerë nuk u blen për shkak të burokracive dhe shkaqeve financiare”, deklaroi ministri.