Akuzat: “Berisha po çon për lesh investimet në miliona të sipërmarrësve të ndershëm”
Pas akuzave të lëshuara nga kreu i ekzekutivit, Sali Berisha në mbledhjen e radhës së qeverisë se opozita po tremb investitorët me deklarata ziliqare dhe keqdashëse, ka reaguar deputeti socialist Erjon Braçe. Nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, Braçe është shprehur se Berisha është trembur fort nga qëndrimi i PS-së për transparencë mbi procedurat dhe kontratat koncensionare: “sepse e di fare mirë se ku kanë përfunduar lejet koncesionare”. Sipas Braçes, Berisha ka abuzuar me investimet e sipërmarrësve të ndershëm.
“Ai e di fare mirë se një pjesë e tyre kanë përfunduar në familjet e ministrave, deputetëve-burrave ose grave, vëllezërve dhe motrave, kushërinjve, por ed…he klientëve të tyre! Jo një koncesion, por nga tre e katër njëherësh! Dy gjëra dua ti them Sali Berishës:
E para: Po Sali Berisha, do bëhet transparencë për secilin nga ministrat, zv.ministrat, deputetët, drejtorët e administratës tënde politike, fisin dhe klientët e tyre në biznes; procedurë më procedurë, leje më leje, kontratë më kontratë! Kërkujt tjetër nuk do ti bihet në qafë nëse ka përfituar çdo gjë ligjërisht, ndershmërisht!
E dyta: Jo Sali Berisha, nuk është PS që po shkatërron këtë industri; nuk është PS që po tremb e dëmton investitorët e ndershëm! Unë kam prova që je ti njeriu që po i çon për lesh investimet në miliona të sipërmarrësve të ndershëm”, shkruan Braçe në Facebook.
Më tej ai është ndalur në gjendjen e sotme të KESH, që sipas tij po përjeton një kolaps total. “Sot që flasim, qeveria jote, Koorporata Elektroenergjitike shqiptare e shkatërruar prej teje: Ju ka këtyre investitorëve 1.1 miliardë lekë të reja borxh! 11 milionë dollarë! Dhe imagjino, është vetëm fillimi!
KESH që ju ble atyre energjinë e prodhuar nuk ka para tu japë! Sepse ti për interesa politike, me vendime politike në favor të CEZ e ke shkatërruar aftësinë paguese të KESH! Shkurt, KESH nuk ka të paguajë dhe borxhi rritet çdo ditë! Ky është tjetër krim i yti Sali Berisha që kërkon transparencë dhe hetim!”, shkruan Braçe.
22 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)