Energjia
Deputeti socialist depoziton akuzën në prokurori. ERE përgatit marrëveshjen
Braçe – Padita të gjithë zyrtarët e qeverisë që u morën me procesin e privatizimit të “Albpetrolit”, konsulentin e qeverisë në këtë proces, lobistin e qeverisë, kompaninë “Patton Boggs”, si dhe çdo person tjetër fizik apo juridik që rezulton i përfshirë në këtë krim
Dështimi i privatizimit të kompanisë së vetme publike të naftës në vend, “Albpetrol”, u shoqërua dje me një padi penale në Prokurorinë e Tiranës. Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, depozitoi mëngjesin e djeshëm pranë organit të akuzës një padi, e cila kishte si objekt pretendimin për mashtrim, shpërdorim të detyrës me pasojë dëmin ekonomik 85 milionë euro në kuadër të një privatizimi të dështuar. Por interesante në këtë padi ishin edhe personat që akuzohen e që janë fillimisht të gjithë zyrtarët e qeverisë Berisha dhe lobistët amerikanë të kompanisë “Patton Boggs”. Braçe e ndau lajmin për këtë padi të pazakontë që përfshin edhe lobistët në rrjetin social “Facebook”, duke theksuar se ajo kishte ardhur pas tejkalimit të çdo afati ligjor dhe për këtë shkak, në shkelje të plotë të ligjit dhe po kështu pas konsumimit të çdo mundësie për tërheqjen e garancisë së ofertës së paraqitur në tender. Por si argumente për këtë padi të tijën, Braçe shtoi dhe ato që i quajti “konsumimin e një turpi kombëtar dhe dëmi të madh ekonomik”. “Vendosa dhe padita në Prokurorinë e Tiranës, të gjithë zyrtarët e qeverisë së Sali Berishës që u morën me procesin e privatizimit të “Albpetrolit”, konsulentin e qeverisë në këtë proces, lobistin e qeverisë, kompaninë “Patton Boggs”, si dhe çdo person tjetër fizik apo juridik që rezulton i përfshirë në këtë krim. I padita për mashtrim, shpërdorim të detyrës me pasojë dëmin ekonomik 85 milionë euro”, thekson ai në deklaratën e bërë dje. Kjo padi vjen në një moment kur opozita ka hedhur akuza të ashpra ndaj shumë pjesëve të errëta që shoqëruan privatizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe publike, duke sjellë edhe dështimin e saj. Sakaq, Enti Rregullator i Energjisë (ERE), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, janë duke lidhur një kontratë të re me konsulentin amerikan “Patton Boggs”, në shërbim të çështjes “CEZ”. Shteti shqiptar do të përballet në arbitrazh me kompaninë çeke, ndaj qeveria mendon se konsulencat e kompanisë së njohur amerikane janë të vlefshme. Palët janë duke detajuar buxhetin ndaj konsulentit dhe me miratimin final të shpenzimeve do të nisë puna. Amerikanët e njohin mirë terrenin ligjor në Shqipëri dhe kanë asistuar në të tjera procese të rëndësishme, si privatizimi i ARMO-s apo ai i “Albpetrolit”. Sikurse duhet thënë se me kompaninë “Albpetrol” procesi konsiderohet i dështuar.
Kompania tjetër konsulente është francezja “Derains&Gharavi”, e cila po jep disa shërbime për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE). Francezët kanë eksperiencë në fushën e arbitrazhit, pasi kanë shqyrtuar rreth 300 çështje deri më tani. Sakaq, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Avokatin e Shtetit, janë në procedura për të zgjedhur zyrën ligjore që do të mbrojë Shqipërinë në gjyqin e arbitrazhit, kundër “CEZ Group”, e cila pritet të zhvillohet pas realizimit të shpronësimit nga qeveria.
F.M.
A.K.