Ironi kundër Nishanit dhe Bashës


brace1Nënkryetari i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ironizon Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Sipas tij, Nishani duhet të pranojë që është një kukull në duart e ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe nuk duhet ta mohojë këtë. Ky qëndrim i Braçes vjen në një moment kur vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, theksoi se socialistët po kërkonin ta kthenin atë në një president kukull. “Bujar Nishani paska thënë: Nuk jam një president kukull; socialistët duan të më kthejnë në kukull, unë nuk dorëzohem!! Përtej të qenët të tij gjynah, kam një lutje për cilindo socialist prind: Mos bënin kukullat e fëmijëve si Bujar Nishani”, thekson Braçe në rrjetet sociale për ndjekësit e tij, duke shënuar kështu dhe deklaratën e radhës kundër kreut të shtetit. Nga ana tjetër, po dje, Braçe sulmoi me tone të ashpra dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën. Sipas Braçes, Basha po kërkon të bëjë një protestë të dytë, pikërisht për të korigjuar gabimet e protestës së parë që nisën nga ftesa në drejtim të kryetarit të Komunës së Lazaratit për të marrë pjesë në protesë. Sipas Braçes, këto protesta të PD-së, bëhen kundër marrjes së statusit kandidat nga ana e Shqipërisë në muajin qershor. Ai shtoi se është qesharake që Basha të flasë për protestë të demokratëve kundër “kartelit të drogës”. ‘Këtë herë për të joshur, vendi i protestës është para Kryeministrisë. Nuk do të përsëriten gabimet e së enjtes, pra nuk do të lejohet kryekomunari i Lazaratit dhe demokratët e Lazaratit, të jenë në protesë, por do të lejohen vetëm gangsterët e Tiranës që kanë sipërmarrje droge në Lazarat. Nuk do të lejohen ish-policët që kanë kaluar nga një sezon prodhimi, trafikimi, përfitimi n[ Lazarat, por do të lejohen vetëm ata ish-policë që i kanë marrë përfitimet duke mos shërbyer direkt në Lazarat; Do të ndërpriten punimet në vilën e re të Argitës në Gjirin e Lalëzit gjatë protestës, për të mos u bërë karshillëk demokratëve të varfër, por punimet do të rinisin menjëherë pasi protesta të shpërndahet në shenjë respekti!!”, deklaroi jo pa ironi Braçe në lidhje me protestat e radhës të lajmëruar nga demokratët në lidhje me përfshirjen e qeverisë sipas tyre në trafikun e drogës. Deputeti i PS-së, në mënyrë të vazhdueshme ka theksuar se protestat e demokratëve bëhen vetëm për përfitime personale të familjes Berisha, sepse qeveria aktuale po bën një punë të mirë në shumë fusha, duke përfshirë dhe atë të ndalimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Ndërkaq, demokratët kanë lajmëruar vijimin e protestave dhe u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në to.


Aliko


Ishte pjesë e protestës së demokratëve pak ditë më parë, pavarësisht se drejton një nga komunat rekord për mbjelljen dhe kultivimin e kanabisit


Vila


Në kohën që demokratët protestonin, sipas socialistëve, vajza e ish-kryeministrit Berisha zgjeronte vilën e saj në Gjirin e Lalëzit