Tafaj – Njësia bashkiake numër 8 drejtohet prej disa mandatesh nga përfaqësuesi i PR, Arben Tafaj, i cili është mbështetur fort dhe nga demokratët
Zona – Territori në të cilën shtrihet kjo njësi përfshin pjesë të kryeqytetit si: “Selvia”, “Siri Kodra”, rruga “Bardhyl” dhe deri te Bregu i Lumit.
Intervista
Vladimir Sulku: Jorida Tabaku bën punësime abuzive në administratë
Heshtja -“Këtë ia kam bërë të qartë dhe Kryeministrit Berisha përmes një mesazhi në telefon, sekretarit organizativ të PD-së, Flamur Nokës në mënyrë të drejtpërdrejtë, sekretarit të PD-së për Tiranën, Keltis Krujës, dhe po kështu dhe kryetarit të degës për kryeqytetin, Aldo Bumçi. Të gjitha këto komunikime i kam kryer përgjatë një viti dhe kam vërejtur një neglizhencë për zgjidhjen e situatës”
Fatjona Mejdini
Partia Demokratike po krijon përplasje në bazën e saj në Tiranë, si pasojë e kontradiktave që po formohen midis të deleguarve të saj në zona të ndryshme dhe drejtuesve lokalë të zgjedhur nga vetë anëtarësia e PD-së. Këto kontradikta kanë sjellë edhe rrjedhjen e parë zyrtare në struktura të larta siç është këshilli në njësinë bashkiake që përfaqëson edhe bastionin më të madh të selisë blu në kryeqytet siç është njësia numër 8. Në këtë zonë drejtuesit lokalë po largohen nga strukturat për shkak të kontradiktave me të deleguarën e PD-së në këtë zonë, nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku. I tillë është rasti i nënkryetarit të PD-së në këtë njësi, Vladimir Sulku, i cili është larguar demonstrativisht nga Partia Demokratike. Në një rrëfim për “Shqip” Sulku tregon situatën e krijuar..
Cilat kanë qenë funksionet dhe kontributet tuaja në degën e Partisë Demokratike në Tiranë?
Unë jam bërë pjesë e Partisë Demokratike të njësisë bashkiake numër 8 në Tiranë në majin e vitit 1997 dhe bashkë me kolegë të tjerë në një kohë tepër të vështirë për PD-në në të gjithë vendin, ne kemi arritur të bëjmë riorganizimin e strukturave të saj në këtë njësi. Në vitet që kanë pasuar kam qenë tepër aktiv për sa i përket anës organizative në këtë njësi, kam mbajtur pozicionet e kryetarit të seksioneve, sekretarit të PD-së për njësinë etj. Në vitin 2009 jam zgjedhur dhe si nënkryetar i PD-së për këtë njësi dhe po kështu jam anëtar këshilli i PD-së në këtë njësi.
Pse keni vendosur të dorëhiqeni nga këto pozicione dhe të mos mbështesim më PD-në në këtë njësi?
Dy ditë më parë, në mbledhjen e PD-së për njësinë numër 8 në Tiranë kam dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të PD-së dhe po kështu nga përfaqësimi i PD-së në këshillin e njësisë, këtë vendim do ta konfirmojë dhe në mbledhjen e kryesisë që do të mbahet sot. Vendimin e kam marrë për shkak se shoh se përditë strukturat e PD-së në këtë njësi po shkatërrohen dhe po anashkalohen, këtë ia kam bërë të qartë dhe Kryeministrit Berisha përmes një mesazhi në telefon, sekretarit organizativ të PD-së, Flamur Nokës në mënyrë të drejtpërdrejtë, sekretarit të PD-së për Tiranën, Keltis Krujës dhe po kështu dhe kryetarit të degës për kryeqytetin, Aldo Bumçit. Të gjitha këto komunikime i kam kryer përgjatë një viti dhe kam vërejtur një neglizhencë për zgjidhjen e situatës. Shkak për këtë janë bërë kryesisht punësimet dhe meritë të veçantë për shkatërrimin dhe anashkalimin e strukturave në këtë njësi ka nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku. Ajo që në vitin 2009 është vendosur si e deleguara e Partisë Demokratike në këtë njësi dhe në mënyrë konstante merr vendime të njëanshme duke anashkaluar propozimet e strukturave të njësisë. Duke folur në emër të Berishës, Tabaku jo vetëm nuk po respekton strukturat, por po fut dhe përçarje brenda të zgjedhurve në këtë njësi nga vetë anëtarësia e PD-së. Ja kam paraqitur këtë problem dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashës, duke u kujtuar se zgjedhja e tij në krye të kësaj bashkie u arrit nga rezultati i mirë që mori PD-ja në njësinë numër 8, por përsëri nuk gjeta mbështetje. Unë kam qenë në çdo proces zgjedhor drejtues fushate për sa i përket njësisë bashkiake numër 8 dhe tashmë heq dorë nga ky angazhim, sepse nuk po gjej më mirëkuptimin e domosdoshëm. Nuk kam ndërmend të kaloj në parti të tjera, thjesht ndihem i zhgënjyer për mosvlerësimin mbi bazën e kontributeve në këtë njësi.
Cili është apeli që ju keni për lidershipin e PD-së dhe për drejtuesit e partisë në Tiranë?
Apeli im është i thjeshtë dhe praktik. U bëjë thirrje drejtuesve të PD-së që të mos lejojnë që njerëzit e komanduar të kenë fuqi të rëndësishme dhe arbitrare në zona të caktuara, duke lënë pas të zgjedhurit lokalë nga vetë anëtarësia. Nëse ky mesazh merret ashtu siç unë dua ta jap, ka kohë për të bërë përmirësim përpara se fushata e ardhshme zgjedhore të vijë. Me këtë përçarje që ka ndodhur unë e shikoj shumë të vështirë fitoren e PD-së në zgjedhjet e ardhshme në njësinë numër 8 në Tiranë.
Investime për të kaluar radhën
Ish-nënkryetari i PD-së për njësinë bashkiake numër 8, Vladimir Sulku thekson se investimet kanë qenë tepër të pakta dhe të bëra sa për të kaluar radhën. Ai deklaron se rruga “Siri Kodra” ka një vit e pandriçuar dhe se askush nuk merr përgjegjësi për ta zgjidhur këtë situatë. Po kështu Sulku shpreh ankesa dhe për sa i përket gjendjes së rrugëve, duke i quajtur ato tërësisht të shkatërruara dhe se firma e cila ka marrë përsipër t’i përfundojë ato e ka lënë punën te shtrimi i çakullit dhe s’kanë mbuluar as kanalet.
Arrestimi i kreut të PD në njësinë 8
Rreth një vit më parë kryetari i Partisë Demokratike të njësisë numër 8, Gazmend Çollaku, është arrestuar pasi është akuzuar për korrupsion. Çollaku, i cili ishte dhe drejtor i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, ka qenë një futbollist i skuadrës së Dinamos. Ai u emëruara fillimisht nga kjo detyrë pas incidentit ndeshjes mes Gramozit dhe Realit të Madridit, ku në stadium u ndërprenë dritat për 90 minuta, ndërsa dy skuadrat po hynin në pjesën e dytë të ndeshjes. Por ai pak muaj më pas u arrestua për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës.
Shijak
Topi: Berisha fajtor, FRD drejt fitores
Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, gjatë përurimit të degës së partisë në Shijak, lëshoi akuza të reja të ashpra ndaj Kryeministrit Berisha, në të njëjtën kohë që për herë të parë bëri parashikimin ambicioz për “fitimin e zgjedhjeve të 2013-s”. Në një fjalim të mbajtur përpara publikut vendas, ish-Presidenti i Republikës theksoi se “atë që Berisha nuk bëri dot gjatë pesë viteve (të presidencës së tij), pra nënshtrimin e institucioneve, arriti ta bënte në vetëm pesë ditë. Unë akuzoj drejtpërsëdrejti Kryeministrin Berisha për gjendjen e mjeruar të Shijakut”. Në vazhdimin e fjalimit të tij, Topi çmoi se “Berishën e ka larguar historia” dhe se “FRD është drejt fitores së zgjedhjeve të 2013-s”. Pasi vlerësoi “kontributin historik” të Shijakut për lirinë dhe demokracinë, kreu i FRD-së parashikoi se “Qarku i Durrësit do t’u japë një leksion të mirë partive të vjetra në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”.
Aleatët
PD-LSI, përplasja për punësimin
Punësimi i simpatizantëve të Partisë Demokratike ka shënuar gjatë viteve të fundit dhe shumë pakënaqësi në radhët e saj. Të shpeshta kanë qenë rastet kur mbështetës të kësaj partie kanë shfaqur pakënaqësi ndaj punësimeve të militantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në administratë, duke e quajtur këtë të padrejtë. Po kështu të shumta kanë qenë akuzat për punësime nepotike dhe të njerëzve të cilët nuk kanë dhënë kontribut brenda Partisë Demokratike. Këto kontradikta shpesh janë arritur të modelohen me qetësi, por të shumta janë dhe rastet kur ka pasur thyerje të forta mes palëve dhe zemërime të akumuluara nga ana e mbështetësve të thjeshtë të demokratëve.