Lëvizje tektonike brenda së djathtës në kryeqytet
Një grup të rinjsh të Forumit Rinor të Partisë Demokratike për Tiranën kanë dhënë dorëheqje kolektive dhe i janë bashkuar Frymës së Re Demokratike. Edhe pse kanë vite në forumin e të rinjve demokrat, ata thonë se nuk duan të qëndrojnë në një parti që drejtohet nga një politikan në pension. “Sot kryeministri përfaqëson një politikan në pension, që ka drejtuar vendin më shumë se gjysmën e tranzicionit dhe që sot, për shumë arsye, është bërë pengesë për të djathtën, demokracinë, vendin dhe të ardhmen e tij. Në respekt të bindjeve tona politike, të aspiratave tona për demokraci funksionale dhe të mbështetësve tanë bashkëmoshatarë, ne sot deklarojmë publikisht dorëheqjen kolektive nga anëtarësia në PD dhe njëherësh, anëtarësimin kolektiv në shtëpinë e vërtetë të rinisë dhe së djathtës moderatore shqiptare, Fryma e Re Demokratike. Ne nuk po zgjedhim heshtjen në shkëmbim të privilegjeve të pushtetit, por po zgjedhim dinjitetin dhe respektin për veten, po bëjmë zgjidhje morale me bindje të plotë se ky veprim do të ketë mirëkuptim të gjerë dhe do të shërbejë si një pikë nisjeje për akte të tilla qytetare nga kolegë të shumtë demokratësh të zhgënjyer. Për ne është e papranueshme mungesa e demokracisë së brendshme në parti, mungesa e hapësirës për konkurrim, mungesa e mandateve legjitime për të gjithë drejtuesit kryesorë në parti”, thuhet në deklaratën e të rinjve.