Në pronësi të Mançester Junajtid, i ndjekur nga Anglia… djali i mrekullive, prindërit e të cilit i shpëtuan luftës në Kosovë për t’u transferuar në Belgjikë. Lexoni historinë e tij mahnitëse
Debati që vlon rreth cilit shtet duhet të përfaqësojë Adnan Januzaj, duket se është më i civilizuar në Angli se në vendet e tjera.
Në javën e kaluar, në një televizion shqiptar, u diskutua rreth adoleshentit më të kërkuar në futbollin europian, në një program të titulluar “Hero apo Tradhtar”, me pikëpamjen se ai do të cilësohej me këtë epitet të dytë nëse do t’i kthente shpinën prejardhjes së familjes së tij për të përfaqësuar këdo tjetër.
Pavarësisht kësaj, 18-vjeçari që u bë i famshëm me dy gola brilant në atë që ishte vetëm paraqitja e tij e tretë për Mançester Junajtid, duket se ka një mori zgjedhjesh. Stili i tij direkt dhe prirja për të dribluar mbrojtësit si të ishte gjëja më natyrale në botë, ka çuar në këmbë këdo. Por realiteti është krejtësisht ndryshe dhe ata që kanë takuar Januzajn gjatë rrugëtimit të tij janë të trishtuar nga trysnia që po i vihet mbi shpatullat e tij të reja por të talentuara.
I lindur në Bruksel, Januzaj është djali i dy shqiptarëve të Kosovës, të cilët u larguan nga kriza në Ballkan për t’i shpëtuar varfërisë dhe persekutimit që vuajtën pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre. Sot, historia e tyre do të tregohet për herë të parë.
Por është një histori që lë të kuptohet se Januzaj mund të luajë për Belgjikën, Shqipërinë, Kosovën, Turqinë apo Anglinë, ndonëse deri më sot Januzaj nuk ka bërë të ditur preferencën e tij, ashtu si babai i tij që e mbron, Abedini.
Menaxheri i Januzajt, Dirk De Vris, thotë se asnjë pjesëtar i familjes nuk do të flasë derisa të nënshkruhet një kontratë e re fitimprurëse me Mançester Junajtid, ndonëse klubet e tjera të mëdha të Europës po i vijnë rrotull nëse një gjë e tillë nuk materializohet. Por qartësisht, këtu flitet për më shumë se kaq.
Mendohet se Kosova do të ishte zgjedhja e parë, nëse ata do të ishin një kombëtare e anëtarësuar në FIFA dhe si rrjedhojë në gjendje të merrnin pjesë në një turne ndërkombëtar. Kështu si janë gjërat tani, mendohet se Anglia është alternativa më e favorizuar.
Federata Angleze e mendon kështu dhe po mundohen të provojnë se pajisja me një pasaportë britanike mund të anashkalojë rregullin e vendosur nga FIFA mbi pesë vitet rezidencë.
Por edhe kjo, pamja e avokatëve të paguar mirë që nisin një betejë për të arritur një aset të vlefshëm, duket si shfrytëzim, në kontrast me pikturën e një djaloshi të ri të qetë e të përkushtuar, si dhe familjes së tij të thjeshtë.
Që nga mësuesit e tij të vjetër e deri te trajnerët e tij të parë, askush nuk ka një fjalë të keqe për të thënë rreth tij apo babait të tij. Edhe Anderlehti, klubi i futbollit i Brukselit që e humbi atë në moshën 16-vjeçare përballë Junajtid pasi në Belgjikë është e ndaluar t’i ofrohet kontratë një lojtari në atë moshë, i urojnë atij më të mirën.
“Ne nuk jemi aspak të lumtur që një lojtar të cilin e humbëm për 300 mijë euro, një shumë që u vendos nga FIFA, tani vlen 20 milionë”, tha për Sportsmail zëdhënësi i Anderlehtit, David Stegen.
“Ai lindi në Bruksel, u edukua këtu në klubin tonë; ai është një nga ne dhe na zemëron shumë ajo që ndodhi. Por ne jemi të lumtur për Adnanin. Ai është një djalë i mirë”.
Në Belgjikë ka pasur raportime të pakonfirmuara se Junajtid i ka paguar rreth 200 mijë euro të tjera familjes Januzaj dhe u ka gjetur atyre një shtëpi në një bllok pallatesh, në një prej zonave më të mira të Mançesterit, ku ai jeton me nënën dhe babain e tij.
Por edhe Stegen e pranon se Anderlehti i bëri RWDM Bruksel FC atë që Junajtid do t’i bënte klubit të tij 4 vite më vonë. RWDM ishte klubi lokal i familjes Januzaj në periferinë Kokelberg të Brukselit, ku jeton kryesisht shtresa e mesme dhe Abedini do të çonte Adnanin në stërvitje, pasi largohej nga një koncesionar Chevrolet-Opel ku punonte si llogaritar.
“Ne mund ta shihnim qartësisht se Adnani ishte një lojtar fantastik”, thotë Zhan-Pol Pira, i cili drejton 14 skuadrat e të rinjve të RWDM. “Ai nuk ishte një lojtar fizik, ishte i imët, por teknika e tij ishte mbi normalen. Në një ndeshje për moshat nën 10 vjeç, më kujtohet që shënoi 16 apo 17 gola në një fitore 22-0”.
Pira kujton gjithashtu babain e Adnanit. “Ai ishte gjithashtu shumë i qetë dhe mbështetës, por nuk i tregonte kurrë sa mirë kishte luajtur, vetëm se mund të bënte më mirë”.
RWDM nuk përfitoi asnjë cent nga Anderlehti. “Zero”, thotë Pira. Por përsëri, ka vetëm ndjenja bujarie ndaj Januzajt. “Një nga shokët e tij të vjetër të skuadrës, Eloi Suarez, ju ka sjellë këto fotografi”, thotë Pira që më pas shpjegon. “Të gjithë këtu janë shumë krenarë”.
Abdel Jaiçi është krenar gjithashtu, pasi si mësuesi i fizkulturës i Januzajt në shkollën Athenee Royal De Jette të Kokelberg për katër vite, ai ka të drejtë të jetë. Ai i dha mësim Januzajt që nga mosha 12-vjeçare, deri kur shkoi në Mançester në moshën 16 vjeç dhe kujton “një djalë të ndrojtur që jepte shembullin për studentët e tjerë me etikën e tij të punës”.
“Adnan ishte padyshim lojtari më i talentuar i shkollës, por ishte shumë bujar”, thotë Jaiçi. “Ai driblonte kundërshtarët, por gjithmonë mundohej t’i jepte mundësinë të shënonte një shoku të skuadrës. Dhe nuk kishte asnjëherë një problem të vetëm me studimet e tij”.
Sër Aleks Ferguson e ka cilësuar Januzajn si “një lojtar i balancuar në mënyrë të bukur”, ndërsa një trajner të rinjsh tek Anderlehti, Janik Ferrera, e ka krahasuar atë me Johan Krujf. Gjithashtu theksohet nga të gjithë se ndan datëlindjen me Kristiano Ronaldon dhe Neimar, më 5 shkurt.
Shumëkush identifikon babain e Januzajt si ndikimin më të madh mbi të, përfshirë këtu edhe një ish-shok skuadre tek Anderleht. Mishel Heilen, i cili tani është te Kurtrai, thotë: “Januzaj është talenti më i madh përkrah të cilit kam luajtur. Ai ishte aq i shpejtë në metrat e para sa të gjithë kundërshtarët gjendeshin të papërgatitur”.
“Por nëse Adnani do të luante një ndeshje të keqe, babai i tij ia vinte në dukje. Shpesh ai mund të ishte i ashpër dhe Adnani kishte lot në sy. Por unë kisha idenë se babi i tij e dinte se çfarë po bënte. Ai i mësoi të birit si të përballonte goditjet dhe kjo ishte e mirë për zhvillimin e tij”.
Anderlehti i jep meritat Abedinit për faktin se djali i tij është kaq i përulur. Nuk ka tatuazhe, as makina luksoze. Ai nuk ka as marrëveshje me sponsorë, pasi Abedini është aq i bindur se djali i tij do të përmbushë potencialin e tij, saqë mendon se do të jetë më mirë të presë.
Por për të kuptuar Adnan Januzajn, ju duhet të dini historinë e tij dhe vështirësitë që përballoi familja Januzaj gjatë së kaluarës së dhunshme në Kosovë.
Ndërsa Abedini u largua nga Kosova, anëtarë të tjerë të kësaj familje shumë të bashkuar, morën armët në luftën për pavarësi të këtij vendi kundër serbëve, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Por lidhja mes tyre qëndron e fortë, me të afërmit që folën me dashuri gjatë kësaj jave për yllin adoleshent të futbollit i cili viziton shpesh qytetin e zhurmshëm periferik të Istogut, i cili gjendet poshtë maleve që ndajnë Kosovën nga Serbia dhe Mali i Zi.
Çdo verë, djaloshi që flet rrjedhshëm shqip, shpenzon disa javë në shtëpinë e familjes, një fermë e rregullt e rrethuar nga fushat me misër, në një fshat të vogël që mban emrin e familjes Januzaj. Në këto kohë paqeje, Januzaj mund të luajë futboll me xhaxhallarët dhe kushërinjtë e tij. Por ata të afërm kujtojnë vuajtjet përballë shtypjes së komunizmit dhe racizmit antishqiptar në Kosovën e mbërthyer nga lufta.
Më i madhi i 6 fëmijëve, Abedini pritej të mendonte për familjen pasi babai i tij, Idrizi, një punëtor në fabrikën e tekstileve, u sëmur me kancer. Por i përballur me perspektivën e detyrimit për t’iu bashkuar ushtrisë jugosllave të dominuar nga serbët, për të luftuar në Bosnjë, Abedini u arratis në Belgjikë në vitin 1992.
Deri atëherë, xhaxhai i Abedinit, Januzi, ishte burgosur për 15 vjet pasi mori pjesë në një protestë duke kërkuar të drejtat e shqiptarëve në pjesën e Jugosllavisë ku tani është Kosova. Më vonë, vëllai i tij më i vogël, Shemsedini, do t’i bashkohej Januzit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarë të pavarësisë që mbështeteshin nga aleatët.
Duke folur për Sportsmail, Shemsedini thotë: “Që nga vitet ’80 e deri tani, ne kemi vuajtur si familje. Ne u persekutuam nga sistemi serb. Unë isha një luftëtar në UÇK dhe ashtu ishte edhe gruaja ime. Ne kemi luftuar bashkë në të njëjtën brigadë. Një nga miqtë e mi më të mirë u vra – ai shkeli një minë”.
“Unë isha 18 vjeç kur iu bashkova UÇK-së. Luftova nga janari 1998, deri në qershorin 1999. Nuk mund ta pranoja më shtypjen, përdhunimin e grave dhe dhunën. Ishte koha të vdisnim duke luftuar për kombin tonë. Nuk isha i frikësuar pasi e dija se ajo që po bënim ishte e drejtë. Ka ende shumë njerëz të zhdukur – ne nuk e dimë se çfarë u ndodhi atyre gjatë luftës”.
Më 1 prill 1999, forcat serbe sulmuan Istogun, duke vrarë civilë, duke djegur shtëpitë dhe duke shkatërruar xhaminë e shekullit të 18. Siç thotë kryetari i Bashkisë së Istogut, Muhamet Rexhaj, i gjithë qyteti u dogj në rrëzë. “Të 300 shtëpitë”, tha ai, megjithëse shtëpia e Januzajve shpëtoi sepse ishte në rrethina.
“U vranë 17 njerëz, ku përfshiheshin 2 me aftësi të kufizuara. Pesë anëtarë të një familje u dogjën të gjallë. Pjesa tjetër e popullatës u arratis”.
Kryebashkiaku Rexhaj foli se si “familja Januzaj u persekutua nga serbët”.
Shemsedini, një ish-punëtor shpëtimi, tashmë i papunë dhe që vuan për të siguruar të ardhura për familjen e tij, tregon se si Abedini u arratis jo vetëm për t’i shpëtuar shtypjes së serbëve, por edhe “për të siguruar të ardhura për familjen”, duke sjellë para në shtëpi. “Babai im vdiq dy vite më vonë, ndaj Abedini ishte kryefamiljari pastaj”, tha ai.
Gruaja e Abedinit dhe nëna e Adnanit, Ganimete Sadikaj, ishte gjithashtu viktimë e shtypjes. E lindur në një nga familjet më të kamura në Istog, Sadikajt cilësoheshin një rrezik nga regjimi me dominancë serbe i Jugosllavisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Ata u detyruan të largoheshin nga Kosova dhe u deportuan në Turqi nën një plan për të shtypur nacionalizmin shqiptar.
Familja më pas do të zhvendosej në Belgjikë ku gjyshi i Adnanit, Alija, ngriti një biznes.
Një komshi i mëparshëm, Arif Haskaj, thotë: “Familja Sadikaj zotëronte shumë toka dhe një fermë. Ata ishin mes më të pasurve në fshat. Por atyre iu desh të arratiseshin në Turqi, pasi autoritetet serbe i morën tokën dhe pronat gjatë periudhës së komunizmit, pas Luftës së Dytë Botërore”.
Në Bruksel, familja u bë pjesë e komunitetit shqiptar të qytetit dhe ishte atje ku Abedini dhe Ganimete u njohën.
Në Istog, vendasit tregojnë se si familja Sadikaj pagoi për rindërtimin e asaj xhamie të shekullit të 18, ndërsa shumë njerëz vizitojnë dyqanin e çajit që zotërohet nga familja Januzaj. Visar Januzaj, kushëriri i Adnanit, punon aty si kamerier.
“Adnani vjen shpesh në lokal, – tha ai. – Unë kam luajtur shpesh futboll me të dhe ai është me të vërtetë i aftë”.
Edhe një kolonel në Policinë e Kosovës thotë se ka luajtur me yllin që po shkëlqen te Mançester Junajtid. “Ai ishte 14 vjeç atëherë dhe nuk e dinim se kush ishte”, kujton ai. “Kur erdhi, ne nuk po e kuptonim pse ishte aq i mirë, se si mund të bënte gjithçka me topin”.
Familja Januzaj ishte zemëruar me atë debatin në televizionin shqiptar. Megjithatë, të martën Adnani i uroi bashkëbesimtarët myslimanë në ditën e shenjtë të Kurban Bajramit.
Ndërsa fshatarët në Istog po bënin kurban delet në bahçet e tyre si pjesë e traditës myslimane, ai shkroi në faqen e tij në Facebook “Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë fansave myslimanë”.
Lidhja e tij me të kaluarën e familjes së tij është gjithashtu shumë e fortë dhe në Federatën Kosovare të Futbollit nuk janë dorëzuar ende për ta humbur atë përballë Anglisë. “Nuk mund t’i ndalojmë të luajnë për një skuadër tjetër”, tha një zëdhënës. “Por kemi shumë mbështetje brenda FIFA-s, ndaj është më shumë një çështje se kur sesa nëse për të marrë njohjen e plotë. Atëherë shpresojmë që djemtë si Adnani do të duan të luajnë për Kosovën”.
Marrë nga “Daily Mail”
Për cilat shtete mund të luajë Januzaj?
Kosova: Prej babait Abedin, i cili lindi në Kosovë. Por Kosova nuk njihet plotësisht nga FIFA.
Belgjika: Prej vendlindjes. Ai lindi në Bruksel dhe jetoi atje derisa u transferua në Mançester.
Shqipëria: Nga prejardhja. Prindërit e tij i përkasin etnisë shqiptare.
Turqia: Nëpërmjet familjes. Gjyshërit e tij janë turq.
Anglia: Nëpërmjet rezidencës, nëse jeton në Angli për pesë vitet e ardhshme.