Ish-kryebashkiaku i djathtë i Tiranës rrëfen konfliktin e tij me ish-kreun e PD-së, Berisha
Hapja e PD-së – “Duhet të hapet nga brenda, të ketë një demokraci të brendshme, ta dëgjojë edhe atë zërin kundër dhe ta respektojë, të respektojë votën e brendshme. Gjë që sot ajo e reflekton me vonesë”
Kryebashkiaku – “Kryetari i bashkisë në momentin që merr detyrën e tij, është mirë që t’i lërë të gjitha funksionet e veta në politikë. Pasi e gjithë ngarkesa do të bjerë mbi qytetarin”
Sali Berisha – “Duhet të tërhiqet, të shkruajë kujtimet e veta, eksperiencën e tij, jetën e tij, dhe të marrë rolin e një këshilltari në PD, dhe jo të jetë më një protagonist”
Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Albert Brojka, duke bërë një krahasim të veprimtarisë së tij dhe kryebashkiakut aktual, Lulzim Basha, duke pohuar për emisionin “E Diell në Top Channel” se të dy kanë fatin që të bashkëpunojnë me kundërshtarët politikë, dhe në kohën e tij kishte një farë bashkëpunimi me ish-qeveritë socialiste të pas 1997-s. Sipas Brojkës, një bashkëpunim i mirë me kundërshtarët politikë ka koston e tij politike, pasi do të thotë që të prishësh marrëdhëniet me partinë që të ka mandatuar për të qenë kryebashkiak. “Në kohën kur unë drejtoja Bashkinë e Tiranës ishin Nano, Majko dhe Meta kryeministra. Të gjithë ishin kryeministra të Partisë Socialiste në atë kohë. Kështu që gjatë mandatit tim, pavarësisht se isha i mandatuar nga Partia Demokratike më tepër kam punuar me Partinë Socialiste. Jam përpjekur të bashkëpunoj dhe kemi bashkëpunuar në një farë mase, kemi gjetur një farë mirëkuptimi. Por kjo bëri atë që ndoshta të prishesha me partinë time. Në atë kohë situatat ishin më të vështira, PD-ja nuk ishte në pushtet, kishte vetëm kryetarët e bashkive dhe natyrisht do të përpiqej t’i përdorte për qëllime politike edhe ata. Kështu që, kryetari i bashkisë në atë kohë ishte në një dilemë shumë të madhe: t’i shërbente partisë apo të bashkëpunonte me qeverinë në një kohë që qeveria ishte në krah të kundërt. Kështu që në këtë pikëpamje ishte një mandat shumë i vështirë. Unë ndoshta u prisha me të gjithë në atë kohë: me qeverinë, me partinë (PD-në), ndoshta edhe me qytetarët. Kështu që isha i detyruar që mbas përfundimit të mandatit të tërhiqesha nga jeta politike dhe të mos pretendoja më të kandidoja për kryetar bashkie apo të vazhdoja karrierën politike, dhe ndaj preferova të tërhiqem”, tha Brojka. Ndërsa, siç shprehet Brojka, Basha e ka të pamundur të bashkëpunojë me qeverinë aktuale. “Sa i përket Bashës si kryetar bashkie, qenia e tij në politikë e ka penguar atë të bëjë punët e bashkisë, pasi politika të përdor. Me sa di unë është bllokuar plani urbanistik nga ana e qeverisë, dhe këtë e kanë bërë vetëm për ta diskretituar dhe për t’i thënë që qeveria t’i ka krijuar kushtet që për 1 vit e gjysmë ai të punojë. Kështu që për mendimin tim, kryetari i bashkisë në momentin që merr detyrën e tij, është mirë që t’i lërë të gjitha funksionet e veta në politikë. Pasi e gjithë ngarkesa do të bjerë mbi qytetarin, i cili do të vuajë të gjithë negativitetin e politikës”, tha ish-kryebashkiaku i Tiranës. Duke vijuar më tej në intervistën e tij, ish-kryetari i PD-së së Tiranës shpjegon dhe arsyet e prishjes me ish-kryetarin Sali Berisha, i cili siç tha Brojka, synonte t’i përdorte kryetarët e bashkive për qëllime politike. “Me PD-në kam pasur dhe unë konfliktet e mia, sepse partia të kërkon që të jesh gjithmonë në shërbim të saj, pasi në fund të fundit ke kandiduar dhe je zgjedhur prej saj. Kryetari i bashkisë nëse kërkon t’i shërbejë qytetit duhet të zhvishet nga politika, të mos plotësojë më tekat e partisë, por të respektojë ligjin dhe të gjithë njësoj. Pasi do apo jo, ai herët a vonë do të prishet me partinë, ose do të ketë konflikte dhe, unë i kam pasur këto presione gjatë gjithë kohës”, tha Brojka. Ndërkohë ai analizon dhe situatën më të fundit në radhët e partisë më të madhe të opozitës, ku para disa vitesh kryesonte degën e Tiranës. Sipas Brojkës, PD-ja vazhdon të kontrollohet nga Berisha, pavarësisht se Basha përpiqet të sjellë diçka të re dhe të ndryshojë diçka. “Kjo ndodh, sepse zoti Berisha ka ende autoritetin e padiskutueshëm dhe siç thonë është një drejtues në hije i partisë, por që unë them se ai akoma është drejtuesi real. Zoti Berisha ka 23-24 vjet në politikë dhe ka qenë një nga politikanët më të spikatur. Për mendimin tim, angazhimi dhe kontributi i tij politik ka mbaruar. Tani ai duhet të tërhiqet, të shkruajë kujtimet e veta, eksperiencën e tij, jetën e tij, dhe të marrë rolin e një këshilltari në PD, dhe jo të jetë më një protagonist. Protagonizmin duhet t’ia lërë tashmë kryetarit të partisë, duhet t’i lërë atij autoritetin e nevojshëm, sepse ai do të jetë Kryeministri i ardhshëm dhe duhet të mos e pengojë në rrugën e tij”, tha Brojka. Sa i përket opozitarizmit të PD-së gjatë këtyre 18 muajve, Brojka thekson në veprimin e saj politik vihet re një lloj agresiviteti i tepruar ndaj mazhorancës. Gjithashtu, ai shprehet se PD-ja duhet të marrë veten sa më shpejt nga humbja e 23 qershorit, pasi rikuperimi i saj duket se po vonon. “PD-ja ka mundësi të ngjitet shumë më shpejt, sepse fundin e kapi në 2013-n dhe duhet të reflektojë në mënyrë të tillë që të rritet shpejt, sepse mbas 4 vitesh, apo mbas 8 vitesh i vjen radha për të qeverisur prapë. Kjo shikohet nga mënyra se si reagon ndaj veprimeve të mazhorancës: bëri gjoja që për ca kohë bojkotoi Parlamentin; nga mënyra se si vepron ka një farë agresiviteti të tepruar, në një kohë që duhet të jetë më tolerante, më e hapur, duhet t’i harrojë ato format dhe metodat e saj të vjetra të tipit: unë të ngre në karrierën tënde në politikë në qoftë se ti je ushtar i bindur”, tha Brojka.
SHKRIME TË TJERA ME INTERES
[related_posts limit=”5″]