Ish-kryebashkiaku i Tiranës: Selami do të sjellë xhelozira në PD
FRD – “Mendoj se kjo parti do të ketë ndikim, por jo aq të madh sa ta dëmtojë ndjeshëm PD-në. Mendoj se FRD-ja do të marrë në këto zgjedhje 2-3 deputetë”
Mandati i tretë – “Mundësia ekziston, por edhe aq e lehtë për t’u fituar nuk është, sepse mbase pushteti të konsumon. Kjo varet shumë nga loja dhe nga koalicionet”
Bledar Hoti
Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Albert Brojka, deklaroi në një intervistë për gazetën “Shqip”, se FRD-ja do të marrë rreth tre deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërkohë që thekson se është ndier i anashkaluar nga lidershipi i selisë blu, i cili po rimbledh në gjirin e saj figurat e pakonsumuara të së kaluarës. Në intervistën e tij, zoti Brojka analizon edhe rikthimin e Eduard Selamit, por edhe çështjen e mundësisë që PD-ja të marrë një mandat të tretë në votime…
Z.Brokaj, si e shihni situatën politike në Shqipëri, disa muaj përpara zgjedhjeve të 23 qershorit?
Kemi një situatë parazgjedhore të tensionuar. Nga një tablo e përgjithshme kemi një mandat qeverisës të konsumuar. Një qeverisje të PD-së, mund të thuash gati 12-vjeçare, e cila në një farë mase ka punuar, por është e konsumuar. Nga ana tjetër, kemi një opozitë që po pret me padurim për të ardhur në pushtet, duke e ndier mungesën 8-vjeçare të tij. Kështu që situata do të jetë plotësisht e tensionuar, natyrisht mazhoranca do të kërkojë të ruajë pozitat e veta, opozita do të tentojë të vijë në pushtet, pra do të jetë një betejë e ashpër zgjedhore.
Ditët e fundit ka pasur një intervistë të ish-kryetarit të PD-së, Eduard Selami. Ai, për herë të parë dha sinjale për afrimin me PD-në, për të kandiduar më 23 qershor. Si e komentoni ju një deklaratë të tillë?
Është normale një gjë e tillë. Zoti Selami ka kontribuuar që në fillimet e krijimit të PD-së. Pavarësisht nga përplasjet që ka pasur, tani Berisha në kuadrin e zgjedhjeve po afron figura le të themi të pakonsumuara. Për mendimin tim ka bërë mirë që ka afruar një figurë të tillë. Selami është një prej figurave të pakonsumuara, një nga të paktët që ka mbetur në PD si i tillë. Për mendimin tim ka bërë mirë që është vetafruar. Mendoj se Selami ka kontribuuar aq shumë sa ta meritojë përfshirjen në listat e kandidatëve për deputetë.
Pra, mendoni se Selami do të ishte mirë që të ishte pjesë e grupit të PD-së për zgjedhjet?
Po, pikërisht kështu mendoj, se do të ishte mirë përfshirja e zotit Selami.
A mendoni se kjo mund të rrisë xhelozitë apo pakënaqësitë brenda radhëve të PD-së. Kjo, nisur nga fakti se ai ka 18 vite që është shkëputur nga strukturat e PD-së?
Po, kjo është e natyrshme që po. Është normale të ketë një lloj konkurrence. Të ketë njerëz që ta duan ose jo Selamin në PD. Këto janë normale në një parti ku mendimi ndryshe është i hapur, sikurse dhe afrime të tilla janë normale.
Z. Brojka, ju vetë keni qenë figurë e mirëpritur e PD-së. Keni pasur një farë shkëputjeje kohët e fundit. Mund të themi se jeni lënë në harresë nga PD-ja, edhe pse jeni figurë me peshë në radhët e së djathtës. A keni pasur ndonjë ftesë kohët e fundit në kuadrin e afrimit të figurave të PD-së?
Mendoj se është ajo që thoni ju në lidhje me ofertat e PD-së, pavarësisht se e ndiej veten pjesë të saj, e kam ndier veten të larguar nga PD-ja. Nuk kam asnjë ofertë nga PD-ja, nuk kam dëshirë të madhe të afrohem, kur të tjerët nuk më afrojnë.
A mendoni se PD-ja i ka mundësitë reale të marrjes së mandatit të tretë?
Natyrisht mundësia ekziston, por edhe aq e lehtë për t’u fituar nuk është, sepse ju thashë, në një fare mase pushteti të konsumon. Kjo varet shumë nga loja dhe nga koalicionet që bëhen për zgjedhjet dhe partnerët që zgjedh.
Si e shihni partinë e ish-presidentit Topi? A mund ta rrezikojë ajo PD-në në këto zgjedhje?
Mendoj që kjo parti do të ketë ndikim, por jo aq të madh sa ta dëmtojë ndjeshëm PD-në. Mendoj se FRD-ja do të marrë në këto zgjedhje 2-3 deputetë. Këto vota partia e ish-presidentit Topi do t’i marrë nga radhët e elektoratit të PD-së dhe atij të djathtë.
Nëse FRD-ja është forcë përcaktuese për kahun e qeverisjes së ardhshme, a mendoni ju se z. Topi mund të hakmerret ndaj Berishës, duke e lënë në opozitë?
Nuk mendoj se zoti Topi do të hakmerret ndaj PD-së, në rast se do të vendoste qeverisjen e ardhshme. Ai do të shfaqë individualitetin dhe vizionin e tij si politikan, si parti e re në këto zgjedhje. Gjykoj se në këto zgjedhje, ish-presidenti Topi do të dalë i vetëm, i pavarur, pra as me Ramën dhe as me Berishën.
Çela: PD-në tashmë nuk e ringjall askush
Ish-deputeti i PD-së dhe ish-kryetari i KLSH-së, Blerim Çela, në një intervistë dhënë për gazetën “Shqip” ditën e djeshme, ka qenë mjaft kritik me rikthimin në selinë blu të Eduard Selami. Duke analizuar të gjithë procesin e largimit të tij më 1995-n, Çela theksoi: “Nuk e kuptoj sesi zoti Selami, me një konsekuencë të admirueshme më 1995-ën, që nuk u tund nga vendimi i tij për miratimin e Kushtetutës në Parlament, as nga lutjet e as nga kërcënimet, por u tut tani kur partisë së Berishës i ka ardhur fundi dhe zoti Selami kërkon ta ringjallë”.