Kreu i KMSH kërkon që qeveria t’i kthejë pronat
“Shteti duhet të kompensojë KMSH për pronat, duke thënë që shteti nuk na ka kthyer pronat e komunitetit, shteti duhet të jetë më i vendosur”, ishte ky qëndrimi i kreut të Komitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, gjatë fjalës së tij në tryezën për radikalizmin fetar dhe ekstremizmin. Përtej këtij mesazhi që më shumë ishte një apel ndaj qeverisë, kreu i KMSH-së lëshoi edhe një mesazh kundër fenomenit të ekstremizmit. “Ekstremizmi i dhunshëm është një problem global, radikalizmi fetar është një kërcënim për shoqërinë dhe ne duhet të jemi të bashkuar për ta luftuar. Islami i jep shumë rëndësi drejtësisë, humanizmit, mbrojtjes së të drejtave, si dhe kërkohet që njerëzit të jenë të moralshëm dhe të pastër. Kush vret një njeri, është sikur vret gjithë njerëzimin dhe kush shpëton një jetë, e ka shpëtuar gjithë njerëzimin”, tha më tej Bruçaj, duke thekuar se institucioni që ai drejton është munduar të ndërgjegjësojë qytetarët dhe po përpiqet të luftojë e parandalojë bindjet që mund të çojnë njerëzit drejt ekstremeve. “Ndërgjegjësimi i individëve për pranimin e diversiteteve është i rëndësishëm”, theksoi Bruçaj. Kreu i KMSH-së theksoi se në luftën kundër ekstremizmit radikal duhet të bëhen të gjithë bashkë. Ai u shpreh se ekstremizmi radikal është kërcënim. “Në shoqëritë e Ballkanit ku përfshihet Shqipëria vihet re mungesë e organizimit të shoqërive civile. Duke iu referuar temës është e rëndësishme të sugjerohet zhvillimi i shoqërive civile. Që të çrrënjosësh një ide të gabuar kërkon më shumë mund dhe punë sesa për ta futur në kokë. Islami kërkon që njerëzit të jenë të moralshëm dhe të pastër. Njerëzit e fesë kanë këshilluar dhe promovuar vlerat humane. Në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jemi të gjithë së bashku”, tha kreu i KMSH-së.