vrasje ne bulqize


Terror në mes të qytetit të Bulqizës. Një i vdekur dhe dy të plagosur ka qenë bilanci i një përplasjeje me armë të ndodhur pak metra larg qendrës së qytetit. Paraprakisht mësohet se Shefqet dhe Vehap Shehu janë qëlluar nga Fadil Ternova, i cili ishte përfshirë në një konflikt të hershëm me dy vëllezërit. Për pasojë 41-vjeçari Shefqet Shehu ka vdekur, ndërsa i vëllai i tij Vehap Shehu, 38 vjeç, është dërguar në Spitalin Ushtarak për shkak të plagëve të rënda. Në ngjarje ka mbetur i plagosur edhe 25-vjeçari Fadil Tërnova.


Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Bulqizës, në verandën e një lokali, ku vëllezërit Shefqet dhe Vehap Shehu kanë shkëmbyer zjarr me shtetasin  Fadil Tërnova, ku ky i fundit në momentin e shkëmbimit të zjarrit ka qenë në lokal së bashku me të vëllanë e tij shtetasin Luan Tërnova.


I njëjti burim saktëson se Fadil Tërnova është arrestuar disa minuta pas ngjarjes dhe në momentin e ndalimit i është sekuestruar edhe një arme e llojit pistoletë, me të cilën dyshohet se është qëlluar mbi Shefqet dhe Vehap Shehu. Policia ka bërë shoqërimin e vëllait të tij shtetasit Luan Tërnova i cili dyshohet të jetë i përfshirë në ngjarjen e ndodhur. Gjithashtu nën arrest është edhe i plagosuri Vehap Shehu.


“Nga kryerja e veprimeve te deritanishme të grupit hetimor, ka rezultuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive hakmarrje, pasi në vitin 2009 shtetasi Fadil Tërnova ka plagosur me armë zjarri shtetasin Vehap Shehu, ndërkohë nga grupi hetimor po punohet për dokumentimin e plotë ligjor dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, përfundon njoftimi zyrtar i policisë lokale.


Viktima ishte bashkëpronar në një galeri kromi në zonën D të minerave në Bulqizë, një zonë e pasur me krom, e cila ka prodhuar shumë konflikte me pasoja të rënda, me të vrarë e të plagosur.


 


20 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)