Monumentet
Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, ka raportuar para Komisionit të Medias, Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik për monumentet. Deputetë të PD-së e PS-së kanë pyetur për detajet, por nuk kanë munguar edhe debatet që morën tone politike
Debatet në Komisionin e Medias. Paloka, akuza Forumit: Kanë bërë trafik
Oliverta Lila – Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, përballë Komisionit të Medias, Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, ka dhënë një sërë argumentesh për të mbrojtur vazhdimësinë e projektit për rijetëzimin e monumenteve të kulturës. Bumçi ishte ftuar në këtë komision, pas seancës që u ishte rezervuar disa javë më parë përfaqësuesve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, të cilët bënë thirrje dhe dhanë argumente se kjo nismë nuk duhet lejuar.
Ministri Bumçi iu referua kryesisht praktikës së vendeve të tjera evropiane, si Italia, Gjermania, Franca, Spanja, Portugalia, Belgjika, Austria etj., duke specifikuar në disa prej tyre edhe shembujt se si veprohet me kontratat e lidhura me privatët, përfitimet dhe detyrimet që rrjedhin prej tyre. “Ky debat tregon ndjeshmërinë e madhe që ka publiku për çështje të trashëgimisë kulturore. Vlerësoj të gjitha opinionet, pavarësisht qëndrimeve pro, kritike, skeptike, çdo opinion ka vlerë në vetvete dhe do të na ndihmojë ne në çdo nismë që kemi ndërmarrë. Është pozitiv fakti që në parim kjo nismë pranohet nga të gjitha palët. Ne nuk po ngutemi në këtë proces. U kemi dërguar letra vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian që janë të njohura për menaxhimin e trashëgimisë dhe po presim përgjigje për të na sjellë materiale që do të na ndihmojnë në hartimin e bazës ligjore apo praktike”, ka thënë Bumçi. Ai ka renditur dy arsye se pse duhet që monumentet të jepen me koncesion: për të gjeneruar nga privati burime financiare dhe njerëzore në mbrojtje të monumenteve dhe për t’i shndërruar në destinacione turistike të mirëfillta, duke iu referuar këtu mungesës së një sistemi minimal shërbimesh. Ndonëse në pjesën më të madhe të tij, diskutimi është zhvilluar me tone të qeta, në mbyllje të seancës që zgjati rreth 2 orë, nuk u shmangën dot tonet politike mes deputetëve të PD-së dhe PS-së. Shkak për këtë është bërë diskutimi mbi kontratën e firmosur në vitin 2000 nga kryetari i PS-së, Edi Rama, atëkohë ministër i Kulturës. Por para këtij debati, deputetë të djathtë e të majtë i drejtuan një sërë pyetjesh ministrit Bumçi për të kuptuar thelbin e kësaj sipërmarrjeje. I pyetur nëse ekziston baza ligjore për zhvillimin e kësaj iniciative apo nëse specialistët e MTKRS-së po punonin për hartimin e saj, ministri Bumçi u shpreh se baza ligjore ekziston, duke iu referuar ligjit “Për trashëgiminë” i vitit 2003. “Baza kryesore ligjore për shfrytëzimin e objekteve monument kulture është Ligji 9048, dt.7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore” (i ndryshuar), veçanërisht neni 29, pika 6 ku thuhet: “Monumentet e kulturës të kategorisë I dhe II në qendrat historike, qytetet-muze dhe ansamblet-muze mund të shfrytëzohen edhe për funksione të tjera, që nuk cenojnë në asnjë mënyrë vlerat e tyre. Aty mund të vendosen institucione shtetërore ose private, si muze, biblioteka, atelie monumentesh, fototeka, galeri artesh dhe ekspozita të ndryshme”, dhe neni 39: “Monumentet e kulturës mund të rijetëzohen për qëllime administrative dhe social-kulturore, me kusht që funksioni i ri të mos dëmtojë vlerën e monumentit. Kushtet dhe kriteret paraprake të rijetëzimit dhe të shfrytëzimit të monumenteve të kulturës miratohen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës”, u shpreh Bumçi. Me të ka replikuar kryetarja e komisionit, znj. Valentina Leskaj, e cila ka thënë se në asnjë nga këto pika nuk përmendet ngritja e restoranteve apo hoteleve. “Sa objekte janë dhënë me qira deri në këto momente, çfarë kriteresh ka MTKRS-ja për dhënien me qira (dikujt mund t’ia japë për 30 vjet e dikujt për 10 vjet) dhe sa kontrolle ka bërë MTKRS-ja në këto objekte të dhëna me qira?”, ka qenë pyetja e deputetit socialist Fidel Ylli.
Një bar-restorant në kalanë e Shkodrës, bar-galeri arti në Torrën Veneciane në Durrës, bar-restorant në kalanë e Prezës, bar-restorant në Apoloni, bar në mjediset e brendshme të kalasë së Gjirokastrës (nuk është në shfrytëzim prej vitit 2007), janë rastet e renditura nga ministri Bumçi, i cili shtoi se kanë marrë edhe një kërkesë për Torrën juglindore në kalanë e Elbasanit. Ministri ka theksuar në këtë rast se të gjitha këto janë kontrata njëvjeçare e nuk përbëjnë problem, përveç rastit të kalasë së Petrelës në vitin 2002 dhe kalasë së Lëkurësit në vitin 2000 që janë dhënë për një periudhë 20-vjeçare, e për të cilën Bumçi tregoi edhe kontratën e firmosur nga zoti Rama.
“Çfarë raporti parashikon ky projekt mes sistemit të shërbimit dhe monumentit, a do të jenë të vendosura këto objekte brenda zonës së monumenteve apo përreth tyre? Është e rëndësishme të dimë nëse objekti kulturor në këtë rast shndërrohet në funksion të biznesit apo garantohet një ndarje e qartë mes sistemit të shërbimit dhe monumentit. Po të marrim rastin e kalasë së Petrelës, është një rast skandaloz, sepse atje nuk shohim gjë tjetër vetëm një lokal që është ngritur mbi muret e vjetra”, ka ndërhyrë deputeti i PD-së, Mark Marku. “Shërbimet janë pjesë thelbësore e monumenteve dhe shembuj për këtë janë parqet arkeologjike. Përveç zonës A që përbëjnë edhe zemrën e tyre, kemi zonat B dhe C, ku ka mundësi të krijohen parkime, restorante, tualete, apo ambiente për shitjen e artizanatit. Në rastet e kalave, kur ato kanë më shumë hapësirë në ambientet e tyre të brendshme, do të bëhen ndërhyrje me materiale të rikthyeshme, në mënyrë që të mos jenë themele që të dëmtojnë pasurinë nëntokësore. Paraprakisht do të bëhen gërmime arkeologjike, por gjithsesi do të përdoren elemente xhami apo druri që të mos ketë dëmtime. Një kusht bazë në secilën prej këtyre monumenteve që do të rijetëzohen, do të jetë edhe ngritja e një muzeu që të shërbejë për promovimin e vlerave kulturore të zonës”, ka theksuar Bumçi. Për sa i përket një liste të saktë të monumenteve, Bumçi u shpreh se ende nuk e kanë një të tillë, por sapo të jetë gati do të bëhet gjithçka publike dhe premtoi po ashtu një proces të hapur edhe për konkurrimet e subjekteve private. “Ne do të dalim me një listë që të përfshijë një numër jo shumë të madh të monumenteve, në mënyrë që të jemi në gjendje t’i kontrollojmë dhe me fitimin e përvojës, mund të shtojmë edhe monumente të tjera”, është shprehur Bumçi. Sipas tij, pika thelbësore e këtij debati është realizimi i kontratës, për të cilën Bumçi theksoi disa herë me radhë se do të hartohet në bazë të përvojës së vendeve të tjera, duke marrë në konsideratë edhe problemet që kanë dalë me ato pak monumente të dhëna në Shqipëri. “Ne synojmë mirëmbajtjen e përditshme të monumenteve dhe synimi i bashkëpunimit me privatin shkon në këtë kah. Nëse një subjekt privat nuk gjeneron të ardhura, do të largohet”, ka theksuar ministri. Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes socialiste Paulina Hoxha: nëse ekziston mundësia që një kompani e huaj të marrë me koncesion monumentet tona, pra një kompani malazeze të marrë në qira kalanë e Shkodrës, Bumçi ka theksuar se konkurrimi do të jetë i hapur edhe për kompanitë e huaja. Sipas tij, në këtë pikë ligji shqiptar nuk është diskriminues, por do të ketë kritere të forta. Nga ana tjetër, Bumçi nuk i ka cilësuar praktika të dështuara rastet e Petrelës dhe Lëkurësit, siç i etiketoi në ndërhyrjen e saj deputetja e PS-së Luiza Xhuvani, duke thënë se në këto dy kala duhet të ishte treguar më shumë kujdes në hartimin e kontratave. Tonet e debatit kanë ndryshuar pas ndërhyrjes së deputetit socialist Fatmir Toçi. “Propozimi që bëhet për të dhënë monumentet me qira është një zgjidhje absurde dhe e frikshme. Kjo pasuri mijëravjeçare do të lihet në dorë të privatit dhe nuk mendoj se është në interes të monumenteve. Në këto 20 vjet ne kemi parë Prezën, Petrelën, Lëkurësin, kalanë e Krujës që është tmerr nga brenda e tmerr nga jashtë. Këto janë fakte që duhet të na bëjnë të mendojmë që shoqërisë shqiptare i ka hipur mania për të shitur çdo gjë e kthyer në politikë që po shkatërron identitetin tonë. Më vjen keq që zërat e shoqërisë civile u keqpërdorën dhe u bënë objekt humori. Ju keni vënë në krye të institucioneve që merren me monumentet nja dy specialistë për arsye politike që e kanë mbushur edhe moshën e pensionit”, ka thënë Toçi. Kjo ka shkaktuar reagimin e Bumçit, i cili është përgjigjur: “Nëse fillojmë të flasim me terma të frikshme e të rrezikshme, atëherë shkoni e kërkoni llogari për kontratën që ka firmosur Rama në vitin 2000. Përfaqësuesit e shoqërisë civile të shkojnë t’i bëjnë gjyqin Partisë socialiste. Politizimi nuk po ndodh nga ne, por nga ata që kanë dalë kundër kësaj nisme e që janë ata që kanë firmosur këto kontrata. Nëse në të gjithë këtë nismë është dikush kriminel, atëherë zoti Rama është krimineli i parë”, ka përfunduar Bumçi, i cili në fund të komisionit, ka theksuar se ky proces do të vazhdojë me hapa të matur. Ndërkohë, deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, ka folur me tone ironike, duke i thënë ministrit se duhet t’i bënin derman kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili, sipas tij, ka betonizuar në gjithë këto vite Durrësin.
Debati
Paloka: Forumi mbron interesa politike
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, e ka fokusuar ndërhyrjen e tij në kundërshtimin që Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë i ka bërë kësaj iniciative, duke hedhur edhe akuza ndaj tyre. “Unë jam deputet në Lezhë, ku kalaja e këtij qyteti mendohet t’i nënshtrohet kësaj nisme. Debati apo kundërshtimet u filluan nga një grupim që quhet Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, i cili përbëhet kryesisht nga ish-zyrtarë të lartë të partisë dhe qeverisë socialiste, pikërisht në këtë fushë. Njëri prej tyre është ish-drejtor i trashëgimisë kulturore në ministri dhe ish-zv.ministër, i akuzuar për trafikimin antikesh nga Vlora, një tjetër ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës është ai që ka firmosur me dorën e tij shndërrimin e kalave, është edhe ai që quhet profesori, autor i projekteve të firmosura nga ish-drejtori i IMK-së, është një ish-kadet ushtrie i vetëshpallur studiues, i cili së fundmi ka marrë edhe rolin e Indiana Xhonsit, duke shkatërruar vendet arkeologjike, një ish-drejtoreshë kabineti e zotit Rama dhe pastaj punoi si drejtoreshë edhe me zotin Pango. Të gjitha këto (kontratat) janë bërë të firmosur nga këta njerëz që erdhën këtu dhe luanin rolin e të shqetësuarve. Pyetja ime është nëse ju mendoni se këto kundërshti lidhen vërtet me shqetësimin e këtyre individëve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore apo janë thjesht pjesë e luftës politike apo interesave të tyre të ngushta me shpresën se do të vijnë sërish në pushtet e do t’i marrin sërish këto kala”, ka theksuar Paloka. Ndaj kësaj pyetjeje Bumçi ka thënë vetëm se nuk do të bënte paragjykime dhe se ishte i gatshëm për diskutime që do të sillnin më të mirën.