Objektet me probleme, edhe pse kaluan në testim
Policia ka pranuar defektet në uniformë nëpërmjet një urdhri të nxjerrë nga drejtori i përgjithshëm, që kërkon të kthehen mbrapsht të gjitha objektet që kanë probleme cilësie. Urdhri nga kreu i Policisë, Hysni Burgaj, është dhënë në mars të këtij viti, duke kërkuar që të gjithë punonjësit të kthejnë në Qendrën e Furnizimit të Materialit Teknik të gjitha uniformat me defekte, ndërkohë që detyron firmën për t’i zëvendësuar. Megjithatë, shqetësues mbetet fakti se këto objekte të uniformës me defekte kanë kaluar kontrolle të njëpasnjëshme dhe duhej të ishin bllokuar që më parë dhe mos të shkonin deri te punonjësit e policisë. Bëhet fjalë për tenderin e uniformave, për të cilin është bërë kallëzim në prokurori dhe tashmë kanë nisur hetimet.
Urdhri i Burgajt për uniformat
Sipas të dhënave nga policia, urdhri ka dalë që më 26 mars, i firmosur nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë, në mungesë të Burgajt, mbi funksionalitetin e përdorimit të uniformës. Që në pikën e parë të këtij urdhri deklarohet se për çdo defekt apo mospërputhje që konstatohet në objektet e uniformës nga momenti i vënies në përdorim, deri në një vit dhe që vijnë si rezultat i cilësisë së dobët, të grumbullohen, të dokumentohen me procesverbal, ku të përcaktohet emër, mbiemër, nr. RMIS, funksioni që kryen punonjësi, të specifikohet natyra e defektit dhe të dërgohen në QFMT, për zëvendësimin e tyre, me shkresë zyrtare. Madje, kopje e këtyre shkresave do i dërgohen për njohje subjektit “Gjergjefi” shpk, e cila ka fituar tenderin e uniformave dhe mbikëqyrësit të kontratës, Genti Guxho. Por, nga ana tjetër, që në këtë pikë të lë të kuptosh se objektet e uniformës së policisë kanë dalë me defekte dhe tashmë po kërkohet zëvendësimi i tyre.
Më tej, në urdhër citohet se çdo konstatim i të metave të sendit, (objekteve të uniformës), që nuk reklamohen te subjekti sipërmarrës brenda dhjetë ditëve nga zbulimi i tyre, humbet të drejtën e reklamimit. “Njësitë shpenzuese duhet t’i sigurojnë të gjitha mundësitë e arsyeshme subjektit sipërmarrës për të inspektuar defektet në vend. Ndërsa për defektet që vijnë si pasojë e shkeljes së instruktazhit të përdorimit, mirëmbajtjes, larjes, pastrimit etj., të objekteve të uniformës, subjekti sipërmarrës nuk mban përgjegjësi”, thuhet në urdhrin e policisë.
Si do të veprohet me uniformat me defekt
Pas konstatimeve, Qendra e Furnizimit Materialo-Teknik në Mullet, sipas urdhrit duhet të marrë masat për pritjen e objekteve të uniformës me defekte, që do të dorëzohen nga njësitë shpenzuese, duke hartuar një fletë hyrje provizore. Në këtë këndvështrim është përgatitur një ambient i veçantë për magazinimin e objekteve të defektuara për reklamimin dhe kthimin mbrapsht subjektit sipërmarrës për zëvendësim. Për vlerësimin e objekteve të dorëzuara nga njësitë shpenzuese është krijuar në QFMT një komision i përbërë nga përfaqësuesi i firmës, mbikëqyrësi i kontratës, specialisti i uniformave në sektorin e shërbimeve në Drejtorinë Ekonomike dhe shefi i seksionit të shpërndarjes në QFMT. Komisioni mblidhet të premten e fundit të çdo muaji. Për çdo mbledhje hartohet procesverbali ku evidentohen të gjitha objektet e kthyera dhe rekomandimet përkatëse. Procesverbali hartohet në katër kopje, nga të cilat, një qëndron në QFMT, një e merr kontraktuesi, një mbikëqyrësi i kontratës dhe një kopje i dërgohet nëpërmjet specialistit sektorit të shërbimeve në Drejtorinë Ekonomike. Mbi bazën e procesverbalit, Drejtoria Ekonomike autorizon subjektin kontraktues të zëvendësojë objektin e dëmtuar brenda dhjetë ditëve nga momenti i njoftimit. Kopje e autorizimit i dërgohet edhe njësisë përfituese dhe QFMT-së. Ndërkaq, QFMT-ja asgjëson objektet e dëmtuara në mbarim të çdo gjashtëmujori, ndërsa titullarët e njësive shpenzuese janë urdhëruar të marrin masa dhe të sigurojnë kontroll të vazhdueshëm për përdorimin e uniformës.
“Sekuestrohen” dokumentet e tenderit në polici
Hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Tiranës pas kallëzimit për uniformat e policisë mësohet se kanë sjellë “sekuestrimin” e dokumenteve të procedurës së tenderit. Task-Forcë ka marrë të gjithë dokumentacionin e tenderit, me qëllim verifikimin e tij, ndërkohë që tashmë do të merren specialistët për të bërë vlerësimin në lidhje me akuzat e ngritura në kallëzimin e Partisë Socialiste për këtë tender. Pas të gjitha verifikimeve, organi i akuzës së kryeqytetit pritet të marrë vendimin për këtë tender, nëse të paditurit do të merren të pandehur, apo çështja do të pushohet. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, ka paditur drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, si dhe specialistët e drejtorisë ekonomike dhe të sektorit të tenderimit, duke i akuzuar se kanë shkaktuar dëm ekonomik me tenderin prej 1.8 miliardë lekësh pa TVSH. Aktualisht, punonjësit e policisë kanë filluar të ankohen për cilësinë e dobët të veshjeve, por edhe të këpucëve, të prodhuara nga ky tender.
Urdhri
Për çdo defekt apo mospërputhje që konstatohet në objektet e uniformës që vijnë nga cilësia e dobët, ato duhet të dërgohen në QFMT, për zëvendësimin e tyre
Shkresat
Kopjet e shkresave do i dërgohen për njohje subjektit “Gjergjefi” shpk, e cila ka fituar tenderin e uniformave, dhe mbikëqyrësit të kontratës, Genti Guxho
Gabimet
Drejtuesit e policisë kanë vënë re se në objekte të ndryshme të uniformës, qepja nuk ka qenë e rregullt, ose nuk është vendosur grada në pozicionin e duhur