Deputeti socialist, kryetar i Komisionit të Integrimit, shton argumentet pse PS-ja nuk voton në datën 6 gusht
Fatjona Mejdini
Partia Socialiste, e gjendur përpara presionit të vazhdueshëm të mazhorancës për të votuar kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë në 6 gusht, ka shtuar argumentet kundër kësaj nisme dje, nëpërmjet deputetit Ditmir Bushati. Sipas Bushatit, i cili mban dhe pozicionin e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, kufizimi i imunitetit në mënyrë të përshpejtuar nuk mund ta zgjidhë problemin e korrupsionit në Shqipëri. Duke iu referuar akuzave se mosvotimi i nismës së imunitetit do të ndikonte në mosmarrjen e statusit kandidat të Shqipërisë këtë tetor në Bashkimin Europian, Bushati deklaroi se BE-ja kërkon luftën kundër korrupsionit dhe për të arritur këtë, qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një sërë masash. Sipas tij, Kryeministri Berisha në vend të mbajë përgjegjësi për mosluftimin e korrupsionit, pretendon se me heqjen e imunitetit muri i korrupsionit bie në mënyrë automatike. “Kufizimi i imunitetit në asnjë rrethanë nuk mund të barazohet me përmbushjen e detyrimeve që ka vendi ynë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për ne, kufizimi i imunitetit është veçse pikënisja që duhet të shoqërohet me masa të qarta antikorrupsion, për sa i përket kontrollit mbi kompanitë shtetërore, ku shteti është aksioner, adresimin e konfliktit të interesit, kuadrin normativ në fushën e prokurimeve publike dhe të të gjithë sektorëve që vuajnë nga metastazat e korrupsionit, si: tatimet, doganat, sistemi shkollor, shëndetësor”, theksoi Bushati. Sipas tij, Berisha po bën vetëm një propagandë bajate me këtë çështje, duke kërkuar të mbulojë problemet e ditës. Bushati gjeti rastin të përsëriste dje edhe qëndrimin e PS-së, se heqja e imunitetit nuk mund të votohej pa miratuar gjithashtu edhe disa nisma të tjera për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe thellimin e luftës antikorrupsion. “Ne socialistët kemi qenë nismëtarët për kufizimin e imunitetit në rrugë kushtetuese, çka shquhej qartë edhe në citimet e djeshme të ministres së Integrimit Europian. Ndaj, kemi votuar pro, në parim e nen për nen, ndryshimet e propozuara. Por, meqenëse jemi duke ndërhyrë në Kushtetutë, kemi propozuar edhe një sërë reformash të tjera, që gjithashtu kërkojnë ndryshime kushtetuese, për të garantuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë, çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Bushati. Ai konfirmoi edhe njëherë faktin se PS-ja nuk do ta votonte nismën për ndryshimin e Kushtetutës për imunitetet në datën 6 gusht, pasi kjo ishte një datë e njëanshme, e cila nuk garantonte votimin e drafteve shtesë që kërkonin socialistët. Sipas tij, PS-ja po këmbëngulte që të mos lejonte më që në vend drejtësia të mos ishte “një mall i shtrenjtë që blihej në treg”.
“Çështja e imunitetit po shpërdorohet në funksion të nevojave të politikës së ditës, duke maskuar në të njëjtën kohë problemet e mprehta ekonomike e sociale me të cilat përballet jeta e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi”