Sterkaj: PS po kalon një moment të keq. Humbëm bashkinë në mënyrë qesharake
Pushteti vendor, i lidhur me çështjen e punësimeve në administratën publike, ishin në fokus të debateve të ashpra që u zhvilluan dje në mbledhjen e strukturave të PS-së për Shkodrën, aty ku e majta humbi zgjedhjet për bashkinë. Në mungesë të kryesocialistit Edi Rama mbledhja u drejtua pikërisht nga koordinatori i rajonit Shkodër – Lezhë, Ditmir Bushatit. Struktura bazë e PS-së në këtë qark u akuzua se nuk ka punuar ashtu siç duhet, prandaj edhe mori një rezultat humbës në Bashkinë Shkodër. Nga ana tjetër, anëtarët e PS-së kanë akuzuar drejtuesit e selisë rozë se i kanë lanë në harresë të plotë. Teksa ka lajmëruar procesin e zgjedhjeve në parti, ai u ka bërë thirrje deputetëve që të punojnë më shumë me bazën dhe të dëgjojnë shqetësimet e elektoratit, duke mos iu kthyer përgjigje kritikave që erdhën në raport me punësimet, ku sipas të majtëve, LSI-ja ka punësuar më shumë militantë të vetë. “Jemi pak dhe duhet të rritemi në numër e të mos krijojmë situatë grupazhesh. PD-ja ishte në ditën më të keqe dhe nuk mundëm të fitonim, duhet të bashkohemi. Deputetët do të kenë një përgjegjësi më të madhe politike, ndërsa të deleguarit do të kenë përgjegjësi për organizatat. FRESH-i dhe organizata e gruas duhet të kenë më shumë peshë. Duhet të zgjerohemi në territor. Nuk mendoj që Jozefina Topalli dhe Voltana Ademi mbollën lule dhe fituan në Shkodër”, mësohet të jetë shprehur Bushati, i cili më tej ka sqaruar edhe fazën e dytë që do të ndiqet. “Faza e dytë janë zgjedhjet në parti. Duhet të përfshijmë më shumë njerëz, edhe ata që humbën në zgjedhje. Dyfishim i PS-së është prioritet, jo të shkojmë në zgjedhje dhe të bëjmë lojën e zakonshme me paracaktim të drejtuesve. Do të ketë ndershmëri maksimale në këtë proces. Kushdo mund ta provojë veten dhe nuk do të jetë më një lojë që nuk na rezultoi pozitive”, mësohet të jetë shprehur Bushati. Kritikat kanë ardhur nga deputeti Sterkaj, i cili e ka konsideruar një moment të keq këtë që po kalon PS-ja në Shkodër ku, sipas tij, PS-ja humbi Shkodrën në mënyrë qesharake, por ka fituar bashki të tjera në të gjithë vendin. “PS-ja po kalon një moment të keq. Fituam bashki të tjera, por humbën Shkodrën në mënyrë qesharake. Shumë njerëz marrin trofe dhe thonë unë, unë, por duhet të përfitojnë ata që kanë kontributin maksimal. Administrata në Shkodër është bërë me njohje e lidhje dhe jo kontribute”, mësohet të jetë shprehur Sterkaj. Por pas mbledhjes, ai tha se nuk ka aspak përplasje me LSI-në. “Ky nuk është pesimizëm, është nxitje për reflektim, për organizim. Absolutisht që një pjesë e emërimeve në administratë nuk janë kryer për shkak të kontributeve të nivelit profesional dhe cilësisë së tyre, është për shkak të njohjeve. Kjo do të rishikohet, sepse ka lidhje me shërbimet që i bëhen komunitetit në Shkodër. Njerëzit që vijnë për shkak të njohjeve nuk i bëjnë shërbim si duhet popullit, kjo na jep impakt negativ edhe në qeverisjen tonë. Nuk kemi asnjë fërkim, as me Gonin, as me LSI-në. Marrëdhëniet me LSI-në janë perfekte, të paktën të miat me LSI-në në Shkodër edhe në qendër atje i kam perfekte”, ka thënë Sterkaj.