Ministri i Jashtëm, intervistë për “Zërin e Amerikës”


bushatiMinistri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një intervistë të dhënë dje për “Zërin e Amerikës” nga Uashingtoni, ku mori pjesë në një konferencë për NATO-n dhe Bashkimin Europian të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, deklaroi se kriza e Ukrainës ka sjellë efektin e saj edhe në Ballkan. Sipas tij, kjo krizë ka sjellë edhe një herë në pikëpyetje perimetrin e sigurisë së NATO-s në zonat rreth e përqark saj, të cilat, sidomos kur bëhet fjalë për Ballkanin, konsideroheshin zona nën një lloj mbikëqyrjeje perëndimore. “Kriza e Ukrainës ka sjellë efektet e saj edhe në rajonin tonë. Më lejoni të theksoj që sot për sot, rajoni duket sikur është i ndarë në dy kategori: në kategorinë e vendeve të cilat u janë bashkëngjitur qëndrimeve të qarta të SHBA-së dhe BE-së, qoftë në planin bilateral, ashtu dhe në suazën e organizmave ndërkombëtare dhe vendeve të tjera të rajonit, të cilat për fat të keq, kanë adoptuar ose një qasje neutrale ose një qasje abstenuese ndaj sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë ndërmarrë ndaj Rusisë”, deklaroi Bushati. Për sa i përket sfidës së ardhshme të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, Bushati u shpreh se ai ka bindjen se Shqipëria do ta kalojë me sukses atë. “Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt kandidaturës në BE. Besoj që Këshilli, në qershor, do t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Është një vendim tashmë i vonuar kur vjen puna te Shqipëria, sepse është një proces në të cilin vendi ka katër vjet që endet dhe që është pjesë përbërëse e tij”, tha Bushati.