Reagimi


Drejtori i spitalit të Rrëshenit, Gjovalin Bushi, deklaroi dje se vendimi për të shkarkuar shtatë punonjës në këtë institucion ka ardhur për rrjedhojë të vendimeve të marra nga Këshilli i Ministrave dhe nga Ministria e Shëndetësisë. Në një prononcim për “Shqip”, në kuadër të shqetësimit të ngritur nga deputeti demokrat, Mark Marku, për këtë çështje, Bushi deklaroi se shkurtimet në staf kanë ardhur fillimisht nga miratimi i strukturave të reja për spitalet nga Këshilli i Ministrave. Ai shpjegon se për përzgjedhjen e personave që do të shkurtoheshin është ngritur një grup i posaçëm pune në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili e ka marrë këtë vendim dhe jo drejtori i spitalit të Rrëshenit. Bushi thekson dhe faktin se personat që janë shkarkuar janë infermierë dhe sanitarë dhe se në dijeninë e tij nuk janë anëtarë të ndonjë partie politike. Çështja e shkarkimeve të shtatë punonjësve të spitalit të Rrëshenit dhe lidhja e kësaj ngjarjeje me raportet mes PD-së dhe LSI-së në bazë, u ngrit nga deputeti demokrat i Mirditës, Mark Marku, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar demokrat. Burimet bëjnë të ditur se Marku i kërkoi Berishës të interesohej për atë çfarë ndodhte në spitalin e Rrëshenit, ku sipas tij mbështetës të Partisë Demokratike po largoheshin nga detyra.


 


Qëndrimet


Deputeti i PD-së, Mark Marku, është evidentuar tashmë si një ligjvënës aktiv, i cili nuk ka nguruar të kritikojë dhe mënyrën sesi po drejtohet PD-ja.