Ristani: Jemi të kënaqur me fondet e caktuara


Projektligji për buxhetin 2013 për Ministrinë e Brendshme ka shkaktuar debate mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Zëvendësministri Arben Ristani ka deklaruar se ky buxhet plotëson nevojat e këtij institucioni, ndërsa opozita u ka adresuar pyetje të shumta përfaqësuesve të kësaj ministrie. Deputeti i PS-së, Gazmend Bizhga, ka ngritur shqetësimin se në buxhetin 2013, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është ndër shërbimet e inteligjencës më të privilegjuar, madje edhe nga Shërbimi Informativ Kombëtar.


“Janë 140 milionë lekë të reja për 90 punonjës, ndërkohë që me këtë numër punonjësish që ka Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, vlera financiare, që përkon për blerjen e informacionit dhe ngritjen e rrjetit, është shumë më e madhe sesa ajo që ka Shërbimi Informativ i Shtetit, i cili ka në mos gaboj 930 punonjës të paktën të evidentuar në buxhetin e këtij shteti”, u shpreh Bizhga. Një tjetër fakt është dhënë për çështjen e reformës në polici. Mësohet se pritet të ketë rritje të numrit të efektivë të policisë. “Numri i punonjësve të PSH aktualisht është 9915, por nga ana tjetër ju bëjmë me dije se aktualisht është i miratuar dhe një urdhër i ministrit për të rishikuar strukturat e Policisë së Shtetit në mënyrë të veçantë, në mënyrë që komisariatet e policisë të kenë shtim të numrit, duke shikuar mundësinë e reduktimit të strukturave drejtuese, për të fuqizuar strukturat operuese”, tha zyrtari i MB-së, Viktor Hysa. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni e cilësoi si tallës këtë projektbuxhet. Opozita ka qenë kundër miratimit në parim të projektbuxhetit të Ministrisë së Brendshme në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Pasdite komisioni ka zhvilluar një seancë me kreun e SHISH, Visho Likajn, ku është njohur me kërkesën për rritje të fondeve.