Dekriminalizimi


komisioni per dekriminalizimin_1


Oerd Bylykbashi


Nëse ju (mazhoranca) keni marrë një vendim për t’iu bashkuar punës, ne jemi gati të diskutojmë për formën dhe përmbajtjen e tij, në mënyrë që kriminelët të mos jenë pjesë e administratës. Propozimi i qeverisë është kopje identike e elementeve themelore të dokumentit të PD. Kanë kopjuar apo jo?  Kjo është tjetër çështje.


Taluant Balla


Varianti i propozuar prej jush(PD) bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ligjin referencë ‘Severino’, pasi ndryshimet ‘alla shqiptarçe’ të kryera në këtë variant e bëjnë ligjin të pazbatueshëm”. Varianti ynë që adreson fjalë për fjalë dhe germë për germë rezolutën e 24 dhjetorit


Eduard Halimi


“Kjo seancë është po ajo skemë që e kupton edhe një fëmijë 7 vjeç, kjo sjellje e mazhorancës është bërë si telenovelë indiane. Sollëm draftin para zgjedhjeve dhe këta sajuan procedura për ta bllokuar. Nuk ju nxjerr mirë, tregon vetëm një gjë të qartë si kristal, që nuk e keni seriozisht”


Opozita është gjetur përballë një lëvizje të papritur të mazhorancës, e cila i ka hedhur në tavolinë kartën e një drafti të qeverisë për çështjen e dekriminalizimit. Pikërisht kjo gjë e deklaruar nga ana e nënkryetarit të komisionit, socialistit Taulant Balla ka qenë dhe objekt i debatit në mbledhjen e komisionit të posaçëm, që u shoqërua mbi të gjitha dhe me kërkesën për dhënien fund të kësaj strukture të posaçme. “Varianti i propozuar prej jush(PD) bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ligjin referencë ‘Severino’, pasi ndryshimet ‘alla shqiptarçe’ të kryera në këtë variant e bëjnë ligjin të pazbatueshëm”, tha Balla. Më tej, nënkryetari i grupit të PS-së, iu referua nismës së propozuar nga qeveria, duke e konsideruar si të bazuar tërësisht në standardin e vendosur nga ligji ‘Severino’ dhe në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në praktikat më të mira.


“Ky ligj, i shoqëruar me amendamentet kushtetuese të nevojshme, është varianti ynë që adreson fjalë për fjalë dhe germë për germë rezolutën e miratuar më 24 dhjetor 2014 në Kuvend, që palët të punojnë me konsensus për çështjen e personave me rekorde kriminale, tha nënkryetari i komisionit. Balla pohoi se ndonëse palët e kanë të pamundur të punojnë për një variant të përbashkët ‘për dekriminalizimin’, me rëndësi, sipas tij, është vullneti politik. “Ne e kemi vullnetin të shprehur sot përmes vendimit të qeverisë për t’i sjellë Parlamentit një projektligj të plotë që i jep zgjidhje përfundimtare çdolloj abuzimi në këtë drejtim. Ne do të kërkojmë shqyrtimin me urgjencë të këtij në Kuvend dhe ju bëjmë thirrje që edhe ju ta lexoni draftin dhe amendamentet e ardhura prej nesh. Ne shprehim gatishmërinë tonë t’i marrim parasysh e të hedhim në draft propozimet tuaja, nëse janë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, theksoi Balla. Kryekomisioneri Oerd Bylykbashi ndërkohë bëri të ditur se nuk mund të bllokohet puna e komisionit të posaçëm dhe se nga ajo sa dëgjuar në media, varianti i qeverisë është i ngjashëm me atë të opozitës. “Nëse ju(mazhoranca) keni marrë një vendim për t’iu bashkuar punës, ne jemi gati të diskutojmë për formën dhe përmbajtjen e tij, në mënyrë që kriminelët të mos jenë pjesë e administratës. Çdo tentativë tjetër do ishte një veprim i qëllimshëm për të thyer marrëveshjen politike të dhjetorit. Puna e këtij komisioni është parakusht për punën e reformës në drejtësi dhe atë zgjedhore. Propozimi i qeverisë është kopje identike e elementeve themelore të dokumentit të PD. Kanë kopjuar apo jo? Kjo është tjetër çështje. Ky komision duhet të përmbyllë rolin që ka. Nëse ju nuk keni miratimin e tyre, komisioni është dekapituar. Askush nuk ka tagër që ta mbyllë punën e komisionit”, theksoi Bylykbashi. Pikërisht këtu kanë nisur dhe përplasjet, ku këto ndodhen jo vetëm mes dy kampeve, por dhe mes vetë socialistëve. Nëse Balla shprehej se nuk arrihet konsensus me draftin e PD-së, socialisti tjetër, Manja, thekson se do të ishte i kënaqur nëse arrihet një emërues i përbashkët për ligjin e dekriminalizimit. “Hajde gjejmë procedurën. Unë do të isha i nderuar që këto dy drafte t’i finalizojmë në komision”, tha më tej deputeti Ulsi Manja. Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, mazhoranca me këto manovra po tregon mungesë serioziteti. “Kjo seancë është po ajo skemë që e kupton edhe një fëmijë 7 vjeç, kjo sjellje e mazhorancës është bërë si telenovelë indiane. Sollëm draftin para zgjedhjeve dhe këta sajuam procedura për ta bllokuar. Nuk ju nxjerr mirë, tregon vetëm një gjë të qartë si kristal, që nuk e keni seriozisht dekriminalizimin, s’e keni pasur që ditën e parë. Dhe logjike është, nuk është se nuk e kuptojnë shqiptarët”, tha deputeti i PD-së. Demokratët kërkuan nisjen e punës për shqyrtimin e nismës së tyre, por një gjë e tillë hasi në kundërshtimin e socialistëve, duke theksuar se janë larg konsensusit. Kjo gjë solli dhe dështimin e kësaj mbledhjeje.