Bylykbashi OerdDeputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka reaguar në Facebook pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama. Bylykbashi shkruan se Rama pranon formulën e vendeve të rezervuara. Ai u shpreh se PD propozon që 12 komisionarët e vetingut të zgjidhen 6 nga mazhoranca dhe 6 nga opozita mes profesionistësh.


Postimi i Bylykbashit


Kryeministri Rama pranon formulën e “vendeve të rezervuara”.


Kryeministri dje kishte sajuar batutën e re folklorike për reformën në drejtësi. Sipas tij PD kishte lëvizur nga formula e “vendeve të rezervuara” tek formula e “vendeve të blinduara”. Vë bast që i ka pëlqyer shumë gjetja, por as qe e ka idenë se për çfarë flet.


PD propozon që 12 komisionarët e vetingut të zgjidhen 6 nga mazhoranca dhe 6 nga opozita mes profesionistësh, ndërsa formula e “votës së vetme të trafikueshme” që ngul këmbë kryeministri, bën që kryeministri të marrë me siguri matematikore 8 komisionerë që do shkarkojnë gjyqtarët dhe t’i mbajë për 9 vjet. Pas kësaj këta komisionerë ikin në shtëpi, pra do të punojnë vetëm një herë dhe vetëm për Ramën.


Pra kryeministri është shume dakord me PD; duhet formula e vendeve të rezervuara. Por ama, si mund të jete ai baras me PD?! Kurrë! Kryeministrit i duhet një divan me 8 “vende te rezervuara” që të shtrihet sa gjatë gjerë dhe të mbaje edhe telekomandën sipër barkut që ta komandojë drejtësinë sipas qejfit, pa u ngritur nga divani. Tamam si pasha, vetëm nargjileja i mungon.


Si e thoshte Brezhnjevi? Ajo që është e imja është e imja, ajo që është e jotja mund ta negociojmë. Pra 6 vendet e rezervuara të kryeministrit nuk diskutohen, por hajde të negociojmë ato të opozitës dhe mos t’i lëmë 6, por vetëm 4. Madje edhe 4 shumë janë por hajt, s’po e teprojmë! Kështu po që është reforme euroatlantike!


Rezervojini kryeministrit divanin me 8 vende dhe kompromisi u krye! Se mos thoni që kur kryeministri kontrollon shumicën e komisionarëve të vetingut politizohet gjyqësori, ore?! Rreziku vjen vetëm dhe vetëm nga 4 vendet e opozitës dhe këtë mediat e kryeministrit t’ia ngulin mirë në kokë shqiptarëve dhe të huajve! Kompromis ka, por duhen profesionistë për ta kuptuar.


8 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)