Motivacioni i largimit të Arbëresh Vokshit: Mori dy mijë euro për ndërtimin pa leje dhe nuk raportoi dy parcela me 1090 bimë hashashi dhe 12 thasë të mbushur me 100 kg marijuanë të presuar
Mariglen Mullai
Ish-shefi i Komisariatit të Kavajës u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës në dy raste, ryshfet për ndërtim pa leje dhe mosraportim të parcelave me drogë. Dje u mbushën 10 ditë qëkur Arbëresh Vokshi ishte pezulluar nga detyra e shefit të Komisariatit të Policisë në Kavajë dhe gjatë kësaj kohe ai shërbeu si specialist në Drejtorinë e Antiterrorit. Por me sa duket, të dhënat e Kontrollit të Brendshëm në polici dhe verifikimi gjatë këtyre ditëve ishte aq bindës saqë kryepolici Haki Çako të firmoste masën ekstreme ndaj Vokshit, duke e përjashtuar nga strukturat policore. Nuk dihet nëse Vokshi do ta apelojë këtë vendim brenda komisioneve në Policinë e Shtetit apo në gjykatë, ndërsa deri më tani ai nuk ka pranuar të reagojë apo komentojë rreth akuzave për të. Ndërkaq, postin e kryepolicit të Kavajës e ka marrë Edmond Meshini, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës. Fillimisht Meshini u komandua në këtë post, pas largimit të Vokshit, teksa prej pak ditësh ai ka marrë emërimin si shef i Komisariatit të Policisë së Kavajës. Në një njoftim për mediat, më 22 gusht të këtij viti, policia theksonte se “Komisar Arbëresh Vokshi, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Kavajë, DPQ Tiranë, ka kryer shkelje ose mosushtrim të kompetencave të policisë dhe përdorimi i detyrës si punonjës policie për interesa private, parashikuar nga ligji për Policinë e Shtetit”.
Ndërtimi pa leje
Policia e Shtetit ka bërë me dije se Arbëresh Vokshi akuzohet se i ka marrë dy mijë euro një personi kundrejt mbrojtjes së ndërtimit pa leje. Konkretisht, komisar Arbëresh Vokshi akuzohet se ka penguar kryerjen e veprimeve hetimore për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm”. Këtë çështje, SHÇBAja e kishte në hetim, bazuar në ankesën e një pronari. Ai kishte bërë një ndërtim të paligjshëm, si dhe pretendohej se punonjësi i policisë, komisar Arbëresh Vokshi, i ka marrë 2000 euro në favorizim të ndërtimit. Nga ana tjetër, nuk janë të qarta rrethanat për identitetin e pronarit të ndërtimit pa leje apo ngrehinën që është lejuar të ndërtohet. Burime policore thanë se ka dyshime për një ndërtesë që do të përdorej për biznes, brenda territorit të qytetit të Kavajës.
Parcelat e drogës
Në njoftim, policia sqaron se “efektivi nuk ka dhënë informacion në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Zambishë dhe në fshatin Çekë të Rrogozhinës, ku me datë 21 gusht 2015, janë zbuluar dhe asgjësuar parcela me kanabis. Në total, rezultuan të ishin 7090 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, si dhe 12 thasë të mbushur me 100 kg marijuanë e presuar”. Për këtë rast u ndoqën penalisht edhe kryepleqtë e këtyre fshatrave, të cilët u akuzuan se nuk kishin raportuar në polici për mbjelljen e drogës. Por kryepleqtë u proceduan po atë ditë, pra më 21 gusht, ndërsa ish-kryepolici i Kavajës u akuzua një ditë më vonë. Kryepleqtë mësohet se janë shprehur për oficerët se i kishin raportuar në polici të gjitha informacionet për mbjelljen e drogës, gjë e cila me sa duket rezulton e vërtetë, pasi vetë numri një i Policisë së Kavajës tashmë është nën akuzë për fshehje të këtyre parcelave me hashash.
Arbëresh Vokshi
Për ish-shefin e Policisë së Kavajës janë hedhur akuza të rënda edhe në kohën kur ishte në detyrë. Pas aksidentit të ndodhur në Kavajë të biznesmenit vlonjat, ku humbi jetën Bujana Bushi, familjarët pretenduan se viktima kishte 100 mijë euro me vete, të cilat s’u gjendën. Veç kësaj, pati përplasje procedurale të policisë me prokurorinë, ku sendet personale të viktimës iu dorëzuan prokurorit katër orë më vonë se deklarata e policisë, ku thuhej se materialet i dispononte prokuroria. Ndërkaq, Partia Demokratike e quan Vokshin si kreun e bandës së kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi.