Carmine Abate, shkrimtari kalabrez ka triumfuar në edicionin e 50-të të çmimit “Campiello”. Romani i tij “La collina del vento”(Kodra e erës), botuar nga “Mondadori” ka marrë 98 vota duke e renditur të parin mes pesë finalistëve. Ka qenë ky rasti që Abate të fliste sërish për rrënjët e tij, për Kalabrinë, për gjuhën arbëreshe, për thesaret e vendlindjes. Romani i tij, botuar në shkurt të vitit 2012, rrëfen sagën e një familjeje për 100 vjet, ku katër breza “luftojnë” për të ruajtur kodrën e erës.
Ngjarja e familjes Arcuri ndodh në një vend të fantazuar nga autori, afër Ciro Marina, në provincën e Crotones. Prej fillimeve të ‘900-s, burra dhe gra përjetojnë në atë fshat lindjen e fëmijëve, punojnë tokën për t’u ushqyer, shohin atje lodrat e fëmijërisë. Por ajo tokë mban shumë sekrete. Vrasja që hapi romanin është një prej tyre për të vazhduar më tej me thesaret që gjenden në rrënojat e qytetit antik të Krimisës. “Në romanin tim jam munduar të tregoj Italinë e viteve ‘900 përmes katër gjeneratave të një familjeje kalabreze shumë të guximshme. Tregohen historitë e të gjithë protagonistëve, përfshirë çështjet e dashurisë. Përveç personazheve të bërë prej mishi e kocke, është edhe një prej shpirti: kodra e Rossarco-s. Them një familje e guximshme sepse arrin t’i mbijetojë dhunës fashiste dhe asaj të Ndragetës”, thotë Abate. I njohur si një shkrimtar me origjinë shqiptare, Carmine Abate është përkthyer dhe botuar në shqip nga “Toena”. Në një intervistë të dhënë rreth tre vite më parë për gazetën “Shqip”, Abate ka treguar se e ka vizituar Shqipërinë edhe atëherë kur kufijtë ishin të mbyllur. “Në vitet ‘80, kam qenë dy herë në Shqipëri. Një herë si turist, ndoshta një ndër turistët e parë në mënyrë absolute, dhe një herë kam ardhur me një grup arbëreshësh, për të mësuar gjuhën shqipe në universitet. Shqipëria atëherë ishte e mbyllur, e ashpër dhe unë shpresoja të lëvizja lirisht nëpër rrugë e të flisja me njerëzit… Por ishte e pamundur, çdo hap që ne bënim, ishte i kontrolluar. Ndërkaq, kam qenë sërish në Shqipëri në vitin 2007 dhe gjeta një Shqipëri të ndryshuar, më moderne, më të gjallëruar”, ka treguar shkrimtari. Ai përsërit vazhdimisht se ka vazhduar të flasë arbërisht, edhe pse mësuesja e fillores i thoshte se kjo gjuhë nuk do t’u duhej në të ardhmen. Ndonëse i emigruar në Gjermani, ai nuk i harron rrënjët e vendit të tij ku kthehet herë pas here. Është vendi në të cilin jetojnë dhe janë të mbjella rrënjët e mia më të thella, vendi në të cilin më njohin dhe më përshëndesin: vendi im i origjinës është një minierë historish e emocionesh. Mes të tjerash, vlerësoj shumë komunitetin tonë, sepse gjatë shekujve nuk është mbyllur në guaskën e vet, por ka tentuar gjithnjë të ketë kontakte me botën jashtë, është një komunitet shumë i hapur me të tjerët dhe mendoj se në këtë mënyrë ka arritur ta ruajë e ta mbrojë më mirë gjuhën arbëreshe”, thekson Abate. Në gjysmë shekulli histori të çmimit “Campiello”, shkrimtari kalabrez thekson se pikërisht për këtë fakt ndien edhe më shumë përgjegjësi. I pyetur nëse kriza financiare dhe situata aktuale ndikojnë në përzgjedhjen e argumenteve që ai sjell në librat e tij, Abate përgjigjet: “Situata aktuale nuk ndikon në letërsinë time. Unë nisem gjithnjë nga një imazh fillestar, ku gjej të gjitha fillet e historisë që dua të tregoj. E tashmja është pjesë e të gjitha tregimeve, por detyra e letërsisë sipas meje është të përfshijë gjithçka që na ka bërë të jemi këta që jemi. Pra të thërrasim kujtesën jo në mënyrë nostalgjike, por si një mundësi për të deshifruar më mirë të tashmen. Letërsia duhet të jetë një dritë që ndriçon të tashmen”, thekson Abate. Duke qenë njëkohësisht edhe mësues në Trentino ku jeton aktualisht, Abate është i vetëdijshëm që çmimet letrare nuk mund të përhapin letërsinë apo të rrisin nivelin e të lexuarit. “Duhet punuar më shumë me bibliotekat dhe shkollat. Si mësues, çdo javë i kam çuar nxënësit për t’u dhënë një orë mësim në bibliotekë, në atë që e quajmë si vendi magjik. Nisma të tilla besojnë se i afrojnë më shumë të rinjtë me letërsinë”, tregon shkrimtari. Carmine Abate lindi në Carfizzi, një qytezë arbëreshe, provincë e Crotone-s. Ai u rrit mes Kalabrisë dhe Hamburgut, vend ku i ati kishte emigruar më parë. Ai transferohet në Gjermani menjëherë pas diplomimit në letërsi, ku jep mësim në shkollat e emigrantëve e nis të publikojë tregime, poezi e publicistikë. Në vitin 1984, del edhe libri i parë me tregime i tij, shkruar në gjuhën gjermane mbi emigrimin, historinë dhe jetën e një komuniteti kalabrez dhe emigrantëve të tij. Pas kësaj, në vitin 1991, publikohet romani i tij i parë “Il ballo tondo”. Do të duheshin vite derisa të botohej një tjetër roman. Shfaqet për lexuesin në vitin 1999, me “Motori i Skënderbeut” dhe “Mes dy detesh” me të cilin fiton edhe disa çmime letrare. Librat e Carmine Abate-s, përveçse kanë njohur sukses prej kritikës e lexuesit në Itali, janë përkthyer edhe në shumë vende të botës, mes të cilëve edhe në Shqipëri.