“Bursa e Lazaratit”


Deklaratat e krerëve të policisë shqiptare, pa asnjë ndërhyrje, rrisin çmimin. Si varion tregu miliona euro


[callout]Shifra


350 euro – Është mesatarisht 1 kilogram hashash që blihet në Lazarat


800 euro – Shitet 1 kilogram hashash nga “tregtarët” shqiptarë


5 euro – Është 1 gram hashash nga Lazarati në vendet perëndimore


5 mijë lekë – Është një “qese farmacie” me 4-5 gramë hashash në Shqipëri[/callout]


cigare hashashStina e verës, përveçse afron me të korrat e hashashit, rrit kërkesën për këtë lëndë narkotike. Si çdo vit, policia shqiptare arrin vetëm që të monitorojë zonat problematike, pa kryer operacione në terren. Të paktën kështu ka ndodhur për Komunën e Lazaratit, e cila vazhdon kultivimin në masë të gjerë. Sipas policisë shqiptare, por edhe asaj italiane, ka një “bursë Lazarati” në vendet fqinje, si Italia dhe Greqia, ku tregtohet kryesisht hashashi, e cila kap shifrën e pabesueshme të 4.5 miliardë euro. Po si llogaritet një shumë kaq e madhe dhe ku shkojnë të gjitha këto “fitime”? Sipas një përllogaritje të shifrave të dhëna nga italianët, Lazarati arrin të prodhojë 900 tonë hashash, me një vlerë 4.5 miliardë euro. Çmimi për 1 kilogram është rreth 5000 euro (5 euro grami). Kjo shifër nuk tregon saktësisht çmimin për 1 kilogram që fitojnë “fermerët” e Lazaratit. Sipas disa të dhënave konfidenciale, kryesisht nga policia, 1 kilogram hashash nga Lazarati varion nga 250-450 euro, pra një shumë e ulët nga sa deklaroi Guardia di Finanza. Megjithatë, shifrat e dhëna nga italianët qëndrojnë, pasi ata kanë llogaritur çmimin me pakicë, apo të gjithë zinxhirin e tregtimit të kësaj lënde.


Dihet që banorët e Lazaratit, por jo vetëm, pra personat që e kultivojnë këtë bimë, rrallëherë tregtojnë hashash. Ata janë të lidhur me grupe të tjera, nga Shqipëria apo të huaj, që arrijnë të nxjerrin hashashin nga fshati i Lazararit, pasi deri më tani, nëse qëndron në fshat, nuk ka rrezik të sekuestrohet. Nuk mbahet mend hera e fundit që policia ka ndërhyrë në këtë zonë. Mësohet se çmimi për 1 kilogram me shumicë është mesatarisht 350 euro. Personat që e nxjerrin këtë lëndë narkotike nga fshati marrin edhe ata një “taksë” dhe e shesin tek të tjerë tregtarë vendas për rreth 500 euro. Më pas, grupet e mëdha, që kanë edhe mjetet e duhura, si skafe apo kamionë, e tregtojnë kryesisht në rrugë detare por edhe tokësore hashashin në Greqi dhe Itali dhe e shesin te grupet italiane me një çmim rreth 800 euro. Më pas, këto grupe, pra italianët, arrijnë që ta përpunojnë dhe ua japin shpërndarësve me çmime më të larta për kilogramë, të cilat variojnë për nga cilësia. Mesatarisht, çmimi i hashashit në vende perëndimore, me pakicë, është rreth 5 euro 1 gram. Madje, kërkesa për mall shqiptar është rritur dhe mund të paguhet më shtrenjtë. Gruardia di Finanza ka llogaritur të gjithë zinxhirin e tregtimit të hashashit, që nga Lazarati e deri tek përdoruesi dhe llogaritë e saj janë të sakta.


Ndërkohë, çmimi në Shqipëri me pakicë i hashashit është disa herë më i ulët se në vendet perëndimore. Mësohet se një “qese farmacie” që ka mesatarisht nga 4 deri në 5 gramë shitet me një çmim 5 mijë lekë të vjetra. Ndërsa, nëse kërkon të marrësh sasi më të mëdha, të ofrohet edhe mundësia e negocimit. Aktualisht, mësohet se në Tiranë, apo në qytete të mëdha, “qesja e farmacisë” blihet me 5 mijë lekë, ndërsa në qytetet bregdetare, çmimi është dyfishuar, për shkak edhe të rrezikshmërisë për tregtimin e saj.


Sipas të dhënave konfidenciale, tregtarët dhe shpërndarësit e hashashit i referohen policisë për ulje apo ngritjen e çmimit. Kështu, në rast se policia organizon operacione për shkatërrimin e grupeve që tregtojnë këtë lëndë narkotike, çmimi rritet, pasi rritet edhe kërkesa për konsum. E njëjta gjë vlen edhe për shpërndarësit. Nëse arrestohen disa shpërndarës, të tjerët e shesin më shtrenjtë. s.ç


 


[callout]Korçë


Kultivuesit, të armatosur për të mbrojtur parcelat


Kultivuesit e kanabisit në zonat malore të rajonit të Korçës, kanë filluar të mbrojnë bimët narkotike me armë zjarri, duke ju kundërvënë jo vetëm keqbërësve që synojnë të vjelin këto bimë, por edhe forcave të policisë që ndërhyjnë për asgjësimin e tyre. Policia e Korçës ka arritur të identifikojë zona të mbjella me këtë bimë narkotike, por gjatë një aksioni për asgjësimin e tyre ka ndeshur edhe në persona të armatosur. Seli Dajo, 24 vjeç, nga Leskoviku, si dhe Olgert Shehu, 36 vjeç, nga Vlora, janë arrestuar prej policisë si autorë të dyshuar të mbjelljes dhe kultivimit të një sasie të konsiderueshme të bimëve narkotike. Policia sqaroi se kanë qenë informacionet e mbledhura nga Komisariati i Policisë së Kolonjës, ato që kanë çuar në identifikimin e një sipërfaqe toke të mbjellë me hashash në vendin e quajtur “Përroi i Stomjes” në afërsi të fshatit Vrepcke. “Një prej personave që u afruan tek parcelat e bimëve të drogës mbante në dorë një armë zjarri të tipit kallashnikov dhe gjatë lëvizjes nga një parcelë në tjetrën ka qëlluar edhe në ajër”, bënë të ditur burime zyrtare të Policisë Rajonale të Korçës. Dyshohet se ky person ka qenë 24-vjeçari nga Leskoviku, Seli Dajo, pasi gjatë kontrollit të mëtejshëm në banesën e tij i janë gjetur edhe fishekë kallashnikovi. Policia fillimisht ka asgjësuar rreth 25 rrënjë të bimëve narkotike kanabis sativa, por duke qenë se aksioni ka vënë në rrezik jetën e uniformave blu për shkak se kultivuesit e drogës dispononin armë, janë marrë fillimisht masat për arrestimin e tyre. G.A.[/callout]