Ka përfunduar në Bruksel darka e punës mes delegacioneve shtetërore nga Prishtina dhe Beogradi, takim në të cilin mori pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë pas takimit se pala që përfaqëson ai, pra Serbia, dhe pala tjetër, pra Kosova, u morën vesh që të vazhdojnë të dialogojnë në Bruksel, në nivelet më të larta.
Vuçiq këtë deklaratë e ka bërë pak minuta pas përfundimit të takimit Kosovë-Serbi më ndërmjetësim të Bashkimit Europian
Delegacionet e dy shteteve pu ërfaqësuan në nivelet më të larta: Kosova u përfaqësuaa nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa kurse Serbia nga presidenti Tomislav Nikoliç dhe kryeministri Aleksandar Vuçiç.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka filluar takimin në Bruksel me Presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa rreth orës 20:00.
Mogherini paraprakisht ka takuar presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliq dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiç.
Pas përfundimeve të takimeve bilaterale me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, të dy delegacionet zhvilluan një darkë pune, ku ishte e pranishme edhe Mogherini.
Gjatë takimit, i cili zgjati disa orë, është tentuar të ulen tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit, pas provokimit që Serbia bëri me trenin dhe arrestimin e ish kryeministrit Ramush Haradinaj.
Takimi i sotëm është i nivelit më të lartë që kanë mbajtur Prishtina dhe Beogradi ndonjë herë.
24 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)