Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në konferencën për shtyp bëri të ditur dhe vendimin se kur parashikohet lejimi i aktiviteteve dhe bizneseve që kërkojnë një praninë të madhe të njerëzve.
Sipas saj, do të vijojë të jetë i mbyllur transporti publik, për të cilin po punohet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një Plan i cili do të bëhet publik në një kohë të shpejtë.
“Po kështu do të vijojnë të jenë të ndaluara, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë dhe një thirrje për të mos patur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme”, tha ministrja.
Më tej ajo theksoi se “iu bëj një thirrje për më shumë përgjegjshmëri për të gjithë aktorët, palët politike, organizatat, që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të mos rrezikojmë duke thyer rregullat në një kohë kur virusi nuk është zhdukur dhe ku grumbullimet publike favorizojnë përhapjen e tij, në një kohë që çdo grumbullim, lëvizje dhe destinacion nëse konsiderohet jo i domosdoshëm të vlerësohet për t’u kryer në kohë apo forma të tjera të komunikimit”.