Ashtu si dhe ishte paralajmëruar më herët, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nisi sot konsultimet me përfaqësues të partive parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë.


Kreu i shtetit fillimisht ka pritur në Presidencë kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Takimi zgjati rreth 30 minuta dhe mësohet se Patozi nuk ka propozuar asnjë datë tek presidenti Nishani, me pretendimin se suksesi i zgjedhjeve nuk varet tek data. Patozi ka deklaruar se PD-ja është e hapur për çdo datë që do vendoset nga partitë e tjera, por ka theksuar se  OSBE ka kërkuar që të mos jetë data e fundit, ajo e 30 qershorit, për shkak se e ka të vështirë të sjellë vëzhguesit e vet. Patozi tha se PD është pro 23 qershorit, por megjithatë është në dorë të kreut të shtetit të vendosë.


Pas Patozit, Presidenti ka pritur kryetarin e grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi. Takimi mes të dyve ka zgjatur vetëm 25 minuta. Mësohet se Ruçi megjithëse nuk ka propozuar një datë konkrete për zgjedhjet, ka deklaruar se data 23 qershor është më e përshtatshme. Ai ka kërkuar vetëm që presidenti të vendosë sa më shpejt për datën. Pas takimeve me krerët e dy grupeve parlamentare më të mëdha, Nishani ka zhvilluar takime me kryetarin e grupit të LSI-së, Lefter Koka, i cili ka shkuar në takim me një propozim konkret. Koka ka propozuar që data e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të bëhet në datën 23 qershor. Duket se propozimi i LSI-së ka qenë edhe i PR-së, pasi kreu i kësaj partie Fatmir Mediu ka kërkuar që zgjedhjet të zhvillohen në datën 23 qershor. Pas këtyre takimeve kreu i shtetit u konsultua edhe me nënkryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Thanas Poçe (ora 14:00) dhe kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi (ora 15:00). Pritet që pas konsultimeve me partitë politike, kreu i shtetit pritet të takohet me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi dhe më pas të caktojë një datë fikse.


Nishani ka lënë jashtë axhendës së konsultimeve partinë e re të ish-presidentit Bamir Topi, ç’ka ka sjellë reagimin e Partisë Fryma e Re Demokratike. Gazmend Oketa ka deklaruar alibia e përdorur nga Presidenca se FRD nuk ka qenë parti në zgjedhjet e 2009, nuk qëndron, pasi edhe PDIU- nuk ka marr pjesë në zgjedhjet e 2009. “Presidenti nuk po konsultohet për zgjedhjet e vitit 2009, po të vitit 2013, dhe në praktikën e mëparshme presidenciale gjithmonë kanë qenë pjesë e konsultimit aktorët evident politik, përfshi dhe forcat e reja krijuara mes legjislaturave parlamentare. Ftesa e drejt për drejtë e presidentit për një parti politike si PDIU rrëzon alibinë e Presidentit. PDIU nuk ka konkurruar në zgjedhjet e vitit 2009 po në 17 shkurt 2011 nga deputete që ishin me sigël të tjera në zgjedhjet e vitit 2009. Sot është hera e parë që presidenti refuzon një parti politike”, deklaroi Oketa.


5 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)