Anëtari i shtatë i AMA-s, PD kërkon skemën e KQZ-së


Partia Demokratike tërhiqet nga varianti konsensual i formulës së AMA-s ish-KKRT-së. Në Komisionin Parlamentar të Medias, gjatë shqyrtimit të draftit është vënë re një tërheqje e demokratëve nga varianti në projekt, duke kërkuar zbatimin e skemës që Kuvendi zgjodhi për kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Për mendimin tim shorti është jo zgjidhje e mirë, pra është në njëfarë mënyre zhveshje nga përgjegjësitë e Parlamentit shqiptar, për të bërë një zgjidhje të mirë në fushën e mediave. Nuk ka kuptim që Kuvendi që zgjedhë të gjitha institucionet e pavarura të mos e zgjedhë dhe anëtarin e shtatë të AMA-s. Ne jemi për variantin e aplikuar për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, pra ta zgjedhë Kuvendi”, deklaroi nënkryetari i komisionit, demokrati Mark Marku. Deputetët e PS-së ishin të mendimit që të pranohej varianti në draft, për të cilin edhe më parë demokratët kishin rënë dakord. “Kjo këtu është zbërthyer që të ketë konsensus. Ne pse nuk kapemi që të kemi konsensusin, po kapemi te shorti se mos na ngelë në dorë? Ne nuk kemi frikë nga shorti. Nëse nuk ka konsensus për dy kandidatët që kanë zgjedhur palët, gjatë votimit në Kuvend, atëherë le të zgjidhet me short. Shortin e ka mbështetur ekspertiza dhe për këtë do t’i drejtohemi prapë ekspertizës nëse nuk do të merremi dot vesh. Dhe nuk po flasim për të parin, po flasim për anëtarin e shtatë”, deklaroi socialisti Dalipi. Kryekomisionerja Valentina Leskaj u shpreh se mazhoranca le ta paraqesë me shkrim propozimin e saj. “Nuk është zgjidhje shumica e thjeshtë, por të bëjmë një propozim, të jemi racionalë. Më përpara formuloni propozimin me shkrim, t’u shpërndahet deputetëve, të kenë mundësi ta shohin”, tha kryetarja e komisionit, deputetja e PS-së, Valentina Leskaj. Një debat tjetër u bë dhe për kuorumin e mbledhjes së AMA-s. Në draft parashikohej një shumicë e cilësuar, por PD-ja kërkonte një shumicë të thjeshtë, jo me 5, por me 4 anëtarë. B.HOTI