Mbledhja


Përcaktohet kalendari i punës për nisjen e vitit elektoral. Pa datë asambleja


Partia Socialiste ka mbajtur dje kryesinë e saj, ku thelbi i diskutimeve ka qenë nevoja për të përmbyllur menjëherë procesin e zgjedhjes së kryetarëve të saj nëpër degë. Drejtuesit e PS-së kanë kërkuar që zgjedhjet për kryetar PS-je të përfundojnë për të nisur më pas intensivisht fazën e organizimit për fushatë zgjedhore. Në mbledhjen me dyer të mbyllura që ka zgjedhur përreth dy orë paraditen e djeshme, mësohet se deputeti i PS-së i Qarkut të Vlorës, Arben Isaraj, ka folur mbi nevojën e përfundimit të procesit të zgjedhjes së kryetarit të PS-së në degën e Vlorës, një degë e rëndësishme kjo për sa u përket socialistëve. Po kështu, drejtuesit socialistë i kanë orientuar deputetët të mbikëqyrin procesin e zgjedhjes së kryetarëve të kësaj partie kryesisht në komuna, për të mos krijuar paqartësi dhe vonesa që mund t’i kushtojnë PS-së gjatë fushatës elektorale. Socialistët dje kanë folur edhe për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare brenda muajit tetor, pas përfundimit të zgjedhjeve socialiste në të gjithë vendin. Sipas tyre, mbledhja e kësaj asambleje është e domosdoshme në momentin kur temat ku do të fokusohet aksioni socialist kundër qeverisjes kanë nevojë të përcaktohen në mënyrë të qartë. Kjo asamble e radhës pritet të ketë një rëndësi të madhe në procesin e organizimit dhe programit politik që PS-ja do t’u ofrojë qytetarëve disa muaj përpara zgjedhje. Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje, se socialistët kanë brenda shumë rezerva, të cilat nuk janë shfrytëzuar siç duhet, që do të thotë se PS-ja duhet të rrisë përpjekjet për të qenë më afër atij që quhet “elektorat gri”. Në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura mësohet se Rama ka kërkuar që të mos nënvlerësohet asnjë element opozitar në bazën socialiste dhe po kështu i ka ftuar deputetët dhe anëtarët e tjerë të Asamblesë të përpiqen të përçojnë sa më thjesht te qytetarët programin e socialistëve. PS-ja kërkon me patjetër fitimin e zgjedhjeve në qershorin e vitit të ardhshëm pas tetë viteve në opozitë dhe burimet bëjnë të ditur se në kuadër të kësaj kërkese, puna organizative po kërkohet të forcohet. Nga ana tjetër, PS-ja ka nisur një fushatë për denoncimin me dokumente dhe fakte të qeverisë “Berisha”. Një nga betejat e para ka qenë ajo e abuzimeve me reklamën qeveritare. Një tjetër çështje që ka nisur prej javësh e që ka marrë tashmë intensitet të plotë, është edhe denoncimi i aferave korruptive në Ministrinë e Mbrojtjes, në kuadër të abuzimeve me tregtinë e armëve dhe dhënien e kompetencave joligjore disa strukturave të posaçme të kësaj ministrie. Në javët në vijim, të tjera afera qeveritare pritet të nxirren në dritë dhe paditë penale ndaj përfaqësuesve të mazhorancës do të jenë pjesë e pandarë e këtij procesi denoncimi. Një vëmendje të madhe në prag të fillimit zyrtar të fushatës, PS-ja i ka vendosur dhe ekonomisë. Kreu i PS-së e ka fokusuar retorikën te nevoja për të ndryshuar sistemin e taksave në Shqipëri dhe po kështu heqjen e taksës për biznesin e vogël. Në kushtet kur ekonomia e vendit po pëson një rënie të ndjeshme, PS-ja ka vendosur të propagandojë daljen e saj nga kriza, si një pikë të fortë të programit të saj.


Socialistët dje kanë folur edhe për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare brenda muajit tetor, pas përfundimit të zgjedhjeve socialiste në të gjithë vendin


 


Akuza


PS: Kryeministri po dhunon ligjin në shkolla


Socialistët dënuan dje në mbledhjen e kryesisë së tyre atë që e quajnë fushatë elektorale të Kryeministrit Sali Berisha në shkollat e vendit. Pas mbledhjes së këtij forumi të lartë, PS-ja deklaroi se denoncimi i këtij skandali do të vijonte, për shkak se Berisha me këto thirrje shkelte edhe ligjin për arsimin e lartë që ishte miratuar me konsensus nga demokratët dhe socialistët. “Kryeministri Berisha po shkel në mënyrën më të papranueshme pikat 4 dhe 8 të nenit 32 të ligjit për arsimin parauniversitar, të miratuar me konsensus jo më larg se maji i këtij viti, sipas të cilave arsimi parauniversitar jo vetëm është i depolitizuar, por ndalohet, në mënyrë kategorike, organizimi në këto institucione i veprimtarive partiake, si ato që po zhvillon Sali Berisha”, theksohet në deklaratën e Kryesisë së Partisë Socialiste. Por pavarësisht denoncimit që i ka bërë PS-ja kësaj çështjeje, Kryeministri Berisha dy ditë më parë deklaroi se nuk kishte ndërmend të ndërpriste komunikimin me të rinjtë për çështjet politike, që sipas tij ishte shumë inspirues. Sipas Berishës, të rinjtë duhet të dinin që kreu socialist, Edi Rama, kërkonte të bllokonte ëndrrën e tyre europiane. “Diskutimi me fëmijët, me të rinjtë, është nga më interesantët, më inspiruesit në jetën time. Unë atje nuk kam shkuar t’u them atyre se Edi Rama po trillon kur flet për 1 milion të papunë, jo, unë nuk ju kam deklaruar ndonjëherë atyre se Edi Rama po dezinformon kur thotë se ka një kolaps të biznesit të vogël, nuk u kam thënë atyre se është një mashtrim kur janë 8 mijë biznese të reja rishtas. Unë kam zgjedhur të diskutoj me ta për ëndrrën e tyre, se po të kthehemi tek ëndrra, më të pastra i kanë ata”, theksoi Berisha dy ditë më parë, duke theksuar se ai vetëm për Europën mund t’u fliste të rinjve.