Avokati i Popullit, u takuar sot me Kryetarin në detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton dhe me përfaqësuesin e Bashkimit Europian në Tiranë për të diskutuar mbi çështjen e komunitetit rom.
Avokati i Popullit shprehu edhe një herë shqetësimin për dëbimin e 37 familjeve rome nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse, bashkisë së Tiranës, policisë së shtetit dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale që t’i japin zgjidhje të menjëhershme kësaj situate.
Ndërkohë, Kryediplomati i OSBE-së, Robert Wilton u shpreh se çështja e strehimit të romëve rrezikon marrjen e statusit kandidat në dhjetor.
“Të zgjidhet çështja e strehimit të romëve e cila është shqetësuese përbën rrezik për marrjen e statusit kandidat të vendit. T’u jepet romëve akses në shëndetësi dhe arsim. Sigurisht kjo kërkon kohë dhe nuk ndodh sa hap e mbyll sytë”, tha zoti Wilton.
Një ditë më parë ishte “Amnesty International” që kërkoi marrjen e masave urgjente për 37 familjet rome që rrezikojnë të dëbohen nga banesat e tyre në rrugën e Kavajës në Tiranë, duke shtuar se pronari i tokës nuk ka respektuar procedurat e përcaktuara në ligj dhe se autoritetet nuk kanë marrë masa për t’u garantuar familjeve rome një strehim alternativ.
7 gusht 2013 (gazeta-Shqip.com)